Shkon deri në 3 metra. Helikopterët nuk arrijnë të çojnë ndihma.
Bora ka thyer çdo rekord të dimrave të mëparshëm në vend. Nëse deri dje krahasohej me vitin 1985, koha e gjatë dhe paralizimi që i ka bërë gjithë vendit ka thyer çdo parashikim. Brenda pak ditësh janë izoluar dhjetëra komuna, ndërsa trashësia e borës ka mbërritur deri në 3 metra.
Të dhënat e Shtabit të Emergjencave në tri qarqet më problematike: atë të Dibrës, Kukësit e Shkodrës flasin për një shifër prej rreth 235 mijë banorësh të bllokuar nga bora. Prej ditësh ata janë izoluar nga bora që u ka rrethuar shtëpitë, rrugët brenda qytetit apo fshatrave e së fundi edhe rrugët nacionale. Mbrëmjen e djeshme reshjet e dëborës vazhdonin të binin në Shkodër e Dibër, duke shtuar me 30 cm trashësinë e saj, ndërsa në Kukës pushoi së rëni vetëm për disa orë. Sheshi kryesor i Kukësit tashmë ngjan me një tunel gjigant të bardhë. Kjo është arteria kryesore ku lëvizin njerëzit, makinat e ku qëndrojnë edhe makinat e mbuluara nga dëbora, që ishin të parkuara para se të niste dëbora. Këto tunele janë prerë në disa pika të pastruara nga tregtarët dhe lokalet, në mënyrë që njerëzit të shkëputen nga hullia e gjatë për të qenë klientë të tyre. Ndërkohë, situata është shumë më e vështirë në zona të thella. Banorët e komunës së Zapodit kanë ditë që kanë shkuar në limit të rezervave ushqimore. Nisur nga kjo situatë, dy kamionë me miell dhe ushqime janë nisur për në Grykën e Vanave nën drejtimin e kryetarit të Këshillit të Qarkut, Ibsen Elezi, të shoqëruar me traktor me zinxhir. Por, rreth 500 metra larg fshatit Orgjost janë bllokuar, duke mbetur natën në mes të dëborës. Në Kukës numërohen 50 mijë banorë të bllokuar plotësisht, ndërsa mijëra të tjerë në varësi të punës së borëpastrueseve. Në qarkun e Shkodrës bëhet fjalë për 65 mijë banorë të izoluar prej ditësh. Shpresa e vetme e tyre janë ndihmat që do t’u ofrohen nga ajri, pasi në rrugë tokësore as që bëhet fjalë për të lëvizur. Burime nga Shtabi i Emergjencave të qarkut thonë se ndihmat e planifikuara për paradreken e ditës së hënë nuk kanë qenë të mundura të realizohen, pasi moti i keq nuk i ka lejuar helikopterët që të bëjnë fluturimet. Rrethi i Pukës, zonat e Dukagjinit dhe Vermoshi janë zonat më problematike ku dhe është përqendruar e gjithë vëmendja e shtabeve të emergjencave për të mbajtur situatën në monitorim 24 orë pa ndërprerje. Trashësia e dëborës në rrethin e Pukës i kalon 2 m, ndërsa në Vermosh rreth 3 metra. Për Bulqizën e komunat e thella të Dibrës vetëm përmirësimi i motit mund të jetë shpëtim. “Rezervat po mbarohen, sepse nuk e mendonim se dimri do të zgjaste kaq shumë. 441 familje të komunës sonë janë në rrezik serioz. Rruga Rrëshen-Lurë është e bllokuar prej dy javësh, ndërkohë ajo Peshkopi-Lurë funksionon pak edhe në verë. Kryetari i komunës banon në Tiranë dhe askush nuk do t’ia dijë për hallet tona të mëdha”, u shpreh Han Gjoçi, këshilltar i komunës Lurë. Kryetari i komunës Trebisht, Fitim Balla, e paraqet situatën si mjaft kritike. “Kishim menduar se dimri po ikte e rezervat janë pakësuar. Shkaku kryesor i përkeqësimit të gjendjes është mungesa e rrugës për të lëvizur njerëzit e mallrat. Ne jemi të izoluar në të gjitha drejtimet. Prej tri ditësh na kanë premtuar një fadromë të Ministrisë së Mbrojtjes, por ajo nuk po mbërrin. Po ashtu jemi pa energji elektrike prej katër ditësh. Kanë ardhur 50 pako ushqimore, po nuk dimë kujt t’ia japim në fillim. Të gjithë janë për ndihmë”, tha Balla.
