Rehabilitohet blloku i pallateve dhe rrugët në Njësinë 3, Veliaj: I jep vlerë më të madhe pronës

Sep 12, 2023 | 15:32
SHPËRNDAJE

Pesë mijë banorë të bllokut të pallateve pranë shkollës së re “Xhezmi Delli” në Njësinë 3, kanë përfituar infrastrukturë më të mirë falë ndërhyrjes së Bashkisë së Tiranës në rrugët “Arben Minga”, “Ali Baushi” dhe “Skënder Kurti”.

erion veliaj

Investimi përfshin jo vetëm asfaltimin e tyre, por edhe rehabilitimin e mureve rrethuese dhe të fasadave të pallateve, si dhe ndërhyrjet e nevojshme nëntokësore të rrjetit të kanalizimeve.

Gjatë vizitës në këtë zonë, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj tha se pas ndërtimit të shkollës së re “Xhezmi Delli”, kjo ndërhyrje do t’i japë vlerë më të madhe pronës së banorëve.

“Jam vërtet krenar për gjithë kantieret që kemi hapur në Njësinë 3. Kur flasim për rehabilitim nuk flasim vetëm për asfalt, por për të gjitha shtresat e nënshtresat, tubacionet për rrjetet, qofshin ato rrjete të ujësjellësit, qofshin kanalizime, ujëra të bardha, ujëra të zeza, fibër optike, energjia etj”, tha ai.

Veliaj kërkoi edhe bashkëpunimin e banorëve për realizimin e projekteve infrastrukturore që synojnë lehtësimin e qarkullimit rrugor të automjeteve.

Kryebashkiaku ftoi banorët të përfitojnë nga Fondi i Komunitetit, të përfitojnë 50% të vlerës së investimit për të ndryshuar fasadat e pallateve të vjetra të zonës.

“Veshja e një fasade nuk bëhet vetëm për estetikë, por edhe për çështje të kursimit të faturës energjetike. Për familjet në nevojë, kontributin e paguan bashkia, – pra, jep 50% plus edhe për ata që s’kanë mundësi, – ama kush ka mundësi, të bëhet mukajet dhe të aplikojë në Fondin e Komunitetit, që syri të shohë asfalt dhe urbanistikë edhe në nivelin horizontal, por edhe kur ngre kokën lart”, u shpreh ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura