
Shqipëria është mundur në Bosnjë dhe praktikisht i ka dhënë fund ëndrrës për t’u kualifikuar në Euro 2012.Ashtu si edhe në të kaluarën, kuqezinjtë nuk kanë mundur të bëjnë hapin e madh. Jemi rikthyer në vendin e parafundit, atje ku pa dëshirë kemi qëndruar për vite të tëra. Kemi bërë një ndeshje të dobët në transfertë dhe jemi mundur, ashtu sikundër ka ndodhur sistematikisht në ndeshjet vendimtare. Kjo, për shkak të gabimeve të lojtarëve, por më së shumti të trajnerit. Po, kjo ishte një disfatë që e “prodhoi” kroati Kuzhe.
Ndeshja
Shqipëria e nis aq vrullshëm ndeshjen, saqë pati edhe shans për të shënuar që në minutën e parë. Devijimi me kokë i Salihit nuk është aq i saktë sa për t’i fundosur boshnjakët që në fillim. E megjithatë, skuadra jep sinjale të rëndësishme dhe duket e sigurt në fushë. I vetmi që stonon disi është Agolli, i cili nuk arrin që të orientohet si duhet për një pjesë të mirë të minutave dhe për më tepër, gabon edhe në dy raste që mund të shndërroheshin në “silura” tipike vdekjeprurëse nga e majta e tij. Shqipëria përpiqet të menaxhojë dhe të mbajë sa më larg kundërshtarin. Ia del ta bëjë këtë gjë për një pjesë të mirë të kohës dhe pavarësisht rreziqeve që paraqesin boshnjakët, kuqezinjtë arrijnë të zbusin presionin e rivalëve, të karikuar tej mase nga një stadium i ndezur.
Pjesa e dytë
Këtu nis makthi i Shqipërisë, që më shumë se sa për meritë të Bosnjës, paguajmë gabimet tona në fushë dhe në zgjedhjet e trajnerit. Ky i fundit zëvendëson që në fillim Bogdanin, duke futur Duron. Shqipëria humb terren në lojë. Salihi, fare i vetmuar në sulm, nuk arrin ta tërheqë skuadrën. Reparti i mesfushës, aty ku janë shtuar forcat në numër, lë më shumë hapësira se në pjesën e parë. Skuadra nuk arrin të qetësohet asnjëherë dhe gradualisht Bosnja fiton terren ndjeshëm. Skela dhe Duro nuk merren vesh thuajse asnjëherë mes tyre, Bulku me Lalën nuk dinë ku të pasojnë, ndërsa mbrojtja është në alarm sa herë që boshnjakët sulmojnë. Megjithatë, golin e parë rivalët nuk e shënuan pas një aksioni perfekt, por si pasojë e një vendosjeje të gabuar të mbrojtjes, ku Vangjeli, tërësisht i shpërqendruar, mban në lojë një lojtar kundërshtar. Gafë e pafalshme që sjell më pas edhe çorientimin total të skuadrës. Shqipëria nuk arrin të krijojë asnjëherë deri në fund një aksion për të qenë dhe, në minutat e fundit, pëson edhe golin që vulos humbjen.
Zëvendësimet
Këtu Kuzhe merr notën 4. Fut tre lojtarë krahu në të djathtë në fushë, ndërkohë që kishte nxjerrë një të majtë si Agolli. Rrjedhimisht, asnjëri prej tyre nuk arriti të bëjë diferencën. Lilën e vendos në të majtë, ndërkohë që ai është një lojtar tipik i djathtë. Sikur të mos mjaftonte kjo, mbrojtësi merr edhe të kuq në minutën e 86-të. Më pas, Kuzhe aktivizon edhe Muzakën. Asnjëherë nuk arriti të marrë një pasim të saktë, as mbron dhe as pason dhe, kur i jepet mes vuajtjesh një pasim i artë para portës, bën më të vështirën, duke e nxjerrë topin jashtë. Duro, një tjetër lojtar i futur në pjesën e dytë, nuk ndryshoi asgjë, si në fazën mbrojtëse, ashtu si edhe në atë sulmuese. Ka “meritë” në golin e dytë të Bosnjës, sepse topin e humbet pikërisht ai dhe skuadra kapet në kundërkohë. Trajneri Kuzhe u ndërroi vendin shumë lojtarëve dhe humbi terren në fushë, duke i dhënë mundësi Bosnjës që të përdorte armët e saj më të forta: mesfushën dhe sulmin. Ishte një humbje të cilën e bëri më të dhimbshme i njëjti person. Falë Kuzhesë Shqipëria arriti të shkojë në ndeshjen kundër Bosnjës me ëndrrën se mund t’ia dalë dhe sërish falë tij u rrëzua keqazi. Kishte ardhur koha që Shqipëria të hiqte dorë nga humbjet, por Kuzhe u tremb para hapit të madh dhe Shqipëria u rikthye atje… ku ka qenë gjithmonë.
