
Hetimeve për skandalin e diplomës së Renzo Bossi-t u ka ardhur dje në ndihmë një dëshmi e protagonistit të historisë, që ka tërhequr vëmendjen e medias shqiptare dhe asaj italiane. “Nuk kam qenë asnjëherë në Shqipëri, nuk e flas gjuhën shqipe dhe nuk kam qenë në dijeni të diplomës së lëshuar në universitetin shqiptar në emrin tim”. Kështu është shprehur dje për median italiane Renzo Bossi, djali i Umberto Bossi-t, ish-liderit të Lega Nord. “Studenti” i diplomuar në Shqipëri ka thënë se ditët e fundit ka mësuar ekzistencën e diplomës. “Vetëm tani mësova për diplomën. Ju kujtoj se gjithmonë kam thënë që nuk jam i diplomuar, dhe kjo duhet të ketë një sens, apo jo…? U ndjeva i detyruar të dilja publikisht përpara mediave për të ndalur spekulimet, të cilat po më masakrojnë. Gazetarët janë shndërruar në gjyqtarë. Unë besoj te drejtësia dhe do t’i përgjigjem vetëm asaj. Ndaj kam heshtur për disa ditë”, ka thënë Renzo Bossi. Ai ka shtuar se çdokush mund të shikojë se në dokumentet që janë publikuar ka disa anomali. Dhe këto anomali, sipas Renzo Bossi-t, kanë të bëjnë me ditëlindjen e tij. Sipas djalit të politikanit italian, diploma e lëshuar në Shqipëri në emrin e tij ka një gabim në datëlindje.
Hetimi në Tiranë
Një letër-porosi është nisur nga Shqipëria në drejtim të Italisë për shkëmbim provash të ndërsjella lidhur me hetimin që po zhvillohet për diplomën e djalit të politikanit italian. Më 4 prill 2012, Prokuroria shqiptare filloi hetimet kryesisht në lidhje me diplomën e lëshuar në emër të shtetasit Renzo Bossi. Prokuroria shqiptare ka kërkuar kopjen e diplomës së lëshuar nga “Kristal”, e cila është bllokuar nga Prokuroria e Milanos dhe po ashtu edhe diplomën e shkollës së mesme të Renso Bossi-t, për t’i krahasuar me dokumentet që ndodhen në Shqipëri. Nga marrja e dokumenteve pranë universitetit “Kristal” rezultoi se shkresat ishin plotësuar sikur shtetasi italian kishte frekuentuar në mënyrë të rregullt vitet e studimit. Por, nga ana tjetër, në dosjen e regjistrimit në universitet u gjetën mangësi. Veç fotokopjes së pasaportës, një kërkesë me shkrim dhe disa fotove, në dosje nuk u gjet diploma e maturës e shtetasit italian, e cila duhet të paraqitet në çdo universitet për regjistrim. Nga ana tjetër, nga dokumentet e gjetura në universitetin “Kristal” rezultoi se shtetasi italian kishte marrë 29 provime gjatë tri viteve të studimit të tij, ndërkohë që nuk rezultonte në sistemin TIMS si person që kishte hyrë apo kishte dalë në pikat kufitare të Shqipërisë. Ndodhur në këto kushte, Prokuroria shqiptare filloi marrjen në pyetje të personelit të universitetit “Kristal”. Ish-drejtues të universitetit, mes të cilëve edhe Marenglen Spiro, kanë thënë se nuk mbajnë mend që në universitetin e tyre të jetë regjistruar apo të ketë studiuar ndonjëherë shtetasi italian për të cilin është folur në media.
Pyetet pedagogu i Bossi-t
Dekani i Fakultetit të Administrim-Biznesit në universitetin “Kristal”, Skënder Kërçuku, është marrë në pyetje dje nga Prokuroria e Tiranës në kuadër të hetimeve që po zhvillohen për diplomën e djalit të politikanit italian. Burimet e Prokurorisë nuk kanë bërë komente në lidhje me dëshminë e Kërçukut, ndërsa mësohet se për më se dy orë ai ka dhënë shpjegime dje në Prokurorinë e Tiranës, para grupit hetimor të Njësisë Task-Force. Prokuroria ka nisur marrjen në pyetje të stafit pedagogjik të universitetit “Kristal” për të zbardhur të vërtetën në lidhje me diplomën që dyshohet se ka qenë false.
Tafaj: Diplomat e ‘Kristal’, jo nxirje e gjithë sistemit

Pas skandalit të ndodhur me diplomën e djalit të Umberto Bossi-t, dje ka ardhur reagimi i parë i ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj, në Parlament. Për ministrin e Arsimit, ngjarja e ndodhur me blerjen e diplomës së Renzo Bossi-t në universitetin “Kristal” po hetohet në rrugë administrative. Tafaj kërkoi dje në Kuvend nga deputetët e opozitës që të mos e përdorin politikisht ngjarjen e ndodhur, për të hedhur baltë mbi gjithë sistemin arsimor privat. “Ka disa ditë që çështja e diplomave të dy qytetarëve italianë, të lëshuara në shkollën e lartë “Kristal”, po shfrytëzohet për të nxirë të gjithë sistemin arsimor shqiptar dhe për ta goditur rëndë sistemin arsimor privat. Dëshiroj të nënvizoj se politikat tona të liberalizmit të arsimit të lartë dhe rritjes së cilësisë janë tërësisht të papranueshme me dukuritë e korrupsionit. Në këtë kontekst, çështja në fjalë është në një hetim administrativ, për të arritur në përfundime të plota dhe krejtësisht të bazuara në ligj. Sistemi ynë arsimor, ashtu sikurse edhe i vendeve të tjera, nuk është i imunizuar nga abuzimet apo korrupsionet e të gjitha formave, por ne jemi të vendosur që çdo formë e korrupsionit, në privat apo publik, të marrë ndëshkimin e merituar”, theksoi Tafaj.
© Panorama.al











