Kosova me 1.733.872 banorë, pa serbët

Jun 29, 2011 | 18:14
Sot, gjatë prezantimit të të dhënave

PRISHTINE- Enti i Statistikave i Kosovës (ESK) bëri sot publike shifrat që janë përftuar nga regjistrimi i fundit i popullsisë, ku nuk janë përfshirë komunat me shumicë serbe.

ESK bëri me dije se numri i përgjithshëm i banorëve në Kosovë është 1.733.872, duke përjashtuar Leposaviqin, Zubin Potokun, Zveçanin dhe pjesën veriore të Mitrovicës.

Numri përfshin regjistrimin në 34 komuna, proces ky i cili është kryer në muajin prill të këtij viti, por që ka hasur në rezistencë në komunat veriore të banuara me shumicë serbe, ku për momentin nuk ka ndonjë plan konkret për të bërë regjistrimin në këto vende.

Sipas të dhënave të ESK-së, numri i banorëve që jetojnë në Prishtinë është 198.214.

Këto të dhëna, të cilat janë rezultatet paraprake, u publikuan në takimin e sotëm që Enti i Statistikave mbajti me gazetarë. Rezultatet përfundimtare do të publikohen vitin e ardhshëm, në periudhën maj – qershor.

E përditshmja Express shkruan se, në regjistrimi i fundit në Kosovë, në të cilin kanë marrë pjesë të gjitha etnitë, të mbajtur më 1981,  Kosova kishte një popullsi prej 1,584,440 banorësh.

Ndërkohë, sipas vlerësimit të vitit 1991, në regjistrimin e bojkotuar asokohe nga shqiptarët, Kosova kishte 1,956,196 banorë.

 

© Panorama.al

Te lidhura