Incidenti Tension mes dy tifozërive
Në tribunën pas portës, ku ishin të vendosur mbi 500 tifozë shqiptarë, policia boshnjake kishte vënë një kordon të gjatë për të ruajtur sigurinë. Megjithatë, jo shumë larg tifozëve kuqezinj ndodheshin edhe ata boshnjakë. Në pjesën e dytë, boshnjakët tentuan të provokonin, por shqiptarët nuk ranë në këtë kurth. Gjithsesi, kulmi arriti kur në tribunën e tifozëve shqiptarë u hodh një shashkë, e cila tensionoi së tepërmi situatën. Ultrasit kuqezinj u përgjigjën me të njëjtën monedhë, por policia ndërhyri në kohën e duhur, duke u marrë me boshnjakët, që ishin iniciatorët e ngjarjes. Tifozët vendës nisën të konfliktonin me policinë.
Sushiç: Ishim superiorë fizikishit
Trajneri i Bosnjë-Hercegovinës, Safet Sushiç, është shprehur i kënaqur për fitoren me Shqipërinë, por sërish nuk i ka kursyer kritikat për futbollistët e tij. “Mendoj se ishte një fitore e vuajtur, por e merituar – ka thënë Sushiç pas ndeshjes – megjithatë, më duhet të them se e nisëm ndeshjen në mënyrën më të keqe të mundshme dhe, nëse do të kishim pësuar gol që në fillim, atëherë ndoshta s’do të ishim duke folur kështu tani. Gjithsesi, futbolli ky është dhe ne patëm edhe pak fat. Sa i përket ndeshjes në tërësi, ne e dominuam totalisht atë dhe mund të kishim shënuar edhe më parë, por e dinim se Shqipëria ishte një kundërshtar i vështirë. Kishim shumë presion, sepse na nevojitej vetëm fitorja dhe kjo nuk është e lehtë kur vjen pas një humbjeje tronditëse si ajo në Rumani”. Më tej, trajneri ka analizuar edhe diferencat mes dy skuadrave, duke theksuar se forma fizike e lojtarëve luajti një rol të rëndësishëm. “Ne ishim shumë lart fizikisht dhe kjo u pa që në fillim të pjesës së dytë. Lojtarët tanë vrapuan shuam dhe nuk e ulën ritmin, çka i bëri kundërshtarit të vuanin presionin tonë dhe të mos dilnin asnjëherë në lojën e tyre.
RIVALËT NË GRUP/ Bjellorusia nuk fal përballë Luksemburgut
Bjellorusia nuk dështoi në ndeshjen kundër modestëve të Luksemburgut. Edhe pse ndeshjen e kaluar kundër tyre, nuk morën dot më shumë se një barazim 0-0, këtë herë triumfuan pa probleme 2-0. Ekipi i trajnerit Bernd Shtange e kishte vlerësuar maksimalisht kundërshtarin, duke zhvilluar një lojë mjaft të kujdesshme. Edhe pse krijuan raste për shënim, pjesa e parë u mbyll në barazim pa gola. Por, vetëm tre minuta pasi kishin filluar 45 minutat e dyta, vendësit fituan një 11-metërsh, i cili u ekzekutua saktë nga Sergei Kornilenko. Kaq mjaftoi për t’i dhënë më shumë lirshmëri lojës së bjellorusëve dhe në minutën e 73-të erdhi edhe goli i sigurisë që vulosi edhe fatin e takimit. Këtë herë ishte Anton Putsila që gjeti rrugën e rrjetës dhe finalizoi fitoren me rezultatin 2-0. Skuadra e trajnerit Bernd Shtange ka marrë një tripikësh me shumë vlera në garën për t’u kualifikuar në Euro 2012. Aktualisht, ata renditen në vendin e dytë të grupit, në kuotën e 12 pikëve, një më pak se kryesuesit e Francës dhe dy më shumë se ndjekësit më të afërt, Bosnjës.
Cana
Babai i Lorik Canës, Agim Cana, ka thënë se është arritur akordi me skuadrën e Lacios dhe se gjatë tri ditëve të ardhshme do të bëhet edhe zyrtarizimi i marrëveshjes. Hamdi Salihi nuk ka qenë në gjendjen e tij optimale gjatë ndeshjes së djeshme, duke sakrifikuar për skuadrën, si pasojë e dëmtimit. Sulmuesi shkodran luajti për 90 minuta, ndërkohë që pas sfidës doli nga stadiumi duke çaluar. Lojtari nuk pranoi të komentonte për mediat humbjen ndaj Bosnjës. “Më dhemb shumë këmba”,- u shpreh ai për gazetarët, duke u futur më pas në autobusin e ekipit.
