ILIR KALEMAJ
Revolucioni i dëborës” në Rusi, siç ka nisur të cilësohet së fundi, të shtyn në ngasje ta shohësh në një pikëpamje më të gjerë rolin dhe efektet që ka prodhuar ose pritet të prodhojë si në kaleidoskopin politik të vetë vendit, ashtu dhe efektet në gjeopolitikën ndërkombëtare. Pas një sërë revolucionesh, paqësore, civile, apo të dhunshme, që përfshinë si valë të parë vendet e ish-Bashkimit Sovjetik, kishim së fundi dhe revolucionet në vendet arabe, që kulmuan me ndryshim regjimi, por edhe sistemi politik në disa raste. Tek-tuk kemi dhe raste ende në proces, ku më i rëndësishmi është ai i Sirisë, ku natyrisht, binomi ruso-kinez, me theks të veçantë te interesat ruse për të mbrojtur, dominon e fundit në rajon. Rezultatet që kanë prodhuar këto revolucione pop-masive, që si të iniciuara nga poshtë, si të inxhinieruara apo instrumentalizuara nga sipër, në çdo rast kanë pasur nevojë për legjitimitetin e njohjes ndërkombëtare të regjimit pasues apo qoftë dhe në fazat e para, ku ndihma nga jashtë ka qenë vendimtare për ndryshimin.
Mjaft të kujtojmë këtu revolucionin “portokalli” në Ukrainë, që solli një president të papërgjegjshëm në pushtet si Jushçenko, i cili i mundësoi ardhjen në pushtet paraardhësit të tij filorus duke bërë të mundur dhe burgosjen e opozitares kryesore, ish-kryeministres Julia Timoshenko në një lojë pushteti aspak të fisme. Si dhe dështoi në çdolloj reforme strukturore, duke filluar nga (ri)privatizimet e munguara deri te thithja e elementit të ri. Ndërsa homologu i tij gjeorgjian, Saakshvilli, arriti që nëpërmjet revolucionit të ngjashëm “rozë” në Gjeorgji, të zëvendësonte burokratët e vjetër ish-komunistë, të cilët pengonin çdo lloj reforme, me një frymë të re, të marrë përsipër nga të shkolluar në Perëndim dhe duke i dhënë vendit të vet bazat fillestare drejt konsolidimit të një demokracie rishtare në rajon. Për shkak të frymës reformatore, por edhe për shkak të perceptimit nga Moska si një aleat filoperëndimor që izolonte këtë të fundit, e parë edhe në një rrafsh më të gjerë, si një kordon strategjik që po i vihej Rusisë si lak në fyt, Putini arriti që nëpërmjet një lëvizjeje strategjike të kufizonte ndikimin gjeorgjian dhe ta kufizonte këtë të fundit, ndërkohë që ndihmoi në mënyrë aktive për rindryshimin e regjimit në Ukrainë dhe rikthimin e Junakoviçit në pushtet. Ndërkohë që forcoi rolin dhe ndikimin rus në vendet e Azisë Qendrore dhe nëpërmjet paktit taktik me Kinën dhe investimeve strategjike në vende si Irani, të arrinte të rriste peshën specifike të Rusisë në rajon dhe më gjerë.
Natyrisht, rëndësia e Rusisë si një aktor me peshë të konsiderueshme rajonale, por pse jo, edhe me aspirata globale, erdhi si rezultat i një sërë faktorësh. Kombinimi veçanërisht i dobësimit të rolit të oligarkëve si rezultat i taktikave putiniane “përça e sundo”, (ri)shtetëzimit të aseteve industriale, por edhe rritjes së çmimeve të naftës, gazit natyror dhe rezervave të tjera energjetike, të cilat Rusia i ka në masë të konsiderueshme, në tregjet ndërkombëtare, bënë që Rusia e re të pretendonte me të drejtë rolin e superfuqisë që kishte paraardhësja e saj. Mbi të gjitha, si rezultat i ngritjes së konsiderueshme të nivelit të jetesës (nga rreth 1600 dollarë për capita në kohën e Jelcinit, në rreth 11.500 euro aktualisht), legjitimiteti i brendshëm që garantonte stabilitet afatgjatë politik, ishte lehtësisht i siguruar. Por, vala e fundit e “pranverës arabe”, bash në kohën kur situata në hemisferën e ish-Bashkimit Sovjetik ishte në dukje e ristabilizuar nga këndvështrimi i Moskës zyrtare, bëri që vala e saj tronditëse të kapërcente muret e heshtura të Kremlinit dhe të frynte një fllad pranveror në dimrin e acartë rus. Orteku që nisi në Tunizi dhe u rrokullis papritmas në Egjipt, Jemen, Bahrein dhe Libi, duket se ka ndaluar së fundi në Siri, ku po kërkohet një finale e njëjtë me atë të Libisë apo Egjiptit.
