“Droga jam”, një ide e guximshme për ta parë realitetin ashtu siç është.
Kanë mbaruar xhirimet e klipit “Droga jam” dhe publiku që pëlqen këngëtaren Rezarta Skurta, po pret të shohë se çfarë risie do sjellë ajo në këtë klip. Ashtu siç të gjithë e dimë, Rezarta ka një pasion të veçantë për të realizuar performanca të veçanta dhe origjinale në skenë, ndërkohë që merret vetë me çdo detaj të realizimit të klipeve, që nga momenti kur ai nis të ideohet. Kënga “Droga jam” është gati e panjohur për publikun tonë, pasi këngëtarja e ka kënduar atë vetëm një herë,, gjatë xhirimeve të netëve të Vitit të Ri në një nga ekranet kosovare. Ndërkohë ka preferuar që edhe xhirimet e klipit t’i bëjë në Kosovë. Për të gjithë kuriozët që duan të mësojnë paraprakisht se çfarë ka sjellë Rezarta në atë klip, ne e pyetëm për disa detaje dhe qysh tani mund të krijojmë një ide se çfarë do të shohim. Mesazhi që kënga përcjell: secili nga ne është edhe i mirë edhe i keq, po varet se çfarë ai ose ajo transmeton tek njerëzit. Në rastin e klipit, “Rezarta e mirë” “pushtohet nga “Rezarta e keqe”, e cila kërkon terrenin e saj për ekzistencë.
Kjo e fundit është arrogante me njerëzit dhe kërkon që gjithçka ta bëjë sipas mënyrës së saj. Në këtë rast merr kuptim edhe titulli i këngës “Si droga jam”, një kompozim i Darko Dimitrov.
Pra, problemi është nëse ne krijojmë varësi nga kjo pjesë e keqe, ashtu si ata që janë të varur nga droga. Në këtë klip, këngëtarja shfaqet me një veshje të zezë shumë seksi, teksa këndon me një bandë të sajën në skenë. Mbyllja e klipit do të jetë tejet artistike, ndërsa trupi i këngëtares do të shpërbëhet në qindra sorra të zeza, duke dhënë idenë se e keqja mund të fitojë mbi të mirën, por jo përgjithmonë.