“Bora 1.5 m në Kukës, as makina nuk e lëviz dot” KUKES – Shumë mjete borëpastruese dhe fadroma punojnë për të mbajtur rrugët të hapura. Por mundi dhe djersa e tyre në shumë raste shkon kot, sepse është e pamundur që gjithë asaj mase dëborë t’i gjendet vendi për ta hedhur. Male të tëra me dëborë janë krijuar në sheshet e qyteti, kryesisht në vende të lira para bashkisë dhe prefekturës. Tasim Nërguti është njëri prej tyre që nuk resht me fadromën e tij për të pastruar dhe zgjeruar rrugët e qytetit. Ai manovron në këto ditë të ftohti me mjetin e tij për t’u ardhur në ndihmë bashkëqytetarëve dhe njerëzve në nevojë, edhe pse ndoshta nuk do të shpërblehet për këtë punë. “Kam hapur rrugët e lagjes se re. Tani po punoj për zgjerimin e rrugëve të tjera. Më shumë po e bëj në mënyrë humanitare, se deri tani s’kam marrë lekë. Është shumë e vështirë për të manovruar. Është dëborë e paparë. Trashësia e saj normalisht është 1.5 metra, por kur tenton për ta hapur dhe merr përpara masivin e borës, në shumë raste është e pamundur që dhe ky mjet i fuqishëm ta pastrojë dëborën. Shpresojmë të ndalet me kaq, se situata është shumë e rëndë nëse dëbora vazhdon përsëri”, thotë fadromisti. j.h
Komunat e Tropojës, në rrezik ortekësh
Zonat e thella të Tropojës po vuajnë jo vetëm prej borës që vazhdon, por dhe nga rreziku i vazhdueshëm i ortekëve. Në komunën e Lekbibajt apo të Margegajt rrugët po bllokohen pikërisht nga rënia e vazhdueshme e ortekëve. Rexhë Biberaj, kryetar i komunës Margegaj, apelon tek të gjithë strukturat shtetërore që të bëjnë çmos për t’u ardhur në ndihmë banorëve, sidomos në luginën e Valbonës, ku ka ndërprerje të energjisë elektrike. Edhe rrugët nacionale janë thuajse të pakalueshme. KUKES/ SHKODER/ DIBER
Korçë, dëbora shemb kishën shekullore
Banorët kërkojnë ndihmë nga shteti për ndërhyrje, pas shembjeve të çative në mes të dimrit
Ngjarja, dje në Voskopojë. Në fshat dëmtohen dhe 18 banesa
Kisha e dëmtuar në Voskopojë
I gjithë rajoni juglindor është në mëshirë të motit, i cili ka krijuar shqetësime në një pjesë të konsiderueshme të rrugëve dhe komunave. Një prej këtyre zonave problematike është dhe fshati turistik i Voskopojës ku bora ka krijuar dëme të mëdha. Shembja e çative të banesave në këtë komunë tashmë është shndërruar në një problem shqetësues, pasi për shkak të peshës së madhe po shkaktohen shembje të ndërtesave. Një pjesë e çatisë së kishës së Shën Kollit në fshatin Voskopojë është shembur si pasojë e peshës së madhe të krijuar nga trashësia e borës. Kisha 300-vjeçare, pjesë e fondit të Monumenteve të Kulturës, tashmë ka pësuar një dëmtim në pjesën e pasme të saj, por fatmirësisht nuk ka pasur dëmtim të pikturave murale. “Kjo kishë daton që prej vitit 1721 dhe është një prej elementeve më me vlerë të Voskopojës. Ne e kemi parë nga afër dhe ka pasur një shembje të çatisë në pjesën e pasme të saj. Për fat nuk është dëmtuar asnjë prej afreskeve apo elementeve të tjerë të rëndësishëm”, është shprehur kujdestari i kishës së Shën Kollit, Petrit Bacelli.
Shembje kanë pësuar dhe çatitë e banesave të ndryshme në komunën e Voskopojës. Sipas të dhënave, çatitë e 3 ndërtesave në fshat, por edhe të paktën 15 banesave të tjera në fshatrat e komunës u janë shembur pjesë të ndryshme. Shkak kryesor mbetet pesha e krijuar mbi këto ndërtesa si pasojë e reshjeve të shumta të borës, të cilat ndër të tjera janë duke u shndërruar në një kanosje serioze për jetën e këtyre banorëve. Kështu, një prej banesave në fshatin Voskopojë ka pësuar shembje totale të çatisë, duke rrezikuar jetën e 4 anëtarëve të familjes Bebri. Gjithçka që ata kishin ka mbetur nën rrënoja, duke i lënë në qiell të hapur. I terrorizuar, kryefamiljari Ferdinand Bebri ka treguar për gazetën “Panorama” ngjarjen. “Deri në orën 7 pasdite isha mbi çati për ta pastruar nga bora. Punova për orë të tëra dhe pastrova sa kisha mundësi. Gjatë natës ishim të gjithë në gjumë kur u shemb çatia dhe për pak sa nuk na zuri brenda. Dolëm të tmerruar jashtë dhe shkuam në shtëpinë e vëllait tim së bashku me gruan, vajzën dhe djalin. Ishte e tmerrshme. Tani jemi pa asnjë të ardhur dhe pa strehë, ky dimër po na e vështirëson shumë jetesën”, ka përfunduar Ferdinandi. Të paktën 18 banesa raportohen me shembje të pjesshme të tyre si pasojë e mbingarkesës së borës dhe lagështirës së tepërt që përthithin dërrasat me të cilat ndërtohet çatia.
