Reporterët pa Kufij:Kthimi i Kodit,vendim pozitiv

May 10, 2012 | 10:11

Reporterët pa Kufij kanë përshëndetur kthimin në Kuvend të Kodit të ri Penal të Kosovës nga ana e presidentes Atifete Jahjaga, e cila ka kërkuar rishqyrtimin e neneve që kërcënojnë lirinë e shtypit.

“Ne përshëndesim këtë vendim nga presidentja, e cila ka treguar se është e vëmendshme ndaj shqetësimeve të gazetarëve vendas dhe komunitetit ndërkombëtar,”  ka thënë organizata për lirinë e shtypit.

Sipas saj, implikimet e rrezikshme të ligjit në formën e tanishme më në fund janë pranuar nga niveli më i lartë.

“Është jetike që gazetarët të gëzojnë mbrojtje ligjore dhe të mos jenë subjekt i i dënimeve penale pse po e kryejnë punën e tyre. Presidentja duhet të ndjekë të gjitha mjetet brenda mandatit të saj për të mbrojtur organizatat mediatike nga presionet ligjore, që nuk bëjnë gjë tjetër, pos që forocojnë vetë-censurën”, ka vlerësuar grupi Reporterët pa Kufij.

Dy nenet e kontestueshme nga asociacionet vendore dhe ndërkombëtare të mediave, neni 37 dhe 38, janë cilësuar si “përpjekje për të heshtur gazetarinë hulumtuese”.

Nenet në fjalë kanë të bëjnë me sanksionimin e shpifjes dhe zbulimin e burimit të informacionit në rastet kur bëhet fjalë për procedime kriminale.

© Panorama.al

Te lidhura