Rektori: Presim gjykatën për pedagogun e arrestuar

Jul 5, 2012 | 15:15
Liman Varoshi, rektori i universitetit “Aleksandër Xhuvani”

Prokuroria e Elbasanit çon në Gjykatë dosjen e pedagogut të Ekonomikut, Pëllumb Kllogjeri, duke kërkuar masën e sigurisë “burg pa afat”. Sipas organit të akuzës, provat e mbledhura nga policia janë të mjaftueshme për të kërkuar lënien në burg të 61-vjeçarit, pedagog i matematikës në Universitetin e Elbasanit “Aleksandër Xhuvani”. Prokurori i çështjes, Ridvan Sukaj, është njohur me dosjen e hartuar për pedagogun dhe ka paraqitur mesditën e së mërkurës në Gjykatë masën “burg pa afat” për të, masë të cilën do e kërkojë dhe sot në Gjykatë. Ditën e djeshme, në Kampusin universitar të Fakultetit Ekonomik ka mbizotëruar qetësia absolute. Asnjë nga pedagogët e këtij fakulteti, si edhe shefi i katedrës nuk kanë pranuar të prononcohen për mediat rreth arrestimit të kolegut të tyre, ndërsa rektori i universitetit, Liman Varoshi, ka deklaruar se është vendimi i gjykatës ai që do të përcaktojë nëse është fajtor apo i pafajshëm pedagogu i matematikës. “Është gjykata ajo që do të shpallë apo jo fajtor profesorin. Në rast se dokumentet rezultojnë të sakta dhe faktet ndaj tij tregojnë që me të vërtetë pedagogu ka marrë ryshfet, atëherë ai është i pushuar automatikisht nga profesioni i tij. Në të kundërt, do të procedohen penalisht të gjithë ata studentë të cilët kanë denoncuar në Polici për rastin në fjalë, pasi akuzohen për prishjen e imazhit që ka universiteti ynë ndër vite”, deklaroi Varoshi. Nga burime të grupit hetimor deklarohet se vetë pedagogu i arrestuar mesditën e së martës nuk ka pranuar të flasë rreth zarfeve të gjetura në zyrën e tij në momentin e ndalimit. Ai do ia lërë në dorë avokatit prononcimin në lidhje me pozicionin e tij përballë akuzës për ryshfet kundrejt kalimit të studentëve në lëndën e matematikës. Nga ana e saj, Policia e Elbasanit pohon se ka prova të forta për pedagogun Pëllumb Kllogjeri, pasi ai u kap në flagrancë duke u marrë para studentëve, në këmbim të notës kaluese në lëndën e matematikës. Arrestimi i Kllogjerit u bë pas provimit të studentëve të vitit të dytë në Fakultetin Ekonomik të universitetit “Aleksandër Xhuvani”. Policia e Elbasanit bëri të ditur se mes tezave të provimit, 7 studentët kishin futur zarfet me para, nga 10 mijë deri në 100 euro secili, me emrin përkatës mbi të. Pëllumb Kllogjeri akuzohet për veprën penale “korrupsion pasiv i personave që kryejnë funksione publike”.

Hetimet, edhe për të tjerë
Pedagogu i Matematikës hetohej prej disa muajsh nga Policia. Mësohet se veç Kllogjerit në hetim vazhdojnë të jenë dhe persona të tjerë, pjesë e stafit akademik të universitetit të Elbasanit. Sipas burimeve të policisë mësohet se arrestimi i tyre është shumë i afërt. Hetimet janë përqendruar në këtë periudhë, e cila korrespondon me dhënien e provimeve të fundvitit akademik.

ELBASAN/ MIRANDA SADIKU

© Panorama.al

Te lidhura