Kokaina fshihej në qirinj që më pas, të ngarkuar në kontejnerë, transportohej përmes rrugëve detare nga kontinenti amerikan në Europë.Në këtë skemë trafiku ka qenë i implikuar shtetasi Altin Kore, i arrestuar të premten në Rinas, i cili doli para Gjykatës së Tiranës ditën e djeshme. Gjykata e Tiranës la në “arrest me burg” me afat 60-ditor Altin Koren, 35-vjeçarin e akuzuar për trafikimin e 25 kilogramëve kokainë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sipas Gjykatës, afati 2-mujor u përcaktua me qëllim që të kryhen procedurat e ekstradimit të tij drejt kontinentit amerikan. Vendimi u shpall paraditen e së dielës nga gjyqtarja Elona Gjoka, dy ditë pasi Kore u arrestua në Aeroportin e Rinasit. Kore u prangos, pasi ndaj tij ekzistonte një urdhër-kërkimi ndërkombëtar i shpallur nga Interpol Washington më 3 mars 2011. Ai është shpallur në kërkim pasi në 14 gusht 2008 Gjykata e Teksasit, SHBA, kishte lëshuar një urdhër-arresti ndaj tij për akuzat e “trafikimit të lëndëve narkotike” dhe “mbajtje pa leje të armëve”. Në vendimin e masës së sigurisë, Gjykata e Tiranës ka vlerësuar se shteti amerikan kishte paraqitur të dhëna të mjaftueshme për veprën penale dhe për identifikimin e Kores dhe së rrezikonte ikja e tij. Bëhet e ditur se për veprat për të cilat akuzohet, dënimi maksimal ndaj 35-vjeçarit është “burgim i përjetshëm”. Ne vendim gjykata pohonte se një kopje e tij do t’i njoftohej menjëherë ministrit të Drejtësisë.
TRAFIKU I KOKAINËS
Në arsyetimin e vendimit të gjykatës për caktimin e masës shtrënguese “arrest me burg”, zbardhen episodet e trafikut të drogës, për të cilat akuzohet shqiptari Altin Kore. Sipas Gjykatës, Kore ishte një prej drejtuesve të një organizate kriminale që merrej me trafikun e kokainës. Po sipas Gjykatës, Kore kontaktonte drejtpërdrejt me një furnitor të miellit të bardhë dhe se në total ai dyshohet të jetë përgjegjës për trafikun e 20-25 kilogramëve kokaine. “Midis periudhës janar 2007 dhe 14 gusht 2008, në Distriktet Lindore dhe Veriore të Teksasit, Altin Kore ishte anëtar i një organizate drogë që shpërndante sasi kokaine me shumë kilogram. Kore ishte një prej drejtuesve të organizatës që lehtësonte marrjen e kokainës dhe drejtimin e të tjerëve për ta transportuar dhe shpërndarë atë. Kore kontaktonte drejtpërdrejt me një burim furnizimi për marrjen e kokainës. Më 4 maj 2008, Kore kërkoi 3 kg kokaine nga një burim furnizimi. Kokaina u trafikua në SHBA nga Meksika dhe njëherë në SHBA, u shpërnda në Dallas, Teksas dhe Indiana. Për më tepër, disa nga lëndët narkotike u dërguan në Shqipëri dhe Itali. Organizata e drogës i fshihte lëndët narkotike në qirinj, që dërgoheshin me barkë në Europë në kontejnerë ngarkesash. Në total, Kore është përgjegjës për 20 deri në 25 kg kokainë”, pohohej në arsyetimin e vendimi që la për 60 ditë në burg Koren.
URDHËR-ARRESTI
“Nga kontrolli i bërë në sistemin TIMS rezulton se ky shtetas është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Washington më datën 03.03.2011, pasi Gjykata e Teksasit në SHBA me vendimin datë 14.08.2008 ka lëshuar urdhër-arresti për këtë shtetas për veprat penale të ‘trafikimit të lëndëve narkotike’ (lloji kokainë) dhe ‘mbajtje pa leje të armëve’, parashikuar nga nenet 21 e 18 të Kodit Penal Amerikan. Aktiv në TIMS që prej datës 15.06.2011. Pra, nga materialet e vena në dispozicion rezulton se arrestimi i shtetasit Altin Kore është bërë për shkak se është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Washington mbi bazën e urdhërit të arrestit datë 14.08.2008 të Gjykatës së Distriktit Lindor Teksas, SHBA, i akuzuar për veprat penale të ‘bashkëpunim për të zotëruar me synim shpërndarjen e kokainës’ dhe ‘zotërim i një arme zjarri në vijim të një krimi për trafikim lëndësh narkotike’, vepra të parashikuara nga Kodi i SHBA-së”, thuhej në vendimin e Gjykatës së Tiranës.
60 dite
është afati që Gjykata e Tiranës i ka lënë Prokurorisë për realizimin e procedurës së ekstradimit të shtetasit Altin Kore nga Shqipëria për në SHBA, ku do të gjykohet për akuzat e ngritura ndaj tij
25 kilograme
lëndë narkotike kokainë është sasia e drogës, për trafikimin e së cilës akuzohet shtetasi shqiptar. Kjo sasi droge është lëvizur me kontejner mes Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vitin 2008
Rinas, Kore u kap pas mbërritjes nga Turqia
Altin Kore, 35-vjeçari i kërkuar në Amerikë është arrestuar në Aeroportin e Rinasit ditën e premte, ndërsa ishte shpallur në kërkim tri vite më parë. Policia e Tiranës tha se i arrestuari është Altin Kore, i cili është zbuluar në aeroport nga sistemi TIMS, në momentin kur sapo kishte zbritur nga një avion që vinte nga Turqia dhe do të udhëtonte më pas drejt Italisë. Nga të dhënat që i ishin vënë në dispozicion Interpolit nga DEA, Agjencia Kundër Drogës në Amerikë, Altin Kore rezultonte person i shpallur në kërkim që prej 29 prillit të vitit 2009. Ai akuzohej si pjesë e organizatës kriminale të Kartelit meksikan, që trafikonin drogë, kryesisht kokainë, drejt vendeve të Europës. Urdhër-arresti për 34-vjeçarin shqiptar ishte lëshuar prej rreth 3 vitesh, kur gjatë një operacioni të DEA-s u arrestuan në Dallas të SHBA tre persona, me të cilët bashkëpunonte Kore, për të trafikuar kokainën drejt Italisë, Spanjës dhe vendeve të tjera të Europës, përmes kanalit të Meksikës. Burime nga Policia e Rinasit sqaruan se arrestimi i Kores u krye të premten, kur ai sapo ishte kthyer nga Turqia. Gjatë verifikimit të gjurmëve të gishtave në sportelin e aeroportit, ka rezultuar se ishte person në kërkim. Mësohet se destinacioni tjetër i tij, pas mbërritjes në Tiranë, ishte Italia. Të njëjtat burime sqaruan se që prej vitit 2009, kur ishte larguar nga Amerika, Kore ka qëndruar në Shqipëri, ndërsa në Dallas ka punuar si agjent burse me profesion ekonomist, derisa u shpall në kërkim për trafik droge. Menjëherë pas prangosjes, Kore u transportua në Drejtorinë e Policisë së Tiranës.
ARMAND BAJRAMI
© Panorama.al











