
TIRANE- Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama ka mbledhur sot komisionin e emergjencave në PS nisur nga situata e krijuar ditët e fundit në Shqipëri nga reshjet e vazhdueshme të dëborës.
Komisioni ra dakord për hartimin e një plani solidariteti si dhe për një riorganizim transparent dhe një informim në kohë reale për operacionet e ndihmës. U ndanë grupet e punës dhe u hartuan disa masa paraprake në ndihmë të banorëve.
Për të realizuar këtë, kreu socialist tha se, duhet një bashkëpunim real me të gjitha strukturat e pushtetit vendor pa dallime partiake, duke vënë theksin tek mungesa e një plani nga ana e qeverisë për të përballuar krizën energjetike.
Opozita shqiptare është e gatshme të japë kontributin e saj në lidhje me këtë,- tha Rama duke shtuar se Partia Socialiste ka mobilizuar forcat dhe mbështetur përfaqësuesit e saj vendorë në ato zona, së bashku me deputetët e Kukësit, të Dibrës, të Shkodrës dhe të Librazhdit
Sipas kryesocialisti, arsyet pse duhet një solidarizim pa dallim partiak janë; varfëria, mungesa e ndihmës ekonomike, vonesat e pensioneve dhe pagave vonesat e ndihmës sociale, invalidët,gratë dhe fëmijët e pambrojtur e të lënë nën mëshirën e fatit, të cilët sipas tij, nuk kërkojnë një angazhim propagandistik, por një vullnet për të bashkëpunuar.
© Panorama.al