Bosnjë – Shqipëri 2-0
Golat: Medunjanin 67′, Maletiç 91′
Bosnja: Hazagiç, Mujdzha (Maletiç 73′), Luliç,
Spahiç, Pandzha, Rahimiç, Medunjanin, Pjaniç
(Besiç 77′), Misimoviç, Ibiseviç (Muslimoviç 60′),
Xheko. Trajner: Safet Sushiç
Shqipëria: Ujkani, Dallku, Cana, Curri, Vangjeli,
Bulku, Lala (Muzaka 72′), Skela, Agolli (Lila 60′), Salihi, Bogdani (Duro 46′). Trajner: Josip Kuzhe
Gjyqtarë: Kevin Blom, Niki Siebert,
Patrik Langamp (Holandë)
Kartonë të verdhë: Maletiç 77′, Duro 78′
Karton i kuq: Lila 86′
Minutat
1′ Bogdani del i lirë nga e djathta dhe më pas jep një top në zonë për Salihin, i cili fut këmbën afër portierit, por vetëm korne.
2′ Skela kroson nga goditja e këndit, portieri Hasagiç grushton dhe Dallku nuk përfiton në hyrje të zonës, duke goditur jashtë.
8′ Luliç bën gjithçka mirë nga e majta, kalon Dallkun dhe hyn në zonë, por goditja e tij përfundon ngjitur me shtyllën pingule.
17′ Agolli jep një top me gjysmëkthesë nga e majta, Salihi rrotullohet bukur brenda zonës, gjuan topazi, por jashtë.
25′ Pjaniç kroson nga e djathta dhe Pjaniç devijon topin me kokë brenda zonës, duke rrezikuar seriozisht portën shqiptare.
31′ Misimoviç shfaqet i lirë në afërsi të zonës, gjuan direkt dhe Ujkani pret pa vështirësi.
33′ Dallku kroson në zonë, Salihi topin për te Skela dhe ky i fundit me një goditje fluturimthi detyron portierin Hasagiç të presë në dy kohë.
47′ Gabim i Vangjelit në kthimin e topit, Ibiseviç gjuan direkt dhe porta kuqezi shpëton për mrekulli.
57′ Misimoviç lëshon një “predhë” nga jashtë zone dhe Ujkani grushton në mënyrë spektakolare, duke shmangur një gol të sigurt.
66′ Muslimoviç kroson në zonë dhe Xheko godet me kokë, duke drithëruar kuqezinjtë, topi, ngjitur me shtyllën.
67′ Gafë e mbrojtjes kuqezi në rreshtim dhe mesfushori Medunjanin del i vetëm me Ujkanin, ul topin dhe godet saktë me të majtën, 1-0.
86′ Lila ndërhyn në mesfushë kundër Rahimiç dhe gjyqtari holandez jep direkt kartonin e kuq. Shqipëria me një lojtar më pak.
89′ Muzaka bën më të vështirën, edhe pse i vetëm me portën. Mesfushori gjuan jashtë, duke humbur një rast të artë për të barazuar.
91′ Duro humbet topin në gjysmëfushë dhe Bosnja del në kundërsulm, Misimoviç pason për të sapofuturin Maletiç, i cili gjuan tokazi dhe 2-0.
Grupi D
Skuadra N F B H G+/- P.
Franca 6 4 1 1 9 -2 13
Bjellorusia 7 3 3 1 6-2 12
Bosnja 6 3 1 2 8-7 10
Rumania 6 2 2 2 8-6 8
Shqipëria 6 2 2 2 4-6 8
Luksemburgu 7 0 1 6 1-13 1
ndeshjet
03/09/2010
Rumani – Shqipëri 1-1
03/09/2010
Luksemburg – Bosnje 0-3
03/09/2010
Francë – Bjellorusi 0-1
07/09/2010
Bjellorusi – Rumani 0-0
07/09/2010
Bosnje – Francë 0-2
07/09/2010
Shqipëri – Luksemburg 1-0
08/10/2010
Shqipëri – Bosnje 1-1
08/10/2010
Luksemburg – Bjellorusi 0-0
09/10/2010
Francë – Rumani 2-0
12/10/2010
Francë – Luksemburg 2-0
12/10/2010
Bjellorusi – Shqipëri 2-0
25/03/2011
Luksemburg – Francë 0-2
26/03/2011
Bosnje – Rumani 2-1
26/03/2011
Shqipëri – Bjellorusi 1-0
29/03/2011
Rumani – Luksemburg 3-1
03/06/2011
Bjellorusi – Francë 1-1
03/06/2011
Rumani – Bosnje 3-0
07/06/2011
Bjellorusi – Luksemburg 2-0
07/06/2011
Bosnje – Shqipëri 2-0
02/09/2011
Shqipëri – Francë
02/09/2011
Bjellorusi – Bosnje
02/09/2011
Luksemburg – Rumani
06/09/2011
Luksemburg – Shqipëri
06/09/2011
Bosnje – Bjellorusi
06/09/2011
Rumani – Francë
07/10/2011
Francë – Shqipëri
07/10/2011
Bosnje – Luksemburg
07/10/2011
Rumani – Bjellorusi
11/10/2011
Francë – Bosnje
11/10/2011
Shqipëri – Rumani











