
Ekspertët e Bankës: Mund të rishikojmë politikën në rast se s’ka inflacion
Parashikimet kundër FMN: Rritja më shumë se 0.5%
Banka e Shqipërisë, e cila një javë më parë uli normën bazë të interesit për lekun, në 4.5 për qind, është duke menduar sërish për mundësinë e një uljeje tjetër. Kjo sigurisht do të vijë vetëm nëse konsumi nuk rritet dhe as investimet nuk shkojnë në kahun e pritur. Burime nga Banka e Shqipërisë bëjnë me dije se uljes së normës i duhet kohë që të transmetohet dhe që efektet e saj të ndihen në ekonomi. Por gjithsesi, nëse nuk jepen efektet e pritura, një rishikim tjetër në kah në uljes nuk përjashtohet. “Nëse parashikimet tona për rritje të konsumit apo të investimeve nuk rriten dhe nëse do të kemi një inflacion më të ulët sesa kemi parashikuar, sigurisht që mund të kemi një ndërhyrje tjetër në politikën monetare, shprehen këto burime. Gjatë vitit 2011, Banka e Shqipërisë ishte mjaft aktive në lëvizjen e normës së interesit për monedhën vendëse, ndërkohë që pasiguritë që vijnë nga kriza dhe nxitja që duhet t’i jepet ekonomisë, nuk përjashtojnë mundësinë që edhe për 2012 Banka të jetë aktive në lëvizjen e normës.” Pasiguritë që vijnë nga kriza e eurozonës, nuk na lejojnë që të shohim qartë dhe të bëjmë parashikime që mbeten për një afat të gjatë. Gjithsesi, ajo që bëjmë aktualisht, është korrigjimi në kohë i parashikimeve tona për çdo lëvizje apo ndikim që mund të kenë ato”, shprehen burimet. Në kohën që lëvizjet e normës mund të bëhen për të nxitur ekonominë, Banka e Shqipërisë shprehet më optimiste se FMN-ja për zhvillimin që do të ketë ekonomia shqiptare. Parashikimet e kësaj të fundit lidhur me rritjen për vitin 2012 janë më lart sesa 0.5 përqindëshi që deklaron FMN dhe, po kështu, më lart qëndron edhe parashikimi për vitin e kaluar. “Nëse i referohemi raportit të shtatorit të FMN-së, vlerësimet tona ishin pak a shumë të ngjashme, kurse tani mund të themi që jemi në kah të kundërt me FMN-në, pasi presim një rritje më të lartë ekonomike të Shqipërisë në vitin 2012 dhe një më të ulët për vitin 2011”, shprehen të njëjtat burime.
Kreditimi
Kreditimi për vitin 2012 pritet të jetë më i lartë. Ulja e normës së interesit të lekut garanton kredi më të lira dhe kjo mund t’i bëjë më atraktive këto për konsumatorët. Gjatë vitit të kaluar, në deklaratat e tij, guvernatori i Bankës së Shqipërisë jo pak herë ka theksuar se problematika e kreditimit nuk qëndron vetëm në kahun e ofertës, pasi likuiditeti i bankave është i pranishëm, por problem është edhe kërkesa e ulët.
Çmimet
Një nga fenomenet e këtij viti ishte rritja e çmimeve në dhjetor me vetëm 1.8%, nga 4% që është mesatarja. Disa nga hipotezat që mbështesin këtë rritje të moderuar, lidhen me rritjen e kontributit që ka pasur sektori i bujqësisë. Një tjetër hipotezë është edhe kontrolli mbi tregjet ushtruar në Tiranë nga Bashkia, por për asnjërën nga hipotezat nuk është bërë një vlerësim se çfarë kontributi kanë.
NERTILA MAHO
© Panorama.al











