Mullahi: 60 vjet janë pak, i kam borxhe jetës

Aug 19, 2011 | 10:18
Kompozitori Gazmend Mullahi

Rëndom ndodh që të fërshëllejmë nën zë ndonjë motiv kënge të njohur. Ndoshta emrin e kompozitorit nuk e mbajmë mend. Ata i përkasin familjes së “heronjve të heshtur”. Për vite janë mjaftuar vetëm me duartrokitjet e publikut dhe, kur një institucion i rëndësishëm u jep një titull të madh, gëzimi nuk mund të mos jetë i madh. Ky është rasti i kompozitorit Gazmend Mullahi, që dje “Për vlerat e krijimtarisë muzikore në të gjithë gjinitë e saj dhe për kontributin e dhënë si organizator e drejtues i muzikës në kulturën artistike muzikore shqiptare” u nderua nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, me titullin “Mjeshtër i madh”. Për kompozitorin e këngëve “Dashuria”, “Mimoza e dashurisë”, “Kthehu për vete për mua”, “Ti je vetë pranvera” e shumë e shumë të tjera, dita e djeshme nuk ishte si gjithë të tjerat. Mbushi 60 vjeç, mori titullin “Mjeshtër i Madh” dhe iu dha edhe një “Shkallë mirënjohjeje” nga qyteti i Librazhdit, ku ai ka punuar shumë vite më parë. Në një ditë si kjo, kompozitori ndien se dëshiron të jetojë gjatë, sepse shumë gjëra i kanë mbetur pa thënë. Ndërsa telefoni i bie pa pushim dhe ka ende ca përgatitje për të bërë përpara ceremonisë që organizoi e këtë rast, kompozitori shkëputet për të ndarë ndjesitë, vitet e vështira të punës, krijimtarinë, bashkëpunimin me mjeshtrin e trompës, Gaspër Çurçia, përpara se ai të arrestohej… e mbi të gjitha dashurinë që ka shkëmbyer me publikun.
Shumë gëzime në një ditë kjo juaja…
Është një vlerësim vërtet shumë i madh. Ne artistët na përkëdhelin vlerësimet. Gjithë jetën jemi mjaftuar me duartrokitjet e publikut, por kur nderohesh nga institucioni më i lartë që ne kemi, pa dyshim që ndihesh krenar për punën që ke bërë, përpara miqve, familjarëve… Të nderohesh “Mjeshtër i madh” do të thotë t’i kesh marrë të gjitha titujt.
Ky vlerësim përkon me një tjetër ditë të shënuar për ju. Nëse ktheni kokën pas, çfarë shihni?
Ky vlerësim qëllon pikërisht në ditën e 60-vjetorit të lindjes sime, çka e bën edhe më të veçantë këtë ditë. Kur mbush 60 vjeç, njeriu e bën një lloj reflektimi mbi jetën e tij. Tani që e mendoj, të them të drejtën nga njëra anë më vjen keq. Më vjen keq sepse 60 vjet nuk janë pak, janë kaq shumë dekada… Por, nga ana tjetër, më vjen mirë sepse kam lënë diçka pas për t’u kujtuar. Unë jam në një moment të jetës kur bëj një bilanc e shoh se është kaq e shkurtër kjo qerrata jetë dhe unë jam nga ata njerëz që më pëlqen të jetoj. Më pëlqen të jetoj, sepse kam shumë gjëra për të thënë. Shumë gjëra që për arsye nga më të ndryshmet nuk i kam thënë ende apo i kam lënë në mes. Dhe ky është pengu më i madh që njeriu ka në jetë, që nuk mund të realizojë gjithë ç’ka dashur. Kur vjen një farë moshe, distancohesh paksa dhe vë re se ke ca borxhe. Ashtu siç thotë në një poezi të njohur poeti Xhevair Spahiu: “Borxhet e mia”, njeriu gjithmonë do t’i ngelet borxh jetës dhe kjo ta shton dëshirën për të jetuar më shumë.
E megjithatë, ju keni kompozuar këngë shumë të bukura që tingëllojnë moderne edhe sot, pavarësisht se nuk kanë marrë çmime… Nuk mjaftojnë?
Jo gjithmonë është e bukur ajo që merr çmim, por ajo që mbetet në publik. Të gjithë e dimë se në periudha të ndryshme çmimet jo gjithmonë kanë përfaqësuar më të mirën. Kurse e bukura mbetet. Dhe ka qenë kjo që më ka ngushëlluar gjatë karrierës sime. Është kënaqësi e madhe të dëgjosh sërish pas 20 apo 30 vjetësh këngët e tua. Për mua ishte emocionues fakti që tek gara “Ethet e së premtes” apo konkurse të ngjashme shumica e të rinjve këndonin këngët e mia… Kjo do të thotë se kanë mbetur…
