Pesëdhjetë e një vjet më parë (janar 1974), çështja e origjinës krahinore të Kastriotëve u bë objekt i një studimi të veçantë të profesor Kristo Frashërit, i cili për herë të parë trajton shkencërisht edhe çështjen e vendit ku lindi Skënderbeu. Në artikullin e tij me titull “Nga ishin Kastriotët? Ku lindi Skënderbeu?”, ai shtroi për diskutim dhe ballafaqim të gjitha burimet arkivore dhe letrare, të cilave u shtoi edhe të dhënat toponimike që mblodhi në terren. Nga analiza e këtyre të dhënave, profesor Frashëri del në përfundimin se, me emrin Has, kronika raguziane e Lukarit dhe koleksioni boshnjak i Fermenxhinit, nuk kanë pasur parasysh krahinën e sotme të Kukësit, pasi kjo krahinë, deri në fund të shek. XVI quhej Pashtrik. Ata, sipas Profesor Frashërit, kanë pasur parasysh një nga krahinat e rrethit të Dibrës, qendra e së cilës është Çidhna, e masakruar barbarisht nga Sulltan Mehmeti II më 1466, në gjirin e së cilës ndodhen fshatrat Kastriot, Sinë dhe Gardhi i Poshtëm, që lidhen historikisht me familjen e Skënderbeut.
“KASTRIOTI N’FESTË”
Artisti Xhevat Limani e riktheu në vendlindje Heroin tonë Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, duke performuar me mjeshtri të rrallë artistike rolin e tij. Falë interpretimit të tij virtuoz, kjo festë e ideuar nga djali patriot i Kastriotit Rustem Laçi dhe e organizuar përsosmërisht nga mjeshtri i moderimit të eventeve të tilla, gazetari i mirënjohur Defrim Methasani mori tjetër madhështi. Kësisoj, Kastrioti ishte bërë gati dhe priti që në mëngjesin e 25 gushtit, bijtë dhe bijat e tij, si dhe mjaft miq nga të gjitha trojet shqiptare. Shkolla “Gjergj Kastrioti” ishte vendi i përzgjedhur, aty ku si zogjtë e shqipes erdhën qindra apo mijëra njerëz, jo vetëm banorë vendas të fshatrave të kësaj krahine: Limnjani, Vranjti, Deshati, Borovjani, Sohodolli, Brest i Epërm, Brest i Poshtëm, Kastrioti, Kandrri, Kishaveci, Kuke, Përgjegje dhe Vakufi, por edhe bijtë emigrantë të tyre, brenda dhe jashtë vendit, për të ndjekur spektaklin “Kastrioti n’festë”.
BEFASIA E ARTISTIT
Xhevat Limani, mjeshtër i interpretimit në artin skenik, që e ka interpretuar figurën e Heroit tonë Kombëtar në skenat më famoze botërore, këtu në Kastriotin, vendorigjinën e tij vjen edhe më madhështor. Ndaj nuk është rastësi që të rrethohet nga qindra e qindra pjesëmarrës kur ai vjen si Skënderbeu, veshur me uniformën e tij (të impovizuar mjaftë bukur). Secili në radhë për të bërë foton e çastit me “Skënderbeun e kohëve moderne”. Për artistin famoz, festa e Kastriotit ishte një mrekulli.
Ai që ka luajtur në rreth 100 premiera teatrore dhe ka prezantuar artin shqiptar nëpër botë, këtu në Kastriot është pritur me ovacione nga publiku dhe me vlerësime kulminante nga moderator i eventit, ikona e gazetarisë sportive dhe dokumentarit televiziv, biri i kësaj treve, Defrim Methasani. Kjo edhe për faktin se Xhevat Limani ka udhëtuar mijëra kilometra për të qenë i pranishëm në këtë festë madhështore. Ai, që artin e tij ia dedikon miqve të shumtë kudo në hapësirën mbarëshqiptare në botë, edhe këtu në Kastriot, teksa interpreton mjeshtërisht të Madhin Skënderbe duket se ka ardhur si misionari i njeriut që përçon tek publiku fisnikërinë e shpirtit. Xhevat Limani nuk e fsheh krenarinë që po luan rolin e Skënderbeut në vendin e të parëve të tij.
Këtu ai e ndjen edhe më shumë madhështinë e dekorimit nga Presidenti i Republikës me “Urdhrin e Kalorësit të Skënderbeut”. Edhe pse ka luajtur shumë role të ndryshme, duke përfshirë 19 mbretër, aktori Xhevat Limani, rolin e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot – Skënderbeu e konsideron si një sfidë unike për karrierën e tij. Pikërisht, këtu në Kastriotin e Kastriotëve ku pritet më hareshëm se kurrë nga qindra bijë e bija të kësaj treve lavdiplote, ai e konsideron rolin e Skënderbeut më shumë se një sfidë aktoriale, si një detyrë që e kryen me një përkushtim të veçantë. Ndaj dhe ideuesi e organizatori i kësaj feste madhështore, biri i Sohodollit të Kastriotit, Defrim Methasani e konsideron Xhevat Limanin mik të veçantë.
