PRISHTINE- Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin zbatimin e Pakos së Ahtisarit dhe vendosjen e sundimit të rendit dhe ligjit në veri të Kosovës, ka deklaruar të mërkurën në Prishtinë, zëvendës ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euroazi, Filip Riker.
“Ne duhet të fokusohemi në vendosjen e rendit dhe ligjit në veri si dhe zbatimin e Planit të Ahtisarit”, tha Riker.
“Sovraniteti dhe integriteti territorial i Kosovës është i qartë dhe ajo që duhet të bëjmë është vullneti për vendosjen e sundimit të ligjit”, theksoi Riker, duke mbështetur punën e institucioneve të Kosovës në gjithë territorin e saj, në shërbim të gjithë qytetarëve.
“Kosova është një shtet sovran dhe i pavarur dhe ka të drejtë të shtrijë autoritetin e vet në gjithë territorin”, tha Riker, duke u përgjigjur në një pyetje në lidhje me aksionin e qeverisë në veri të vendit.
Ai edhe njëherë përçoi mesazhet e politikës amerikane të gjitha vendeve të rajonit se nuk ka ndryshim kufijsh në Ballkan, duke potencuar se çështja kryesore këtu është vendosja e rendit dhe ligjit.
Në orët e pasditës zoti Riker pritet të vizitojë manastirin e Graçanicës, për t’u takuar me zyrtarët e lartë të Kishës Ortodokse Serbe.
Kjo vizitë e zotit Riker në Kosovë, është e para në cilësinë e zëvendës ndihmës sekretarit amerikan të shtetit. (rel)