Shkollat, të pezulluara në të gjithë Veriun Sipas Ministrisë së Arsimit, mësimi vijon të jetë i pezulluar thuajse në të gjithë Veriun. Në Juglindje situata paraqitet më e përmirësuar e në një pjesë të shkollave ka rinsiur mësimi. Sipas MASH, po punohet për heqjen e borës nga institucionet shkollore. “Nga drejtuesit e DAR/ZA-ve Dibër, Kukës, Malësi e Madhe, Has, Tropojë, Pukë dhe Bulqizë konfirmohet se vijon e njëjta situatë atmosferike. Nga ana tyre është komunikuar me drejtuesit e shkollave që banojnë pranë shkollave, nga ku rezulton se nuk ka dëmtime në infrastrukturën shkollore”, bëri me dije MASH.
Mësuesit bien bashkë me çatinë e shkollës
Në komunën e Ostrenit trashësia e dëborës i kalon dy metra. Dje paradite mësuesit e shkollës 9-vjeçare të fshatit, të ndihmuar dhe nga banorë të Ostrenit të Vogël, janë përpjekur të largojnë borën e rënë mbi çati. Drejtori i shkollës kishte dhënë alarmin se çatia e shkollës po rrëzohej. Thirrjes së tij i janë përgjigjur shumica e arsimtarëve. Teksa ata largonin borën e madhe mbi çatinë e shkollës në qendër të fshatit ka ndodhur ajo që ata nuk e prisnin. Çatia është shembur bashkë me personat që ndodheshin mbi të, por fatmirësisht nuk kanë pësuar lëndime.
KORÇE: Shënohet viktima e pestë e dimrit Temperaturat e ftohta dhe dimri i tejzgjatur kanë shënuar viktimën e pestë në qarkun e Korçës. Një 86-vjeçar është gjetur i vdekur në banesën e tij në lagjen Nr. 9 të qytetit si pasojë e asfiksisë. I moshuari jetonte i vetëm në apartamentin e tij në katin e tretë të nja pallati 7-katësh. Sipas të dhënave, viktima, i identifikuar si Dhimitër Zavalani, ka gjetur vdekjen nga tymi i krijuar prej djegies së një stive drush, e cila ndodhej në ambientet e banesës ku ai jetonte i vetëm. Pas kontrollit në banesë është arritur në përfundimin se ngjarja ka qenë aksidentale, pasi drutë duke qenë në afërsi të sobës së ngrohjes janë ndezur dhe përgjatë natës kanë çliruar monoksid karboni, gjë që ka shkaktuar edhe vdekjen e të moshuarit. KORÇE/ DHORJELA DEMKOLLI
Gramsh, dëbora shemb shtëpinë e pabanuar
Një shtëpi e pabanuar në stinën e dimrit është shembur si pasojë e trashësisë së dëborës së rënë në fshatin Grabovë të komunës me të njëjtin emër. Mësohet se në këtë zonë dëbora ka arritur një metër trashësi, ndërsa shtëpia e cila ishte e pabanuar dhe e amortizuar është shembur. “Aktualisht në këtë shtëpi nuk banonte njeri, pasi i zoti i familjes, i cili jeton i vetëm, banonte në këtë shtëpi vetëm gjatë stinës së verës, ndërsa në dimër jetonte në qytetin e Gramshit te fëmijët e tij”, deklaron shefi i Shtabit të Emergjencave Civile, Mustafa Arapi.
Bashkia e Tiranës anulon aktivitetet festive Bashkia e Tiranës anulon aktivitetet festive të planifikuara për Ditën e Shën Valentinit. “Ky vendim u mor në shenjë solidarizimi me banorët e zonave të bllokuara nga bora dhe përpjekjet që po kryen Shtabi i Emergjencave Civile për përballimin e kësaj situate të fatkeqësisë natyrore”, njofton Bashkia e Tiranës. Sot, në Ditën e të Dashuruarve, Bashkia e Tiranës kishte planifikuar disa aktivitete për të rinjtë.
