Rezart Taçi interesohet për Vllazninë

Aug 22, 2011 | 11:37

Pas largimit të biznesmenit Valter Fushaj, janë të shumtë emrat që po qarkullojnë këto ditë si financues të mundshëm të Vllaznisë. Së fundmi, ka dalë në skenë emri i biznesmenit të njohur Rezart Taçi. Lajmi konfirmohet nga burime konfidenciale pranë Bashkisë Shkodër. Edhe pse nuk ka diçka zyrtare, mësohet se Taçi është një nga kandidatët potencialë për të financuar Vllazninë. Ai njihet si një sportdashës, ku në të shkuarën është interesuar edhe për të blerë klubin e Bolonjës. Ndërkohë, kompania e tij ka sjellë në Shqipëri klube si Milani apo Reali i Madridit. Në ambientin shkodran, afrimi i Rezart Taçit shihet si diçka tepër pozitive, për vetë potencialin financiar që pritet të investojë ai për ekipin. Gjithsesi, mësohet se biznesmeni i ka bërë të ditur krerëve të bashkisë së Shkodrës, që kërkon të ketë pjesën më të madhe të aksioneve.
Bashkia
Drejtuesit e Bashkisë Shkodër, e pikërisht nënkryetari i saj, Ritvan Troshani, ka pohuar se kanë filluar të afrohen emrat e parë që mund të jenë pjesë e shoqërisë aksionere të klubit të futbollit “Vllaznia”. Pavarësisht se nuk i bën publikë emrat e tyre, Troshani ka theksuar faktin se bashkia ka gjetur tashmë të gjithë format e duhura që ky ekip të jetë elitar, ashtu siç edhe e kërkon një qytet i tërë. “Vëmë re një interesim të madh të bizneseve për të sponsorizuar  kuqeblutë. Janë duke u kristalizuar marrëdhëniet që do të kenë ata me klubin dhe përmes të tjerave do t’u jepet garancia, që çdo investim i tyre në këtë periudhë kohore do të njihet”, është shprehur numri dy i Bashkisë Shkodër.

© Panorama.al

Te lidhura