Rektori i Universitetit të Sporteve: Më grabitën zyrën, kopjuan çelësat

Feb 1, 2012 | 13:28
Rektori i Universitetit të Sporteve, Vesel Rizvanolli

TIRANE – Zyra e rektorit të Universitetit të Sporteve, Vesel Rizvanolli, është plaçkitur gjatë natës mes së hënës dhe së martës, nga persona ende të panjohur. Autorët e ngjarjes kanë arritur të vjedhin dy kompjuterë bashkë me njësitë qendrore të tyre. Vjedhja është kryer pa thyerje dhe autorët, sipas Policisë, kanë arritur të futen në ambientet e brendshme të Rektoratit dhe më pas në zyrën e rektorit Rizvanolli duke përdorur çelës për hapjen e derës. Ngjarja është konstatuar në mëngjes, kur rektori është paraqitur në zyrë dhe ka parë që mungonin dy kompjuterë. Menjëherë ai ka lajmëruar policinë dhe në vendin e ngjarjes kanë shkuar forcat e Komisariatit Nr. 2, të cilët kanë bërë këqyrjen dhe fiksimin e gjurmëve të gishtave. Sipas rektorit Vesel Rizvanolli, ngjarja është e qëllimshme dhe vjen në prag të fushatës së zgjedhjes së rektorëve dhe dekanëve në Universitetin e Tiranës. “Nuk ka dyshim që ngjarja është e qëllimshme. Nuk mund ta vë gishtin tek asnjë person konkret, por pa dyshim se dikush i brendshëm që ka përdorur çelësin ka vjedhur kompjuterët në zyrën time. Qëllimi ka qenë për të zbuluar ndonjë material komprometues që mund ta përdorin kundër meje, pasi unë rikandidoj për postin e rektorit në Universitetin e Sporteve, fakt që nuk është mirëpritur. Por janë munduar kot, pasi unë nuk fsheh asgjë, jam transparent dhe në kompjuter nuk ka asnjë dokument që atyre mund t’u bëjë punë për të dëmtuar imazhin tim”, u shpreh dje Rizvanolli në një prononcim për gazetën “Panorama”. Ndërsa roja i universitetit tregoi dje se pasi ka mbyllur shërbimin një natë më parë, kur do të ndërronte turnin, ka kontrolluar derën kryesore të Rektoratit dhe pasi është siguruar që ishte e mbyllur, ai është larguar. Sipas Policisë, autorët mund të jenë futur nga dritarja në pjesën e pasme të Universitetit, ndërsa për të hyrë në zyrën e rektorit kanë përdorur çelës. “Në Universitetin e Sporteve ka mbi 600 kompjuterë që mund të ishin vjedhur më thjesht se dy kompjuterët në zyrën time. Por kjo tregon se qëllimi i autorëve që kanë kryer këtë ngjarje të shëmtuar nuk ka qenë vlera materiale që mund të kenë kompjuterët, por ajo që ju thashë më lart. Qëllimi ka qenë dëmtimi i mazhit tim duke pretenduar se mund të gjenin ndonjë dokument komprometues”, tha Rizvanolli. Madje, sipas tij, një ngjarje e ngjashme ka ndodhur edhe para pak kohësh me zyrën e zëvendësrektorit, të cilit i kanë vjedhur lap-topin në zyrë. Dhe sipas tij, edhe në atë rast qëllimi ka qenë i njëjtë.

© Panorama.al

Te lidhura