Si arrinit të mbijetonit, në një kohë kur krijuesit e kishin të pamundur të shkruanin atë që donin?
Kjo lidhet me zgjuarsinë për të përzgjedhur tematikat. Unë u rreshtova në krah të atyre kompozitorëve shqiptarë që e dinim që nuk merrnim çmime. Tashmë dihej që çmimet u jepeshin këngëve që i këndonin njërit e tjetrit, që i dedikoheshin hidrocentralit, traktorit… Ndërsa kompozimet tona kapnin tema shoqërore, lirike, njerëzore, jo pompoze me valle në gojë të ujkut me shpata që ktheheshin në plugje e të tjera si këto. Por edhe ky “rreshtim” kishte brenda rrezikun, sepse temat që ne trajtonim quheshin “të parëndësishme” dhe me një të rënë të lapsit mund të hidheshin në kosh.
Ju ka ndodhur?
Për fat të keq, kjo më ka ndodhur me shumë këngë deri vonë. Do të dilte gjithnjë një kleçkë në tematikë… dhe ato rrëzoheshin.
Ju keni hedhur në treg edhe një album me këngët tuaja më të mira…
Po, është e vërtetë. Titullohet “Qiellit i flas” dhe është një përmbledhje në dy CD e këngëve të mia më të bukura të realizuara gjatë 30 viteve të fundit. Më vjen mirë që kam kërkesa të vazhdueshme për këtë album, ndërkohë që unë botova një numër të kufizuar të tij. Shumë njerëz brenda apo jashtë vendit e kanë gjetur mënyrën përmes e-mailit, apo Facebookut që të më kontaktojnë e të më kërkojnë t’u siguroj një kopje. Njerëzit kanë nostalgji për të shkuarën dhe kënga është si një fotografi, e cila të sjell shumë kujtime. Me një këngë mund të lidhen shumë ngjarje të jetës. Gati jam përlotur kur dëgjoja në një emision dikë tek thoshte se kënga “Dashuria” e kënduar nga Robert Aliaj ishte bërë motivi i familjes së tij. Kishte njohur në bankat e shkollës vajzën që donte, kishte krijuar familje e kjo këngë e kish shoqëruar gjithmonë. E tani e pëlqenin edhe vajzat e tij…
Në albumin tuaj ju keni përfshirë dhe dy orkestrale të interpretuara nga Gaspër Çurçia; Mund të na tregoni më shumë rreth këtyre regjistrimeve?
Të them të drejtën, unë nuk kam pasur ndonjë shoqëri të veçantë me Gaspër Çurçinë. Ai ishte rreth 20 apo 30 vjet më i madh se unë në moshë. Unë i takoja brezit të ri të krijuesve që i shikoja me adhurim Çurçinë e të tjerë muzikantë të kohës së tij, të cilëve Zoti i kishte dhuruar një talent natyror. Ata përbënin muzikantët më “trendi” të kohës. Dikur ai më thotë se i pëlqenin dy kompozime të miat (“Mimoza e dashurisë” dhe “Një letër”) e do të donte t’i luante në trombë. E prita me shumë dashuri dhe me gëzim t’ju them të vërtetën, sepse ai ishte një virtuoz i trombës, ishte një magjistar, një Lui Armstrong. Erdhi në Radio Tirana, nxori trombën, e fshiu mirë e mirë, pasi kishte kohë që nuk i binte dhe ka realizuar një regjistrim të shkëlqyer. Ishte një trombë që qante, një gjysmë vajtim. Fatkeqësisht ai nuk arriti kurrë t’i dëgjonte sepse u arrestua, iu amplifikua një faj i rëndë, historia e tij u fry, siç ndodhte rëndom sipas situatave të ndryshme… Dhe mori dënimin kapital. Pas kësaj as që bëhej fjalë që këto regjistrime të transmetoheshin… Quhej herezi. Por unë i ruajta dhe pas kaq vitesh, me që m’u dha rasti për nder të këtij talenti të jashtëzakonshëm dhe djemve e tij, i përfshiva në album edhe dy regjistrimet e Gaspër Çurçisë.
Për vite me radhë keni qenë pjesë e redaksive muzikore, keni kaluar shumë këngë nëpër duar… Çfarë e mundon muzikën e lehtë shqiptare sot?
Kjo është një çështje e ndërlikuar. Tashmë kohërat kanë ndërruar. Prej 15-20 vitesh po bëhen përpjekje për një këngë të civilizuar, por duket se s’po ia dalim dot në krye. Po bëhet një art më shumë teknicien, dixhital, të cilit i mungon njerëzorja, natyrorja. Tashmë nuk i mëshohet aq sa duhet asaj që është artistike.

 

ALMA MILE

© Panorama.al

Te lidhura