Kros: Ka nevojë për ndryshim, jam i pakënaqur me planet e trajnerit. Në fushë priten Shyrle dhe Rojs.
Tekniku: Pa dyshim, ndaj danezëve do të ketë vend për ndryshim.
Dy ndeshje, dy fitore! Bilanci i deritanishëm i Gjermanisë është më i miri në këtë Europian. Në të ashtuquajturin grupin “e ferrit” nënkampionët e Europës kanë likuiduar si Portugalinë dhe Holandën, ku vetëm një barazim u duhet për të prerë biletën në çerekfinale. Futbolli gjerman pas 16 vitesh pritet të “pushtojë” Europën për të katërtën herë, ku trajneri Joakim Lëv është në pritje të trofeut të parë në periudhën e tij 6-vjeçare në krye të “pancerave”. Duke mësuar shumë nga “Euro 2008” dhe Botërori 2010, trajneri gjerman në Europianin e 11-të pjesëmarrës të Gjermanisë i ka besuar boshtit bavarez, Lahm & Co. Por, strategjia e Lëvit është kritikuar nga mediat gjermane dhe vetë lojtarët e stolit. Deri tani ai ka luajtur me të njëjtin formacion duke përhapur panik në stol.
Kritikat – Nga tetë lojtarët e Bajernit, Lëv aktivizoi shtatë titullarë, ku vetëm Kros u ul në stol, ndërsa nga pesë të Dortmundit, vetëm Humels u bë pjesë e formacionit. Duke qenë se trajneri Lëv i është kundërpërgjigjur me rezultat dhe me të drejtë u ka besuar bavarezëve, mediat gjermane kanë polemizuar faktin që Lëv ka mbajtur statik formacionin, duke lënë në stol yje të futbollit gjerman, si Shyrrle, Rojs, Gëce, Hëvendes dhe Kros. “Mos ndoshta Lëv po gabon dhe po harron luksin, duke përdorur ata vetëm në rast rreziku?”, – shkruan “Bild”.
Kros – Sinjalet e para mbërrijnë nga Toni Kros, i cili shprehet i pakënaqur. “Ne kemi fituar dy herë dhe nuk më duket se po zhvillojmë ndonjë futboll të jashtëzakonshëm. Mendoj se ka ende vend për ndryshim. Jam i pakënaqur me planet e trajnerit, pasi ndaj Holandës kishim mundësi të luanim edhe më mirë”, – kritikoi Kros. Por, në prag të ndeshjes kundër Danimarkës, Joakim Lëv ndryshe nga ndeshja ndaj Holandës, kur premtoi ndryshime, pohon me bindje të plotë që do t’i japë ngjyrime të tjera skuadrës. Përveç rrotacionit në mbrojtje, ku prioritet i jepet Benderit si mbrojtës i djathtë, në stol pritet të ulet Podolski, Shvajni dhe Myler, të cilët do zëvendësohen nga Shyrrle, Kros dhe Rojs.
Premtimi – “Jam besnik i surprizave. Në mbrojtje kemi tri alternativa, por duhet parë kundërshtari pasi luajnë fort në mbrojtje. Në këtë mënyrë do të kemi mundësi të forcojmë më shumë ofensivën. Për ne ndeshja e tretë është shumë e rëndësishme, jo vetëm për të siguruar çerekfinalen, por edhe për të kapur rekordin europian, pasi as në 1980 dhe 1996 nuk i kemi fituar të tria ndeshjet në grup”, – deklaroi Joakim Lëv.
Van Nistelroi: Mos u zini besë gjermanëve!
Rud Van Nistelroi ka ende zemërim kur flet për Holandën. Bomberi “tulipan” dha gjithçka për të veshur për të fundit herë fanellën portokalli, por Van Marvijk nuk ia dha këtë shans. Sulmuesi 35-vjeçar, i cili i dha fund karrierës këtë verë, e sheh të pamundur kualifikimin e skuadrës së tij kombëtare në çerekfinale. “Po ju a besoni me të vërtetë në sinqeritetin e Gomezit? Ai shënoi dy herë në portën e Holandës dhe festoi në mënyrë të çuditshme përpara tifozëve tanë. Mua m’u duk si provokim. Ishte njëlloj sikur të thoshte: ‘shikoni, unë ju shënova një gol, tani do t’ju bëj edhe një tjetër’. Mund ta kishte kursyer një batutë të tillë. Ndërsa Mylerin nuk do të doja ta shikoja në dhomën time të zhveshjes pas një humbjeje. Çfarë është kjo hipokrizi? Do t’i thosha të shkonte menjëherë në dhomën e tij”, – u shpreh me tone të ashpra ish-sulmuesi i Hamburgut.
LEONARD KARAJ
© Panorama.al











