Listës së rimbursimit i shtohen 11 barna të reja. Qeveria miratoi dje vendimin për skemën e vitit 2011. Pas procedurave të publikimit, lista e re e barnave do të jetë e gatshme për pacientët në nevojë, që përfitojnë nga rimbursimi i barnave, të cilat mbulohen nga ISKSH. Në total janë 420 medikamente, me një fond prej 7.4 miliardë lekë. Në listë përfshihen edhe një numër i konsiderueshëm ilaçesh alternative në fushën e endokrinologjisë, në fushën e gjëndrave me sekrecion të brendshëm, të mushkërive, zemrës apo syve. “Nga 3.8 miliardë lekë që ka qenë fondi i rimbursimit për mjekimin e qytetarëve shqiptarë me ilaçe të quajtura gjenetike, sot ky fond është 7.4 miliardë lekë, pra është rritur me mbi 90 për qind. Kjo rritje është dëshmi e vendosmërisë së kësaj qeverie për të mbështetur trajtimin sa më të mirë dhe të mundshëm plotësisht të patologjive dhe sëmundjeve të ndryshme në vendin tone”, tha dje kryeministri Berisha, gjatë mbledhjes së qeverisë. Ai shtoi se Task-Force për reformën në shëndetësi vazhdon punën dhe kjo reformë do të finalizohet duke hedhur themelet e shëndosha të një sistemi shëndetësor eficent, “Lista e re e barnave zgjeron gamën e sëmundjeve dhe medikamenteve që përfshihen në rimbursimin që bën qeveria apo Instituti i Sigurimeve Shëndetësore dhe shumë shpejt, me finalizimin e reformës, do të konsolidohet mekanizmi i ri financiar, mekanizëm që është jetik për funksionimin e reformës në shëndetësi.” Tha kryeministri. Do të jetë Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor që do të përballojë nga buxheti i saj efektet financiare të listës së re. “ Këto barna të reja përdoren për mjekimin e anemisë tek të sëmurët me veshka, për diabetikët, të sëmurët e pneumologjisë, kardiologjisë, okulistikës etj. Në total, lista e barnave të rimbursueshme 2011 përmban 420 barna nga 409 që ishte në vitin 2010 “, u shpreh drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana.
10 per qind
është TVSH-ja për barnat e rimbursueshme që do të mbulohet nga ISKSH-ja. ISKSH do të intensifikojë kontrollet, duke bërë një monitorim të rreptë në të gjithë vendin, në mënyrë që të sigurojë qëndrueshmërinë e skemës
420 medikamente
ka lista e re e rimbursimit të barnave nga 409 që kishte vitin e shkuar. Në listë përfshihen edhe një numër i konsiderueshëm ilaçesh alternative në fushën e endokrinologjisë, mushkërive, zemrës apo syve.
Barnat e reja me rimbursim
Indicaterole maleate 150 dhe 300mg tabl, me përdorim në sëmundjet kronike respiratore;
Tobramycine 3mg/ml-5 ml Pika për sy,
Tobramycine0.3%-3.5 gr pomade për sy;
Kombinimi Tobramycine+Dexamathasone (3mg+1mg)mg-3.5 gr Pomade për sy e (3mg+1mg)ml-.5 ml Pika për sy;
Latanoprost 0.005%-2.5ml pika për sy, kombinimi Latanoprost+Timolol maleate (50mcg+6.83mg)-2.5 ml pika për sy ;
Pyrantel embonate 125 mg, 250 mg tabl , 125mg/2.5ml-15 ml fl si antiparazitar;
Insulina Lispro 100UI/ml-3 ml së bashku me atë të kombinuar Insulin Lispro protamine 100UI/ml-3 ml ne raport 25/75 dhe 50/50 si një insulinë e re analoge, duke e plotësuar më mirë këtë grup barnash .
© Panorama.al











