Renzo Bossi u regjistrua te ‘Kristal’ pa diplomë mature

May 9, 2012 | 15:37

Diploma e Renzo Bossit

Djali i Umberto Bossit, gjendet fotokopja e pasaportës, jo diploma.

Prokuroria sekuestron dosjen e studentit tek universiteti.

Hetimi për pajisjen e djalit të Umberto Bossit me diplomë universiteti në Shqipëri komplikohet edhe më shumë nga sekuestrimi i dokumenteve pranë institucionit arsimor “Kristal”. Prokuroria ka sekuestruar dosjen e studentit në emër të shtetasit Renzo Bossi, nga ku ka rezultuar se universiteti privat disponon disa dokumente, por jo të gjitha shkresat e nevojshme për regjistrimin e shtetasit italian në programin e studimeve. “Nga këqyrja pranë universitetit privat “Kristal” është konstatuar se dosja e studentit me emrin Renzo Bossi, përmban një fotokopje certifikate apo karte identiteti të personit, dy fotografi dhe një kërkesë me shkrim drejtuar universitetit”, thanë burimet e Prokurorisë. Sipas tyre, dosjes në fjalë i mungon diploma e shkollës së mesme, me të cilën sipas ligjit një maturant duhet të regjistrohet në universitet. Po kështu, në dosjen e marrë pranë fakultetit privat në fjalë mungon edhe legalizimi i diplomës italiane të Renzo Bossit, veprim që duhej bërë në Ministrinë shqiptare të Arsimit para regjistrimit të studentit në degën Menaxhim-Biznesi. Të premten e javës që shkoi, Prokuroria e Tiranës bëri verifikimet e saj në regjistrin e shkollës, në listën e notave dhe në amzë. Nga këto verifikime, rezultonte se shtetasi Renzo Bossi, djali i politikanit ekstremist italian Umberto Bossi, kishte frekuentuar rregullisht shkollën në Tiranë. “Është konstatuar se diploma e lëshuar në emër të Renzo Bossit ka numër serie 482 dhe është firmosur në datën 8 korrik 2011”, kanë thënë burimet e Prokurorisë. Sipas tyre, gjendur në këto rrethana, të paktën në dokumente, shkelja e konstatuar deri tani është regjistrimi i shtetasit italian në universitet pa diplomën e shkollës së mesme. Një gjetje e tillë korrespondon edhe me të dhënat e cituara nga mediat italiane, që shkruajnë se në kohën kur rezulton student në Tiranë, djali i Umberto Bossit nuk kishte përfunduar ende provimet e maturës në Itali.
Hetimi në MASH
Ditën e djeshme, të dërguarit e Prokurorisë kanë kryer veprime hetimore në Ministrinë e Arsimit. Sipas burimeve zyrtare nga organi i akuzës, pranë Ministrisë së Arsimit janë kërkuar dje praktikat që kanë të bëjnë me shtetasin Renzo Bossi. Sipas ligjit, para se të regjistrohej në universitetin privat, duhej që shtetasi italian të legalizonte në Shqipëri diplomën e shkollës së mesme. Rezultatet e veprimeve hetimore në Ministrinë e Arsimit nuk janë bërë ende të ditura, ndërsa Prokuroria, e cila ka verifikuar faktin se Renzo Bossi nuk ka hyrë në Shqipëri nga pikat e kalimit kufitar, ka rrëzuar mundësinë që për tre vjet ai të ketë lëvizur ilegalisht në vendin tonë. “Mundësia e vetme që ai të rezultojë frekuentues në universitet dhe, nga ana tjetër, emri i tij të mos gjendet në TIMS, është që personi të ketë kaluar ilegalisht kufirin. Pra, të ketë kaluar në këmbë në rrugë tokësore apo duke shmangur sportelet kufitare në porte ose aeroporte. Kjo mundësi është përjashtuar, pasi shtetasi italian nuk ka pasur shkak për të lëvizur i fshehur”, thanë burimet e Prokurorisë. Sipas tyre, në këto kushte, mundësitë e vetme janë që dokumentet e Renzo Bossit të jenë falsifikuar ose që në vend të tij të jetë paraqitur një person tjetër. Versioni i paraqitjes së një personi tjetër në vend të Renzo Bossit, por duke përdorur identitetin e djalit të politikanit italian, është duke u verifikuar nga Prokuroria. Dyshohet se edhe në momentin e tërheqjes së diplomës për të riun nga Italia ai vetë nuk ka qenë i pranishëm, ndërsa dokumenti është marrë nga një person tjetër dhe është dërguar në Itali. Skandali shpërtheu pasi Policia italiane gjeti në zyrën e një financieri të Lega Nord diplomën e lëshuar nga universiteti “Kristal”. Kohëzgjatja e studimeve 3-vjeçare tregonte se shtetasi italian ishte regjistruar në universitet në Shqipëri, në një kohë kur nuk kishte mbaruar shkollën e mesme në Itali.

Media italiane “zbarkon” në Tiranë
TIRANE – Skandali i pajisjes me diplomë i dy shtetasve italianë, Renzo Bossi dhe shtetasi tjetër italian Pierangelo Moscaguiro, truprojë e senatores italiane Rosy Mauro, ka tërhequr vëmendjen e mediave të vendit fqinj. Një grup i gjerë xhirimi nga televizionet italiane është paraqitur dje në Prokurorinë e Përgjithshme për t’u interesuar në lidhje me hetimet që po zhvillohen për mundësinë e manipulimeve me diplomën e lëshuar nga universiteti “Kristal”. Prokuroria e Përgjithshme i adresoi gazetarët italianë në Prokurorinë e Tiranës, ku po zhvillohet edhe hetimi në lidhje me ngjarjen. Gazetarët italianë në rrugë zyrtare kanë marrë dje informacion në lidhje me pajisjen e dy shtetasve me diploma universiteti në Tiranë. Sipas Prokurorisë, si në rastin e Renzo Bossit ashtu edhe për shtetasin Pierangelo Moscaguiro, skenari ka qenë i njëjtë, ata kanë marrë diploma pa qenë fare të pranishëm në Shqipëri.

Denoncimi i Ambasadës Italiane në Tiranë
Mediat italiane shkruanin dje se Renzo Bossi ishte përpjekur ta njehsonte diplomën për Menaxhim-Biznesi, të cilën e kishte marrë pranë universitetit “Kristal” në Tiranë. Ambasada Italiane në Tiranë, sipas medias, i dërgoi një letër Prokurorisë së Milanos, në të cilën thuhet se në fund të korrikut të vitit 2011, një shtetas shqiptar paraqiti një kopje të diplomës së nivelit të parë (cikli 3-vjeçar) të Renzo Bosit, duke i kërkuar Ambasadës Italiane njehsimin e saj me qëllim njohjen e dokumentit italian. Kjo kërkesë kishte shkaktuar çorientim te punonjësit e Ambasadës, pasi ata kishin mësuar se Renzo Bossi kishte mbaruar maturën në korrik të vitit 2009, ndërsa diploma mbante datën 29 shtator 2010. Për shkak të këtij fakti, Ambasada pezulloi praktikat e njohjes së dokumentit.

TRAZHGIM SOKOLAJ

© Panorama.al

Te lidhura