
KUÇOVE – Pas shumë ankesave të qytetarëve për mungesën e infrastrukturës, këto ditë përfundoi shtrimi i rrugës që lidh qytetin e Kuçovës me komunën e Kozares. Rruga, rreth 6 km e gjatë, mban emrin e inxhinierit të shquar të naftës, polakut Stanistllav Zuber. Për nder të kontributeve që ai dha për nxjerrjen e naftës, Bashkia i vuri emrin një prej rrugëve të qytetit. Në fakt kjo rrugë ishte rikonstruktuar më parë, por ajo u shkatërrua sërish. Kjo rrugë shërbente edhe për të lidhur qytetin me varrezat, por banorët ishin ankuar disa herë për gjendjen e amortizuar në të cilën ndodhej. Mësohet se me kërkesën e komunës, qeveria ka dhënë një fond për ndërtimin e rrugës, e cila tashmë sapo ka përfunduar. Kryetari i komunës, Myslym Haxhiaj, u shpreh se rikonstruktimi i kësaj rruge ishte mjaft emergjente, dha ka zgjidhur një problematike për të cilën mjaft banorë ishin ankuar disa herë. Pas përfundimit të kësaj rruge, qeveria ka dhënë edhe një fond tjetër për ndërtimin e rrugës Kozare- Fiershegan, e cila do të shërbejë për zhvillimin e kësaj zonë dhe të asaj të Dumresë. Ndërtimi i këtij aksi do të shkurtojë një distancë të konsiderueshme pasi mjaft mjete nuk do të kalojnë më nga Ura Vajgurore për në Tiranë apo Lushnjë, por do të kalojnë nga Kuçova në Kozare në drejtim të Lushnjës. Ndërtimi i këtij aksi do të lehtësojë më së shumti edhe fermerët e zonës, për të shitur produktet bujqësore e ato të blegtorisë. d.xh











