
Gjatë kohës kur kam punuar në Komisariatin Nr.1, po patrulloja me makinën e policisë. Ndaluam dy persona që nuk kishin mjete identifikuese me vete dhe pasi u bëmë thirrje të ndalonin, ata ikën me vrap, duke marrë drejtime të ndryshme. Unë isha bashkë me një koleg, dhe natyrisht që secili u vu në ndjekje të njërit prej tyre.
Nga fuqia e muskujve dhe përgatitja fizike mund të matet edhe me meshkujt. Tanimë, prej disa muajsh si pjesë e forcave speciale RENEA dhe si e vetmja femër shqiptare që kalon testet e kualifikimit për t’u renditur përkrah kolegëve meshkuj, vlonjatja Rezarta Hoxhaj duket se ka sfiduar jo vetëm veten, por edhe shumë bashkëmoshatare të sajat. Si çdo fillim i ri që ngjan me një proces të gjatë përshtatjeje, edhe për të nuk ka qenë aspak e lehtë. Përgatitjet fizike, psikologjike dhe ato të detajuara për qitje ishin vetëm njëra anë e medaljes, megjithëse skeptikët përreth saj gati ia “morën frymën”. Ajo, basketbollistja 30- vjeçare tregon edhe për lidhjen e vjetër me këtë lloj sporti, që duket se të përbashkët me policinë ka disiplinën, përgatitjen fizike dhe punën në grup…
Ju jeni e vetmja femër shqiptare që renditeni përkrah forcave speciale RENEA. Ç’ju shtyu drejt kësaj zgjedhjeje që besoj ka ndryshuar jetën tuaj?
Prej pesë vitesh jam punonjëse e Policisë së Shtetit. Fillimisht kam qenë punonjëse e patrullës së Përgjithshme në Komisariatin Nr.1 në Tiranë dhe më pas jam ngarkuar me detyrë në Repartin e Sigurisë së Brendshme dhe Ceremonialit. Një prej arsyeve që konkurrova te RENEA, është fakti se unë jam natyrë kërkuese, më pëlqejnë sfidat. Ndaj dhe pjesëmarrjen time në repartin RENEA përkrah efektivëve të tjerë e konsiderova mirëfilli si një sfidë për një femër shqiptare, që bëhet pjesë e forcave speciale.
T’u desh të konkurroje, apo jo?
Sigurisht që po! Mësova për nisjen e një procesi pranimi të punonjësve të rinj në strukturat e RENEA-s dhe aplikova. Njëherësh, nisa përgatitjen fizike, psikologjike dhe përgatitjen për qitje. Të gjitha këto elemente ishin të rëndësishme, në rast pranimi tek RENEA. Pasi kreva testimet dhe kalova të gjithë fazat me sukses, u shpalla fituese. Në këtë testim fituan vetëm katër persona, tri meshkuj dhe unë.
Ç’do të thotë për ju të qenët e vetmja femër shqiptare, si pjesë e strukturave speciale të RENEA-s?

Fillimi sigurisht që ka vështirësitë e veta, të pranueshme për sa kohë që është një sfidë e re. Nuk pata ngurrim tek vetja, më shumë sesa njerëz skeptikë përreth meje, që dyshonin se unë, një femër, mund ta bëja këtë detyrë të vështirë, e cila u përkiste meshkujve. Pikërisht, kjo më motivoi për të punuar më fort, për t’u trajnuar më shumë se kolegët e mi, dhe për të provuar të kundërtën, se unë vërtet mund t’ia dilja mbanë, edhe pse isha femër.
E vetme, mes meshkujsh… si ndiheni?
Pikë së pari unë ndihem e plotësuar me punën që bëj. Ambienti përreth, i cili dominohet nga meshkujt, nuk ma vështirëson aspak punën, sepse unë ndihem e barabartë me ta. Por, nëse e shoh këtë në këndvështrimin e gjinisë, në shumë raste ndihem e privilegjuar që punoj mes tyre.
A të ka ndodhur që të matesh për nga parametrat fizikë me meshkujt?
Jo, pasi profesionet nuk janë të ndara apo të destinuara vetëm për femra dhe vetëm për meshkuj. Unë ndihem e barabartë dhe e mbushur me përgjegjësi, njësoj si dhe kolegët e mi përballë çdo përgjegjësie që më ngarkohet, apo situate të vështirë në të cilën mund të gjendem. Rasti im vërtet duket i veçantë, por mund të shërbejë si shembull për femrat e tjera në polici, që kanë qëllim dhe synime për të qenë pjesë e forcave speciale.
