Rifillimi i marrëdhënieve Turqi-BE

Jun 17, 2011 | 9:44

HAVIER SOLANA

Vetëm para pesë muajsh, Osama bin Laden ishte i gjallë, Hosni Mubarak kishte kontrollin e plotë në Egjipt dhe Zine el-Abidine  Ben qeveriste Tunizinë me grusht të çeliktë. Sot, kryengritjet popullore dhe ndryshimet politike janë përhapur në mbarë rajonin. Ne kemi qenë dëshmitarë të represioneve brutale në Siri dhe Liban, të kalimit të ushtarëve sauditë në Bahrejn dhe betejës për Libinë. Për Europën, “Pranvera arabe” duhet ta rifokusojë vëmendjen mbi një çështje që është shpërfillur me të madhe gjatë muajve të kaluar: përfitimet e mëdha që do të kishim nga anëtarësimi i plotë i Turqisë në Bashkimin Europian. Duke pasur parasysh mundësitë e mëdha që paraqiten në rrethanat aktuale, Europa do të përfitonte shumë nga anëtarësimi i Turqisë.
Me zgjedhjen e Recep Tajip Erdoganit për një mandat të ri si Kryeministër i Turqisë dhe gjatë kohës kur Polonia, një shtet i vetëdijshëm për rëndësinë e pozitës strategjike të Europës në botë, pritet ta marrë Presidencën e BE-së në fund të muajit, ka ardhur koha që Bashkimi Europian dhe Turqia të “rifillojnë” negociatat rreth anëtarësimit të Turqisë.
E mira që mund t’i sjellë Turqia Europës ka qenë e dukshme, madje edhe para “Pranverës arabe”. Europa është e shumëllojshme në aspektin kulturor, kështu që shumëllojshmëria është fat i BE-së.
Dhe, po qe se Europa dëshiron të bëhet një lojtare aktive globale, e jo një muze, atëherë asaj i duhet një perspektivë e re dhe energjia e popullit të Turqisë.
Europa sot është më e madhe dhe ndryshon nga Europa e vitit 1999, kur Turqisë iu bë ftesa për ta filluar procesin e anëtarësimit. Kontinenti po ashtu po përjeton një krizë të thellë ekonomike, e cila shpërtheu mu atëherë kur u miratua Traktati i Lisbonës. Po të ishte miratuar ky traktat më 2005-n, ashtu si planifikohej, atëherë ai do të ishte në vitin e gjashtë të zbatimit dhe tensioni që shkaktoi kriza mbi qeverisjen ekonomike të BE-së – evidente në problemet me të cilat po përballet Eurozona – do të ishte shumë më i menaxhueshëm.
Megjithatë, BE-ja gjithnjë përballet me probleme, i zgjidh ato dhe vazhdon përpara. Sot ne nuk kemi një thesar, mirëpo kemi diçka të ngjashme. Ngjashëm, Banka Qendrore Europiane sot ka kapacitete, të cilat askush nuk ka mundur t’i marrë me mend, të themi, më 1997-n.
Një sfidë e madhe të cilën Europa ende nuk e ka tejkaluar është imigrimi, i cili vetëm sa do të rritet si problem me kalimin e kohës. Pritet që deri në vitin 2050, fuqia punëtore e Europës do të pësojë një rënie prej 70 milionë punëtorësh. Për këtë arsye, imigrimi dhe hapja e kufijve të BE-së do të jenë të domosdoshme për funksionimin e ekonomisë.
Turqia e sotme po ashtu ka ndryshuar krahasuar me Turqinë e vitit 1999, si në aspektin politik, ashtu edhe atë ekonomik, dhe kjo ka shumë të bëjë me procesin e anëtarësimit në BE. Është e vërtetë se pa e pasur interesin për të hyrë në BE, ndryshimet e tilla nuk do të kishin ndodhur.
Ekonomikisht, Turqia tani është në G20 dhe po e luan një rol efektiv atje. Edhe politikisht Turqia ka dalë në sipërfaqe si lidere rajonale, një rol ky që po e merr jashtëzakonisht seriozisht.
Me zgjedhjet e porsapërfunduara parlamentare dhe me Kushtetutën e re që pritet të miratohet, Turqia është duke iu afruar një momenti historik. Unë isha anëtar i Komisionit Kushtetues Spanjoll që përpiloi Kushtetutën e Spanjës më 1975-n dhe 1976-n, pas vdekjes së Francos dhe për këtë arsye e di se çfarë do të thotë të kalosh nga diktatura në demokraci dhe sa rëndësi ka që kushtetuta të miratohet me kompromis.
Marrëdhëniet BE-Turqi filluan me një marrëveshje asocimi, e nënshkruar më 1963-shin. Tani kanë filluar negociatat për anëtarësim dhe 35 “kapitujt” – që përfshijnë gjithçka, prej bujqësisë, energjetikës, konkurrencës, ambientit, politikave sociale e tutje – duhet të hapen. Ne tashmë i kemi hapur 19 kapituj – më pak se sa që do të ishte e dëshirueshme. Mirëpo, problemi kryesor është se e kemi mbyllur vetëm një kapitull, e më e keqja është se tempi i negociatave është ngadalësuar. Në të vërtetë, në pjesën e dytë të vitit 2010, asgjë nuk ndodhi. Për këtë arsye pres progres të konsiderueshëm më 2011.
Turqia dhe BE-ja kanë nevojë për njëra-tjetrën. BE-ja merr pjesë me 75 për qind të investimeve të huaja në Turqi dhe afërsisht gjysmën e eksporteve dhe turizmit. Ngjashëm, siguria energjetike e Europës varet nga bashkëpunimi me Turqinë rreth tranzitit të naftës dhe gazit natyror nga Azia Qendrore si dhe Lindja e Mesme. Na kemi nevojë për njëri-tjetrin edhe në aspektin politik. Fqinjët e Turqisë janë fqinjët tanë; problemet e saj janë problemet tona. Avantazhet strategjike që do t’i kishte BE-ja në rast të anëtarësimit të Turqisë janë të shumta, duke filluar nga raportet midis BE-së dhe NATO-s, një organizatë në të cilën Turqia është anëtare qëmoti.
Ngjashëm, përfshirja e BE-së në problemet e sotme në rajonin e Mesdheut do të ishte shumë më efektive po të kishte bashkëpunim me Turqinë. Në Bosnjë, bashkëpunimi BE-Turqi ka rëndësi fundamentale në arritjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme.
Më 1999-n, Turqia nuk deshi të bëhej kandidate për anëtarësim, për shkak se liderët e saj mendonin se kushtet do të ishin të vështira. Unë isha atje; bisedova me kryeministrin Bulent Ecevit në mesnatë dhe me presidentin Suleiman Demirel. Dy ditë më vonë, Ecevit shkoi në Helsinki për ta deklaruar formalisht dëshirën e Turqisë për t’u bërë anëtare e BE-së. Dhe ne thamë: Turqia do të bëhej anëtare e BE-së. E mbështeta nënshkrimin e atij dokumenti, gjë që do ta bëja edhe sot.
Në këto kohë, të vështira dhe të paparashikueshme, mirëpo përplot me shpresë, bota ka nevojë që Turqia dhe BE-ja të punojnë së bashku. Kjo nuk nënkupton takime të vazhdueshme për secilin problem, mirëpo nënkupton diçka më të thellë dhe të definuar mirë. Nënkupton anëtarësimin e Turqisë në BE. Ajo është ëndrra ime dhe do ta vazhdoj luftën për ta bërë realitet.

© Panorama.al

Te lidhura