Solidarizimi: BiznesAlbania ndihma për familjet e izoluara
Presidenti i “Biznes Albania”, Luan Bregasi
BiznesAlbania është solidarizuar me familjet e izoluara në Veri dhe në Verilindje të vendit, duke ofruar njëkohësisht edhe ndihmë konkrete për to. Presidenti i BiznesAlbania, Luan Bregasi, dha dje edhe detajet lidhur me këtë ndihmë që bizneset e kësaj organizate kanë vendosur që të ofrojnë. “BiznesAlbania dhuron në mënyrë të menjëhershme rreth 1 mijë palë çizme të ngrohta nga shoqata e prodhuesve të këpucëve dhe kompania “Doniana”. Shoqata e prodhuesve të birrës, birra “Tirana” dhe birra “Korça” ofrojnë 200 xhupa të ngrohtë. Kompania “Ferra” ofron 1 ton oriz dhe 1 ton sheqer. Kompania “Agna Group” ofron 500 pako oriz, makarona, kroasante dhe miell. Po kështu, kompania “Miell Tirana” dhuron në shenjë solidariteti 1 ton miell dhe shoqata e prodhimit të bukës rreth 2 mijë copë bukë në mënyrë të menjëhershme. Kompania “Hari Lena” ofron 500 koli me ujë”, tha Bregasi.
Ndihma e AMC AMC, në përgjigje të situatës emergjente të krijuar në vend, ka ofruar ndihmë për zonat e prekura nga moti i keq në Shqipëri. 600 karta telefonike SIM, dhjetëra telefona celularë dhe mijëra minuta kohë bisede janë vënë në dispozicion të Drejtorisë së Përgjithshme të Emergjencave Civile, i cili do t’ua dorëzojë pushtetit vendor dhe ekipeve të shpëtimit në zonë. AMC ka siguruar edhe sasi të konsiderueshme ushqimesh dhe veshjesh për banorët e zonave veriore dhe jug-lindore, ku ndihen më tepër efektet e dimrit të ashpër. Stafi teknik i AMC-së ka marrë masat e nevojshme që komunikimi celular të vazhdojë edhe në kushtet më të rënda atmosferike. Aktualisht, rrjeti i AMC-së është në funksion të plotë në çdo zonë të përfshirë nga vala e të ftohtit.
Ministria e Brendshme, 40 milionë lekë për zonat e fatkeqësisë natyrore
Nishani: Kemi mekanizmat edhe për evakuim banorësh
Nishani dje gjatë konferencës për shtyp
TIRANE – Ministria e Brendshme akordon një fond prej 40 milionë lekësh në dispozicion të zonave të prekura nga fatkeqësia natyrore. Vetë ministri Nishani deklaroi dje se këto para do të përdoren nga administratat e qarkut Shkodër, Kukës, Dibër, Korçë, rrethit të Librazhdit dhe komunat e tyre. “I gjithë ky fond është i destinuar për t’u përdorur në mënyrë të detyrueshme vetëm për hapjen e rrugëve, që do të përdoren nga administrata e qarqeve për të kontraktuar me prokurim të drejtpërdrejtë me mjete e kompanitë private, për të hapur akset e rrugëve rurale. Nga administratat e komunave fondi do të jetë në përdorim për të kontraktuar në mënyrë të drejtpërdrejtë mjete private që bëjnë të mundur hapjen e rrugëve komunale. Ndërsa fondi që u vihet në dispozicion prefekturave përkatëse, do të përdoret në mënyrë të detyrueshme vetëm për furnizimin me karburant të mjeteve që do të nevojiten, nga drejtoritë rajonale të rrugëve apo forca të tjera që asistojnë qoftë në akset nacionale, apo në akset rurale”, deklaroi Nishani. Sipas tij, në përballjen e emergjencës natyrore do të jenë të angazhuara forcat e ushtrisë, si dhe helikopterët. Ministri Nishani, i cili drejton dhe Komitetin Ndërministror për Emergjencat, u shpreh se parashikohet edhe evakuimi i banorëve nga zonat e izoluara në rast përkeqësimi të situatës. “Ka një strukturë, ka një Drejtori të Përgjithshme të Emergjencave Civile, ka dhe struktura të tjera të cilat janë të ngritura në tërë strukturën e shtetit dhe pa dyshim që planifikojnë e marrin masa për të përballuar situatën që ju përmendët. Edhe në rastet që do të ketë një mundësi të tillë, të cilën ne nuk e shohim deri tani si problem, por nëse do të ketë një situatë të tillë, pa dyshim që janë të gjitha mekanizmat për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve”, deklaroi Nishani.