Për shumë arsye, Bashar al-Assad ndjehet konfident në qëndrimin e tij kokëfortë dhe despotik. Faktorët e brendshëm që ia shtojnë këtë siguri, janë memoria kolektive e masakrës në Hama më 1982-shin, ku shtypja gjenocidale që bëri i ati Hafiz, bënë që të ndjehet ende terrori në masë për cilindo që do të guxojë të ngrejë krye ndaj kastës aktuale. Gjithashtu, i mbështetur nga një sekt i vogël dhe minorancë në krahasim me numrin e grupeve të tjera etnike dhe religjioze në vend, al-Assadi sheh si të vetmen rrugë mbajtjen e pushtetit me çdo kusht. Së treti, duke qenë se e ka tejkaluar fazën e lënies së pushtetit në mënyrë vullnetare, i shmanget një fati të njëjtë me atë të sivëllezërve të vet siamezë, Mubarakut apo akoma më keq, Gedafit. Ndërsa nga këndvështrimi i faktorëve të jashtëm, përçarja e tyre, e reflektuar veçanërisht në Këshillin e Sigurimit nga skizma ruso-kineze, së bashku me garancitë personale të Moskës zyrtare, për shkak të interesave politiko-strategjike, kombinuar me faktorët gjeofizikë, i japin situatës një pozicionim të ngurtë, me pak shpresë për një zgjidhje të shpejtë apo ndryshim regjimi. Kjo, pavarësisht trysnisë nga vendet arabe, presionit të Turqisë dhe sanksioneve të aleatëve perëndimorë. Ky fare mirë mund të quhet dhe “revolucion i ngrirë” në rast se nuk do të ketë lëvizje nga pozicioni i ngurtë i Rusisë, veçse nëse kjo e fundit kushtëzohet nga zhvillimet e brendshme apo i ofrohet në transaksion diçka tjetër.
Një situatë tjetër, ajo iraniane, mund të përkufizohet si “revolucioni i pafilluar” apo “revolucioni i ngecur” për shkak se ndërhyrja e ndërkombëtarëve atje, veçanërisht aleatëve perëndimorë, është kufizuar veçanërisht në sanksionimin e regjimit ekzistues, sesa në prodhimin e ndryshimit nga brenda, duke stimuluar lëvizjet poshtë-lart si gjetiu. Sa më shumë është rritur presioni i jashtëm, aq më e unifikuar dhe solide është bërë elita e brendshme konservatore, e cila nëpërmjet etiketimit të “tjetrit” liberal dhe persekutimit të kundërshtarëve politikë, njëkohësisht që e vë gishtin te sanksionet e Perëndimit si fajtori kryesor për gjendjen jo të mirë ekonomike, ka arritur të ruajë legjitimitetin e brendshëm, duke bërë të pamundur hëpërhë shkëndijën e fillimit të një revolucioni që do të ndryshojë status quo-në e atjeshme. Kombinimi i “fuqisë së butë”, shpërhapjes së informacionit, bashkë me teknologjinë që e mundëson këtë, për të bërë të mundur njohjen e mënyrës së jetesës, lirive dhe të drejtave të individit në vendet me regjime despotike, diktatoriale, apo hibride, do të ishte mjeti më i shpejtë, më pak i kushtueshëm dhe më rezultativ në sendërtimin e demokracisë, njëkohësisht me rritjen e mirëqenies për secilin nga këto vende.











