Kuvendi miratoi dje me 71 vota pro dhe 2 abstenim ligjin për regjistrimin e popullsisë. Deputetët e PDIU-së, Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri, propozuan 3 amendamente, dy nga të cilat u pranuan, duke dhënë më shumë garanci për kërkesat e kësaj partie për kundërshtimin e një procesi me pyetje për etninë dhe fenë.PD dhe PDIU negociuan në lidhje me këtë ligj dhe u vendos që të miratohen amendamentet, me përjashtim të njërit, çka solli votën abstenim të dy deputetëve, Idrizi e Tahiri. Amendamentet e dy deputetëve të PDIU-së përcaktojnë se çdo e dhënë që do të jepet nga qytetarët do të hetohet duke marrë për bazë regjistrimin e gjendjes civile. Kështu, nëse ndonjëri gënjen për kombësinë e tij, atij do t’i vendoset 100 mijë lekë gjobë dhe do t’i hiqet informacioni për kombësinë. Amendamenti i tretë që u rrëzuan në thelb kërkonte ndalimin e pyetjes për përkatësinë fetare. “Amendamentet tona, puna e Komisionit Qendror të Regjistrimit, një ligj eventual mbi përkatësinë etnike apo kombësinë – nëse doni shkojmë e marrim modelin grek të ligjit të kombësisë që është miratuar vetëm në vitin 2001 – synojnë dhe duhet të synojnë përputhjen e bazës ligjore me Kushtetutën”, tha kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi. Nga ana e tij, Genc Pollo u shpreh se amendamentet janë korrekte. “Projektligjit i janë bërë plotësime e saktësime nga Komisioni i Ligjeve. Kemi parë propozimet e PDIU-së, të cilat do të kërkoja që t’i votonit, pasi kemi arritur në një tekst kompromisi për të gjitha palët”, tha Pollo.
Ndryshimet
Propozimet e PDIU-së japin një garanci më shumë në lidhje me procesin e regjistrimit. Kështu, pavarësisht rezultatit që do të përfitohet nga censusi, të dhënat zyrtare të pranueshme ligjërisht do të jenë ato të regjistrit të gjendjes civile. Me pak fjalë, edhe nëse procesi i regjistrimit nxjerr më shumë minoritarë nga ç’mendohet, ky komunitetet do të qëndrojë në të njëjtat shifra sa te gjenda civile. Amendamentet e PDIU-së e detyrojnë INSTAT-in që jo vetëm të hetojë çdo deklaratë për kombësinë, por edhe t’i ballafaqojë ato me Regjistrin e Gjendjes Civile. “Ndryshimi bën të mundur që personi që do të përgjigjet, nëse nuk përzgjedh opsionin ‘nuk preferoj të përgjigjem’, por i adresohet thelbit të pyetjes, të detyrohet të japë një përgjigje të plotë, të saktë dhe të besueshme, për aq sa pyetja fakultative është një fakt objektiv. Kjo mundëson që statistikat e përpunuara nga censusi i popullsisë të jenë në përputhje me ‘qëllimin e regjistrimit’ që përbën nenin 1 të ligjit”, thuhet në relacion të ndryshimeve. Kështu, nëse dikush gënjen për kombësinë e tij në pyetësor, jo vetëm që do të dënohet me gjobën 100 mijë lekë, por INSTAT do të jetë i detyruar që të përfshijë në statistikat zyrtare të dhënat e sakta, pra ato që gjenden në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile. Amendamenti i PDIU-së që nuk u miratua nga Kuvendi, ndalonte në mënyrë taksative censusin mbi baza fetare, duke kufizuar mundësinë e pyetjeve të pyetësorit të censusit. “Mosmiratimi i këtij amendamenti, që do t’i jepte fund debatit mbi regjistrimin, bëri që PDIU të abstenojë në votim. Gjithsesi, suksesi i arritur, duke hequr mundësinë e abuzimit me këtë census, përbën një hap të rëndësishëm në drejtimin e duhur, që është ndalimi i këtij lloj censusi”, tha PDIU në një reagim zyrtar.