Çfarë i duhet një femre për t’u renditur përkrah forcave speciale të RENEA-s?
Duhet të ketë përgatitje të lartë fizike dhe psikologjike. Të jetë e motivuar për të bërë një punë që mbart goxha rrezik, si dhe të ketë aftësi të punës në grup. Është një lloj pune që jo të gjitha femrat mund ta mbajnë mbi supe. Sepse rrezikshmëria është në çdo kohë pranë teje. Megjithatë mua më pëlqen shumë profesioni im, i cili është tejet human. Kam të bëj drejtpërsëdrejti me njeriun. Me jetën, lirinë dhe të drejtat e tij. Detyra ime është të krijoj siguri dhe qetësi. Kështu ndihem më e sigurt dhe e qetë me veten.
A kishe pengesa nga familja në vendimin që more?
Nga familja kam pasur mbështetjen e tyre maksimale. Mamaja më ka porositur që të “ruaj veten”, sepse është një punë me mjaft rrezik, ndërsa babai, i cili para pak kohësh ndërroi jetë, nuk mundi të më shihte në këtë pozicion pune, të cilin e kishte fort për zemër. Pikërisht humbja e babait ishte një shtysë më e madhe që të këmbëngulja për të bërë realitet ëndrrën time.
Ç’ndjesi të krijon përdorimi i armës?
Sigurisht që çdo fillim është proces përshtatjeje. Dhe me gjithë vështirësitë, ka edhe pjesën e interesit për të mësuar gjëra të reja në mënyrë profesionale. Emocionet gjatë stërvitjes apo punës në terren kanë qenë të shumta. Në veprimet e ligjshme për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, punonjësi i Policisë përdor si mjet ekstrem armën e zjarrit. Tanimë besoj se ato emocione, të dridhurat e duarve, kanë kaluar për t’ia lënë vendin profesionalizmit dhe nevojës për të bërë siç duhet punën time.
Duke iu referuar edhe përvojës sate në Policinë e Shtetit, cilin aksion kujton si më të veçantin?
Gjatë kohës kur kam punuar në Komisariatin Nr.1, po patrulloja me makinën e policisë. Ndaluam dy persona që nuk kishin mjete identifikuese me vete dhe, pasi u bëmë thirrje të ndalonin, ata ikën me vrap, duke marrë drejtime të ndryshme. Unë isha bashkë me një koleg, dhe natyrisht që secili u vu në ndjekje të njërit prej tyre. Fillova të vrapoja, por sikur ndjeva që takat e këpucëve po më pengonin. I hoqa, i mora në dorë dhe deri në momentin e kapjes së personit nuk ndalova. Pasi i kapëm personat e ndaluar dhe i dërguam në komisariat, u ndjeva e lehtësuar që neutralizuam individët dhe detyrën e realizuam me sukses.
Përveç përfshirjes në radhët e Policisë shqiptare, ti ke edhe një lidhje të fortë me basketbollin, pikërisht me ekipin e Flamurtarit dhe atë kombëtar…
Me basketbollin jam rritur dhe besoj se është një nga zgjedhjet më të mira që kam bërë në jetë, sikundër është përfshirja në radhët e Policisë. Po të mos ishte për përgatitjen time fizike në basketboll, për ushtrimet e shumta, mbase do e kisha më të vështirë të përmbushja parametrat fizikë që kërkohen nga forcat speciale RENEA. Sporti dhe policia kanë të përbashkëta si disiplinën, stërvitjen dhe punën në grup.
Beson se puna jote do të kish qenë më komode, nëse do zgjidhje një profesion të një natyre tjetër?
Mund të kishte qenë më komode, por nuk do të më jepte këtë kënaqësi dhe këto sfida që unë kërkoj të përballem. Kjo jam unë dhe, si e tillë, nuk kam kërkuar kurrë të kundërtën. Deri më sot, kërkesat ndaj vetes i kam realizuar dhe RENEA ka qenë synimi i kahershëm, të cilin e kam përmbushur, dhe ndihem vërtet mirë.
ERMIRA ISUFAJ
© Panorama.al











