Riarrestohet biznesmeni i naftës

Aug 24, 2011 | 12:46

Gjykata e Apelit në Tiranë rikthen në burg biznesmenin e naftës Iljas Fisheku, i arrestuar muaj më parë gjatë aksionit që ndaloi të dyshuarit për kontrabandën e naftës “Virgine”.

Në datën 10 gusht 2011, gjyqtari i Apelit, Gjin Gjoni, si kryesues i një trupe ku bënin pjesë edhe dy toga të zeza, ka vendosur rikthimin e masës së sigurisë “arrest me burg” për Iljas Fishekun, i cili ishte lënë në arrest shtëpie nga Gjykata e Shkallës së Parë. Apeli ka theksuar se masa e sigurisë e vendosur nga Shkalla e Parë ka qenë e gabuar, ndaj duhej rikthyer masa e sigurimit personal “arrest me burg”. Më 22 korrik 2011, Iljas Fisheku ishte liruar nga arresti me një vendim të gjykatës së Tiranës. Gjyqtarja Blerina Muça në Gjykatën e Faktit në Tiranë firmosi më 22 korrik 2011 lirimin e Iljas Fishekut, duke u bazuar në kërkesën e avokatit të të pandehurit për revokim të masës së sigurisë për arsye shëndetësore. Gjykata e Tiranës pranoi ndryshimin e masës së sigurisë për Iljas Fishekun, bazuar në një raport të Mjekësisë Ligjore, ku thuhej se jeta e Iljaz Fishekut rrezikohej, nëse ai do të vazhdonte të qëndronte në burg për masën e arrestit pa afat që ishte vendosur ndaj tij. Mjekësia Ligjore kishte bërë një ekspertim dhe më tej kishte pretenduar se Iljas Fisheku ishte me probleme shëndetësore, të cilat rëndoheshin në qeli. Pas pesë muajve në paraburgim, Fisheku u lirua, ndërsa më 10 gusht gjykata e Apelit në Tiranë ka vendosur rikthimin e masës së arrestit me burg ndaj tij. Po atë ditë, policia e Tiranës ka shkuar në banesën e biznesmenit dhe e ka vënë në pranga atë, duke e rikthyer kështu në qeli pas më pak se 20 ditësh, nga lirimi me vendim të gjykatës së kryeqytetit. Urdhri i gjykatës së Apelit të Tiranës ka ardhur pasi Njësia Task Forcë Antikorrupsion në prokurorinë e Tiranës apeloi vendimin e dhënë nga gjykata e Shkallës së Parë për lirimin e biznesmenit. Iljas Fisheku, bashkë me dhjetë persona të tjerë, u arrestuan nga policia me urdhër të prokurorisë, për çështjen e kontrabandës së naftës “Virgine”. Ndaj tij u ngritën akuzat për “mashtrim” dhe “pastrim të produkteve të ardhura nga vepra penale”, si dhe falsifikim dokumentesh. Iljas Fisheku, përmes kompanisë së tij “Fisheku”, në bashkëpunim me kompaninë tjetër “Euroil” janë akuzuar se kanë përfituar rimbursim të TVSH-së, në mënyrë të padrejtë, pasi kanë falsifikuar dokumente, duke pasqyruar një sasi të konsiderueshme nafte “Virgin” si të eksportuar në mënyrë fiktive dhe duke e shitur këtë sasi në tregun e brendshëm. Nafta deklarohej sikur dërgohej për përpunim dhe më pas kthehej e hynte në Shqipëri në një kohë që shitej e papërpunuar, ashtu siç ishte marrë nga depozitat në Ballsh. Aktiviteti në fjalë dyshohet se është kryer nga dy kompanitë, Fisheku dhe Euroil, gjatë viteve 2007-2009

Nafta “Virgin”, 11 arrestime

Në mars të këtij viti, njësia Task Force Antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës urdhëroi arrestimin e 11 personave, me akuzën se kishin plotësuar dokumente false sikur e kishin dërguar jashtë vendit naftën “Virgine” për përpunim, por që në fakt e kishin rihedhur atë në tregun e brendshëm në Shqipëri. Gjykatat liruan më pas shumicën e të pandehurve, por Apeli riktheu në burg dy biznesmenët pronarë të kompanive që qarkulluan naftën.

TRAZHGIM SOKOLAJ

 

© Panorama.al

Te lidhura