Pollo
Ministri për Inovacionin, Genc Pollo, iu kundërpërgjigj në distancë kritikëve për projektligjin, madje duke lëshuar akuza. “Shpreh keqardhje për denigrimin veresie që i bënë këtij projektligji zyrtarë, të cilët Kuvendi, përfshi edhe mua, i ka votuar pak vite më parë; dhe qysh atëherë ne rrimë e vështrojmë se si ata degradojnë ofiqin e tyre, madje nuk u mjafton as kjo, por tentojnë ndotjen edhe në çështjet e të tjerëve. Por, gjërat me kohë do të ecin në rrjedhën e tyre e problemet do të ndreqen”, tha Pollo.
AK: Censusi, tradhtia inovatore e Genc Pollos
Përfaqësues të Aleancës Kuq e Zi reaguan dje në lidhje me votimin në Kuvend të ligjit për regjistrimin e popullsisë, duke lëshuar akuza ndaj ministrit Genc Pollo. “Në vazhdën e saj të ndjekjes së rrugëve ligjore e kushtetuese, AK kërkon që deputetët e Kuvendit të mbrojnë me çdo kusht interesat e zgjedhësve të tyre. Dhjetëra mijëra qytetarë shqiptarë janë kundër regjistrimit mbi baza të vetëdeklarimit etnik e fetar. Censusi përbën tradhtinë inovatore të ministrit Pollo ndaj dinjitetit kombëtar. AK i kërkon ministrit Pollo të përkthejë fjalën “census”. Ministri i Inovacionit nuk mund ta kalojë lumin duke pështjelluar publikun me fjalët regjistrim apo census, të cilat në thelb janë e njëjta gjë. Madje, do të ishte mirë t’i rekomandonim të përdorë fjalët shqipe, duke e quajtur ‘numërim’, dhe jo ‘census’. Gjithashtu, duhet të bëjë transparente arsyet pse në formularin për regjistrimin e popullsisë është ende i përfshirë regjistrimi etnik e fetar. Inovacioni i regjistrimit nuk mund të reflektohet në fjalën e huaj ‘census’, ligjet shqiptare duhet të jenë në gjuhën tonë kombëtare”, thuhet në reagimin e kësaj organizate.
Ndryshimet në ligj
Neni 4, ishte:
“Të gjithë personat, me shtetësi shqiptare apo të huaj, si dhe personat pa shtetësi, me përjashtim të personelit diplomatik të akredituar në Shqipëri, të cilët në momentin e censusit ndodhen brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, janë të detyruar të japin informacionin të përcaktuar si të detyrueshëm në pyetësorët e censusit të popullsisë dhe të banesave të miratuar nga Komisioni Qendror i Censusit, në përputhje me shkronjën “e” të nenit 12 të këtij ligji:
a) në mënyrë të plotë;
b) në mënyrë të saktë dhe të besueshme”.
Neni 4, u bë (propozimi i PDIU):
“Të gjithë personat, me shtetësi shqiptare apo të huaj, si dhe personat pa shtetësi, me përjashtim të personelit diplomatik të akredituar në Shqipëri, të cilët në momentin e censusit ndodhen brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, janë të detyruar të japin informacionin e kërkuar në pyetësorët e censusit të popullsisë dhe të banesave, të miratuar nga Komisioni Qendror i Censusit, në përputhje me shkronjën “e” të nenit 12, të këtij ligji:
a) në mënyrë të plotë;
b) në mënyrë të saktë dhe të besueshme”.
Kuptimi i nenit:
Formulimi në fjalë e bën personin që do të përgjigjet që, nëse nuk përzgjedh opsionin “nuk preferoj të përgjigjem”, por i adresohet thelbit të pyetjes, të detyrohet të japë një përgjigje të plotë, të saktë dhe të besueshme, për aq sa pyetja fakultative është një fakt objektiv. Kjo mundëson që statistikat e përpunuara nga censusi i popullsisë të jenë në përputhje me “qëllimin e regjistrimit”, që përbën nenin 1 të ligjit.
