
TIRANE- Partia Socialiste akuzoi sot kryeministrin, Sali Berisha se si pasojë e politikave të gabuara të qeverisë së tij, ekonomia e vendit ka pësuar rënie.
Duke folur në një konmference për shtyp nga selia rozë, deputeti Ilir Beqja tha se, në tremujorin e parë të vitit 2012 ekonomia shqiptare ka zyrtarisht rënie, qoftë kundrejt tremujorit paraardhës, qoftë kundrejt tremujorit respektiv të vitit 2011.
Beqja e mbështeti akuzën e tij edhe tek të dhënat e INSTAT, siç e quajti ai, alias Instituti i Gënjeshtrave të Saliut, i cili pranon që ekonomia ka rënie vjetore 0,2 %, duke shtuar se, shqiptarët e kuptojnë lehtë sesa më e madhe është kjo rënie.
Kjo rënie sipas Beqjes, nuk eshte e rastesishme por është produkt i korrupsionit dhe i kapjes së shtetit, është produkt edhe i paaftësisë për të njohur krizën, pranuar krizën dhe për të bërë detyrën e çdo qeverie të përgjegjshme, të marrë masa dhe veprime antikrizë.
“Rënien më të madhe e ka industria me 19,3 %. As Shqipëria superfuqi energjitike sipas Saliut, as rritja e investimeve te huaja nuk mjaftokan që industria jonë të rritet. Ndërtimi ka rënie dyshifrore. Vallë dimri i rëndë e pengoi këtë sektor të mos zhvillohet?! Ndërsa telekomunikacioni plotëson një periudhë 2 vjeçare me rënie të përsëritur çdo tremujor, duke kundërshtuar kështu edhe mrekullinë tjetër të Saliut, atë të Shqipërisë digitale.”- tha Beqja.
Këto të dhëna, tha Beqja, të rritjes ekonomike trmujore, tregojnë edhe mënyrën spontane të zhvillimit të ekonomisë sonë,duke theksuar nevojen per rimekembien e ekonomise.
“Ekonomia duhet të rimëkëmbet! Ne jemi gati! Zgjidhjet janë në programin e PS-së për një Rilindje Shqiptare.”- perfundon deklarata e PS-se.
© Panorama.al











