Flamurtari udhëton nesër drejt Beratit, i bindur për të arritur një rezultat pozitiv. Ndërkohë, Migen Memelli rikthehet pas dëmtimit në këtë takim me bindjen se do të sjellë ndryshimin në ekip. Sipas sulmuesit, grupi ka nisur të funksionojë dhe gjatë këtyre dy javëve edhe konsultimet kanë ecur mjaft mirë. Memelli nuk i gëzohet faktit se ndeshja luhet pa tifozë, por kërkon që takimi të jetë një “fair-play”. “Ta fitojmë këtë ndeshje, dhe në fakt duhet të fitojmë çdo ndeshje. Pavarësisht nëse do ketë apo jo tifozë, për ne do të jetë njëlloj dhe do kemi të njëjtin motivim. Dëmtimi? Ndihem shumë mirë, nuk kam ndonjë shqetësim dhe shpresoj që të luaj si titullar, por kuptohet, kjo është në dorën e trajnerit. Kemi pasur dy javë kohë për t’u harmonizuar dhe përgatitur dhe besoj se një gjë e tillë është arritur. Gjatë kësaj kohe, ne jemi konsultuar shumë mirë me njëri-tjetrin dhe stafin. Di të them se do të bëj më të mirën. Sa gola premtoj? Është ende herët për të folur”, ka thënë dje Memelli.











