Rikonstruktohet rruga në Shkozë, Ristani: Nga një zonë pa infrastrukturë, sot e lidhur me Unazën e Madhe, presim bashkëpunimin e banorëve!

Apr 28, 2026 | 16:21

Bashkia e Tiranës ka përfunduar rikonstruksionin e një tjetër rruge në kryeqytet.

anuela ristani

Bëhet fjalë për rrugën “Ramazan Shushku”, e cila ndodhet në afërsi me Unazën e Madhe, në zonën e Shkozës, Njësia Administrative nr. 1.

Gjatë inspektimit, kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, u shpreh se ndërhyrja ka avancuar me shpejtësi dhe se tashmë banorët e kësaj zone do të kenë të njëjtin standard infrastrukture si pjesa tjetër e qytetit.

“Kjo është një ndër ato rrugë në të cilat për shkak të shmangies së shpronësimit ka ecur me të vërtetë shumë shpejt. Bëhet fjalë për një zonë e cila nuk ka pasur asnjë lloj infrastrukture urbane apo publike dhe jo vetëm që tani e ka, por është e lidhur edhe me Unazën e Madhe dhe do të vijojë të lidhet me rrugën “Pjetër Arbnori”, të cilën ne do të vazhdojmë ta investojmë”, shprehet kryetarja e komanduar.

Ristani thekson gjithashtu se mirëpret edhe bashkëpunimin e banorëve për mirëmbajtjen e investimit.

“Më në fund kanë të njëjtën infrastrukturë që ka çdo banor i qytetit të Tiranës edhe pse është goxha distancë nga qendra. Mirëpresim bashkëpunimin e banorëve për sa i përket të gjithë investimit, mirëmbajtjes së tij, por edhe të jetës në komunitet e cila e bën edhe investimin edhe më me kuptim”, deklaroi Anuela Ristani”, u shpreh ajo.

Nga ana tjetër administratorja e Njësisë Administrative nr. 1, Trëndelina Jaku, deklaroi se banorët janë të kënaqur nga investimi i bërë.

“Banorët kanë qenë të gjithë shumë të kënaqur sepse normalisht s’ka pasur problematika. Domethënë normalisht ndriçimi është bërë, ujërat e zeza dhe kanalizimi është bërë, kështu që shumë faleminderit”, u shpreh Jaku.

Rruga dytësore fillon nga Unaza e Madhe deri në kryqëzim me rrugën “Pjetër Budi” dhe “Agush Gjergjevica”. Ky segment shërben si akses për të gjithë objektet e zonës, të cilat janë kryesisht objekte banimi 1 deri 3 kate dhe në fund lidhet me lagjen Çollak.

Ky investim përfshin ndërtimin e rrjetit të ri të ujërave të zeza, kanalizimet e ujërave të shiut, shtresat rrugore, trotuaret, ndriçimin modern dhe sinjalistikën, për të garantuar një infrastrukturë.

© Panorama.al

Te lidhura