PASAPORTA ARTISTIKE
Defrim Methasani, moderoi aktivitetin artistik. Kështu, Haxhi Maqellara, vjen si ikonë e këngës qytetare dhe “pushton” zemrat e artdashësve që ndoqën spektaklin “Kastrioti n’festë” me vargjet e këngës së tij hit: “Në çdo vend të botës/ unë kudo që shkoj/ emrin tand moj Dibra nanë/jo kurrë s’e harroj”.
Mijëra pjesëmarrësit që ndoqën me interes të veçantë këtë spektakël disaorësh, shijuan gjithashtu dhe u mahnitën nga zëri magjik i Vera Laçit. E lindur dhe rritur këtu në zemër të Kastriotit, këngëtarja e mirënjohur e muzikës popullore tradicionale, vjen në festën e vendlindjes me zërin e saj karakteristik në interpretimin e një potpuri këngësh dibrane dhe po kështu e mbyll spektaklin me një kolazh këngësh të këtij zhanri. Pikërisht, këtu nga Kastrioti e ka nisur ajo rrugëtimin e saj artistik, dashurinë për folklorin shqiptar, por edhe dëshirën për të vazhduar misionin e ruajtjes të pastër të perlave të vendlindjes së saj. Në zërin e Vera Laçit, repertorin dhe karrierën e saj artistike ka gjurmë terreni artistik dibran ku jo pak artiste femra kanë bërë histori. Këtu ajo erdhi si dritë shkëlqimtare tek sa këndoj live me orkestrantët virtuozë dhe profesionistë Abaz Leka e Leonard Gjoka.
Kështu edhe Liri Rasha (artiste e merituar, e dekoruar me titujt “Mjeshtër i Madh” dhe “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut) ndez atmosferën e kësaj feste me një kolazh këngësh dibrane. Artistja që me zërin brilant e performacën e shkëlqyer artistike ka ngritur peshë zemrat e artdashësve në skenat e mëdha të Parisit, Berlinit, Brukselit, Zyrihut, Stambollit e Nju Jorkut, jo rastësisht ishte edhe tek “Kastrioti n’festë” si “pasaporta artistike” e Dibrës. Liri Rasha u mirëprit dhe u duartrokit ngrohtësisht në Kastriot për origjinalitetin, vokalin e saj unik, zërin e ëmbël, melodioz, me timbër të jashtëzakonshëm, me koloritin më të qartë të këngës dibrane dhe me finesën në interpretim duke ndërtuar kështu një personalitet artistik të paarritshëm. Edhe Dritan Jashari erdhi i tillë në “Kastrioti n’festë”, me fuqinë e mesazhit të këngës “Fluturon shqipja mbi Korab”, me tonalitetin e spikatur, ëmbëlsinë dhe finesën e një zëri unik.
Duartrokitje edhe për vogëlushen Melisa Halili që me talent të rrallë recitoi një poezi me temë sociale të poetit Demir Rusi. Kështu mirëpriten e duartrokitën edhe këngëtarët Bledar Kaca, Ylber Sopoti, Edmond Përnezha, Melisa Manuka, Gjuran Daci, Fatmir Toca e Prena Beci. Më të larmishme e bënë këtë festë edhe virtuozët me kavall Filip Tufa, Agim Pula e Rifat Çupa dhe Xhafer Shini me fyell, si dhe grupi i valltarëve të pallatit të kulturës “Haki Stërmilli” Peshkopi. Përveç duartrokitjeve të pjesëmarrësve ato morën falënderime e mirënjohje edhe nga “Mjeshtri i Madh” Muharrem Gjoka-President i Ansamblit Artistik “Hazis Ndreu” – “Nderi i Kombit”, nga kryetari i Shoqërisë Kulturore Artistike, Dibër e Madhe Miçe Duka-ambasador i paqes, si dhe nga të ftuarit special: Nënkryetari i Lidhjes së Intelektualëve Dibranë Musa Riçku, poeti Demir Rusi, Agron Zerani, Luftim Paci, Neshat Ndreu e Nefir Petriti. Çast emocionant qe edhe vlerësimi me Certifikatë Mirënjohje nga kryetari i Këshillit të Qarkut Dibër, Armand Gjini, i artistes Vera Laçi dhe futbollistit të talentuar kuqezi Qazim Laçi, që ka lindur në Kastriot dhe tashmë shihet si idhulli i të rinjve. Po ashtu edhe dekorimi i Vera Laçit nga Federata e Paqes Universale Shqipëri dhe i Qazimit nga Unioni i Gazetarëve Sportivë. Kësisoj, jehona e “Kastrioti n’festë” i kaloi kufijtë e kësaj krahine për të mbetur si ngjarja më kulmore kulturore e këtij viti në qarkun e Dibrës./ Gazeta Panorama
© Panorama.al












