Rinas, kapet pakoja e tretë postare me pjesë pistolete

Jul 2, 2012 | 14:45
Aeroporti i Rinasit

Një pako postare, brenda së cilës ndodhej një karikator dhe një tytë pistolete, është zbuluar në Aeroportin e Rinasit. Pakoja ishte nisur në adresë të personit që u arrestua dy javë më parë për trafik armësh, pasi mori një pako të parë të ardhur nga SHBA në Tiranë me pjesë të një pistolete. Burime nga Policia thanë se pakoja është e treta në numër, që vjen në adresë të Sotir Zotos, nga fshati Finiq i Delvinës. Ajo edhe kësaj radhe ishte postuar nga Amerika dhe ka mbërritur në Tiranë në linjën ajrore OA313. Përfaqësuesit e filialit transit të Postës Shqiptare kanë njoftuar fillimisht oficerët e Komisariatit të Rinasit, sapo kanë parë që gjatë skanimit të dërgesave të mbërritura me linjë ajrore nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në monitorin e skanerit është shfaqur përbërja dyshuese e pakos. Sipas burimeve nga Policia e Tiranës, mësohet se pamjet e shfaqura në monitorin e skanerit kanë qenë imazhe të objekteve metalike si ato të pjesëve të armëve të zjarrit, tip “Pistoletë”. Menjëherë është verifikuar adresa se nga vinte pakoja dhe për ku ishte nisur. Oficerët e Policisë, nisur nga i njëjti precedent i datës 15 qershor 2012, kanë verifikuar në moment që dërguesi nga Amerika ishte i njëjtë me atë të pakos së mëparshme, po ashtu edhe pritësi ishte pikërisht shtetasi 31-vjeçar Sotir Kozma Zoto, tashmë i arrestuar për “trafik të armëve dhe municioneve luftarake”.
SEKUESTRIMI
Sipas Policisë së Tiranës, në vijim të arrestimit të shtetasit Sotir Zoto më datë 15 qershor 2012 dhe në funksion të procedimit penal Nr.87, viti 2012, të Prokurorisë për Krime të Rënda, edhe pakoja tjetër postare e zbuluar në Rinas me pjesë pistolete i përket personit të arrestuar. Burime nga Policia thanë se në bashkëpunim me Prokurorinë dhe me urdhër të prokurorit të çështjes, u krye hapja e pakos së thjeshtë postare, ku u konstatuan pjesë të ndryshme arme zjarri, një karikator dhe tyta e armës, tip “Pistoletë”. Menjëherë u krye sekuestrimi i këtyre provave materiale, të cilat do t’u nënshtrohen ekzaminimeve të mëtejshme laboratorike, si dhe u kryen të gjitha veprimet hetimore duke i kaluar materialet Prokurorisë për Krimet e Rënda Tiranë. Burimet thanë se provat e reja të sekuestruara iu bashkëngjitën dosjes që ka në dorë prokurori i çështjes për “trafikim të armëve dhe municioneve luftarake”, në ngarkim të shtetasit Sotir Zoto. Të njëjtit person i kanë mbërritur nga Amerika edhe dy pako të tjera postare me pjesë pistolete, që nga muaji shkurt i këtij viti kur ndaj tij nisi procedimi penal.
I ARRESTUARI
Sotir Zoto, 31 vjeç, i cili ushtronte zanatin e bojaxhiut, u arrestua më 15 qershor të këtij viti për trafik armësh. Në adresë të tij u zbulua një kolipostë (pako postare) që vinte nga SHBA, në të cilën i kishin mbërritur tre shula dhe tri susta pistoletash për armë të kalibrit 7.62 dhe 9 mm. Zoto, sipas burimeve të Policisë dhe të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, u ndalua dhe më pas u arrestua nga Zyra e Hetimit të Trafiqeve në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.

DY PAKOT
Në adresë të Sotir Zotos, para pakos së zbuluar në Rinas dy ditë më parë, kishin mbërritur edhe dy pako të tjera postare që vinin nga i njëjti person nga Amerika, emri i të cilit nuk bëhet i ditur për arsye hetimi. Pakoja e parë mbërriti në muajin shkurt të këtij viti në adresë të tij, por në atë kohë Zoto nuk u arrestua, megjithëse nisi një procedim penal nga Krimet e Rënda dhe nisi hetimi duke vënë në zbatim praktikën “dorëzim i kontrolluar”. Hetimi zgjati deri në mbërritjen e pakos së dytë më 15 qershor 2012, kur ai u arrestua në flagrancë.

ETLEVA DELIA

© Panorama.al

Te lidhura