Neni 6, ishte:
“1. Të dhënat e mbledhura nga censusi kategorizohen në:
a) identifikuese dhe personale të individëve;
b) identifikuese dhe strukturore të ndërtesave, banesave, banesave të jetesës kolektive.
2. Të dhënat e mbledhura nga censusi do të përdoren vetëm për qëllime statistikore, në përputhje me Ligjin Nr. 9180, datë 5.2.2004, ‘Për statistikat zyrtare’, dhe me standardet e rekomandimet ndërkombëtare.
3. Të dhënat e mbledhura nga censusi nuk do të përdoren për asnjë listë elektorale ose për përditësimin e asnjë regjistri të gjendjes civile dhe të asnjë regjistri tjetër administrativ”.
Neni 6, u bë (propozimi i PDIU):
“Kategoritë e të dhënave dhe përdorimi i tyre.
1. Të dhënat e mbledhura nga censusi kategorizohen në:
a) identifikuese individëve, të cilat janë: emri, atësia, mbiemri, adresa dhe identifikuesit topografikë;
b) personale të individëve, të cilat janë:
i. të dhëna të identitare jo më shumë se përbërësit e përcaktuar në nenin 6, pika 1, të Ligjit Nr. 10 129, datë 11.5.2009 ‘Për gjendjen civile’;
ii. të dhëna mbi arsimimin;
iii. të dhëna mbi gjendjen shëndetësore;
iv. të dhëna mbi emigrimin/imigrimin;
v. dhe/ose të dhëna mbi gjendjen ekonomike.
c) identifikuese dhe strukturore të ndërtesave, banesave, banesave të jetesës kolektive”.
2. Të dhënat e mbledhura nga censusi do të përdoren vetëm për qëllime statistikore, në përputhje me Ligjin Nr. 9180, datë 5.2.2004, ‘Për statistikat zyrtare’, dhe me standardet e rekomandimet ndërkombëtare.
3. Të dhënat e mbledhura nga censusi nuk do të përdoren për asnjë listë elektorale ose për përditësimin e asnjë regjistri të gjendjes civile dhe të asnjë regjistri tjetër administrativ.
4. Të dhënat e mbledhura identifikuese dhe personale të individëve, sipas përcaktimit të shkronjës ‘a’ dhe ‘b’, germa ‘i’ të pikës 1 të nenit nr. 8 të këtij ligji ballafaqohen me Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile. Në rast mospërputhjeje të të dhënave të mbledhura nga censusi me përbërësit e përcaktuara në nenin 6 të Ligjit Nr. 10 129, datë 11.5.2009 ‘Për gjendjen civile’, të dhënat e Regjistrit Kombëtar për Gjendjen Civile prevalojnë dhe merren për bazë, në shërbim të nenit 1 të këtij ligji”.
Dule: Qeveria po zvarrit regjistrimin e popullsisë
Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, shprehu rezerva për ligjin e regjistrimit të popullsisë. Ai e akuzoi qeverinë për shtyrjen e regjistrimit të popullsisë. Po ashtu, në këtë drejtim ai ka shtuar se politika të qeverisë kanë inkurajuar forca politike dhe politikanë që të jenë insistues në qëndrimet dhe politikat e tyre për ta mbajtur vendin larg axhendës europaine. “Regjistrimi i përgjithshëm i popullsisë mbetet instrument i vetëm që garanton në produktin e vet ato të dhëna thelbësore për shoqëri të organizuar, me qëllim hartimin e një filozofie që do të burojnë praktikat që do të respektojnë standardet e qytetarëve të një vendi. Në këtë kuadër, qeveria karakterizohet në aktivitetin e politikat e veta nga ecejake të dyshimta në një kohë që është premtuar dhe angazhuar zyrtarisht për zhvillimin e këtij regjistrimi. Fillimisht e planifikoi për pranverën e 2011-s. Por më pas mori vendimin me argumentet aspak bindëse për të shtyrë këtë proces për vjeshtën e 2011-s”, nënvizoi Dule. Ai kërkoi që në këtë projektligj të përfshihen elementet e përkatësisë etnike, të gjuhës anëtare dhe të besimit fetar.
ERALD KAPRI
© Panorama.al











