TIRANE- Standarde pune ne zonat e harruara dhe anekend Tiranes ka garantuar kreu i bashkise, Lulzim Basha teksa ka inspektuar punimet të cilat janë drejt fundit në një prej rrugëve më të amortizuara në Tiranë, “Sadik Petrela”.
“Ky është modeli i ri i punës dhe standarti që Bashkia e Tiranës do të imponojë anë e mbanë qytetit, duke filluar me zonat e harruara dhe ato në nevojë, duke pasur si parim jo vetëm qendrën e qytetit por kudo ku qyteti shtrihet, duke filluar nga pragu i qytetarëve, për t’ju ofruar qytetarëve të Tiranës një cilësi më të mire jete dhe për ta bërë Tiranën një qytet ku jetohet më mire”, tha Basha.
Ai bëri të ditur dhe nisjen e punës për riparimin e 88 rrugëve të kryqytetit të cilat i shtohen 100 rrugëve të riparuar gjatë muajve Mars-Prill. Sipas tij, një e treta e këtyre rrugëve që po i nënshtohen riparimit kanë ardhur si rezultat i shqetësimit të qytetarëve që e kanë raportuar këtë drejtpërdrejt nëpërmjet shërbimit të Zërit të Qytetarit në Bashkinë eTiranës. Këtë muaj nis procesi i investimit në 30 rrugë të cilat nuk do të riparohen por do të ndërtohen nga fillimi.
“Bashkë me planin urbanistik dhe planet e mëdha me të cilat po ecim, ne nuk do të harrojmë për asnjë çast nevojat e mëdha që ky qytet ka për shkak të problematikës së madhe që është përballur dhe krahas këtij investimi që shikoni, ne nisim këtë fundjavë projektin e riparimit të 88 rrugëve të tjera të qytetit që do t’i bashkangjitet 100 rrugëve që ne riparuam në periudhën Mars-Prill. Pra gjithsej 188 rrugë të qytetit do t’i nënshtrohen procesit të riparimit. Jam i ndërgjeshëm që këto 188 rrugë janë vetëm një fraksion i vogël i nevojave të qytetit. Por të gjithë duhet ta kuptojmë që në 10 muaj nuk mund të zhbëjmë apo të ndreqim atë që nuk është bërë në dhjetra vite. Por ju siguroj që në këto 10 muaj dhe në muajt e ardhshëm ne do të hedhim hapa të mëdhenj përpara, në drejtim të cilësisë së jetës së qytetarëve në lagjet ku jetojnë”, tha Basha.
© Panorama.al











