Rikthehet bora në zonat malore, ende pa hapur komunat e thella

Feb 27, 2012 | 12:47
Pamje nga qyteti i Kukesit

SHKODER/ KUKES – Rikthehet dëbora në zonat malore, ku ende nuk janë hapur fshatrat e izoluara prej rreth 1 muaji. Reshje dëbore pati mbrëmë në Veri dhe Lindje të vendit, duke prekur dhe qytetin e Peshkopisë, si dhe zona të tjera në lartësi të konsiderueshme. Në pjesën më të madhe të vendit ka pasur shi, por kjo nuk ka ndikuar në shkrirjen e borës së hershme. Në qarkun e Shkodrës, të bllokuara janë akset rrugore që lidhin komunat e zonës së Dukagjinit, si ato të Shalës dhe të Shoshit, në rrethin e Shkodrës, të Vermoshit në rrethin e Malësisë së Madhe dhe të Iballës në rrethin e Pukës. Puna në këto akse rrugore, krahas trashësisë së dëborës dhe shtresave të akullit në rrugë, vështirësohet në jo pak raste edhe nga rrëshqitjet e dherave e të shkëmbinjve mbi trupin e rrugës. Kjo ka bërë që në disa raste të kërkohet ndërhyrja e reparteve xheniere të forcave të armatosura, për zhbllokimin me lëndë plasëse të shkëmbinjve që kanë bllokuar në segmente të ndryshme këto rrugë. Në rrethin e Pukës vazhdon të jetë e bllokuar vetëm komuna Iballë, ndërsa të gjitha komunat e tjera janë të zhbllokuara. Në rrethin e Malësisë së Madhe, i vetmi aks i pakalueshëm është ai Selcë-Vermosh, por për banorët e Vermoshit po punohet në drejtim të zhbllokimit të 8 kilometrave rrugë nga pika kufitare e Gërçarës me Malin e Zi, në qendër të fshatit. “Për zhbllokimin e këtij segmenti rrugor, nga ku më pas banorët do të kryejnë plotësimin e nevojave nga Mali i Zi, falë një financimi nga Këshilli i Qarkut Shkodër janë kontraktuar disa makineri nga Mali i Zi, të cilat e kanë më të lehtë të punojnë në drejtim të territorit të Vermoshit. Aktualisht janë hapur 4 km në këtë aks rrugor dhe brenda pak ditësh pritet të hapet edhe gjysma tjetër e rrugës së bllokuar”, u shpreh kreu i Qarkut, Maxhid Cungu. Në qytetin e Kukësit, bora vazhdon të jetë në një trashësi prej 40 cm. Masivet e mëdha të dëborës nëpër trotuare e sheshe po kufizojnë lëvizjen e njerëzve dhe automjeteve. Ndërkohë, sipas njoftimeve të Shtabit të Emergjencave Civile në Kukës, mbetet e izoluar vetëm komuna e thellë e Arrnit, si dhe rreth 30 fshatra që nuk kanë lidhje me qendrat e komunave. Sot pritet të rinisë mësimi në fshatra pas dy javëve ndërprerje, por dhe kjo javë e fundit për shkollat e qytetit ishte një javë me orar të reduktuar të mësimit, për shkak të mungesës së ngrohjes në shkolla. Bashkia ka siguruara fondet e duhura me anë të një kredie në banka, dhe sot pritet të rifurnizojë shkollat me lënë drusore.        r.d/j.h

Një urgjencë nga komuna Shalë
Ndonëse situata është përmirësuar ditët e fundit, nuk kanë munguar urgjencat shëndetësore. Paraditen e djeshme u kërkua ndërhyrja e një helikopteri për transportimin e një të sëmuri nga fshati Breg i Lumit i komunës Shalë. I sëmuri që kishte shfaqur probleme kardiake është transportuar për në spitalin rajonal të Shkodrës me anë të një helikopteri të Ministrisë së Shëndetësisë dhe pas ndihmës së marrë, është jashtë rrezikut për jetën.

Skrapar, shtëpia shembet nga bora
SKRAPAR – Një familje me 7 anëtarë në fshatin Barbullas, komuna Bogovë, në këto ditë të ftohta është e destinuar të përballet me uljen e temperaturave. Çatia e shtëpisë së Afërdita Kelit është shembur si pasojë e dëborës dhe lagështirës. “Kemi mbetur pa shtëpi se dhe ajo që kishim, e amortizuar, u shemb nga pesha e dëborës dhe lagështia. Kemi qenë me fat që në momentin e shembjes nuk kishte njeri brenda, pasi prej kohësh e kishim frikën e një ngjarjeje të tillë. Tani ne jemi përjashta në këtë të ftohtë”. Sipas zonjës së shtëpisë, 70-vjeçe, prej kohësh ajo u është drejtuar për ndihmë e drejtuesve të komunës, por thotë se nuk ka pasur ndonjë interesim për ta. “Përfaqësuesit e komunës janë shprehur se gjendja qenka alarmante dhe urgjentisht komuna do t’ju ndihmojë. Ata, sa u larguan nga ne, harruan se çfarë kishin thënë dhe kishin parë nga afër. I bëjmë apel qeverisë, Avokatit të Popullit që të na ndihmojnë si familje se po vdesim nga të ftohtit në një kasolle”, shprehet 70-vjeçarja.                  d.xh

© Panorama.al

Te lidhura