TIRANË- Projektin e dytë më të rëndësishëm për vendin dhe shtetin e ka quajtur kreu i qeverisë, projektin e financuar nga BE dhe zbatuar nën kujdesin e OSBE-së, për regjistrin e tokës në zonën bregdetare të jugut të vendit. “Kjo do të jetë një hostori suksesi, ashtu si ishte ai i Gjendjes Civile”- tha Berisha, duke e vlerësuar regjistrin e pasurive të paluajtshme si objektin e parë dhe më madhor të axhendës dixhitale të qeverisë.
Ai ka premtuar mobilizimin e gjithë resursvee njerëzore dhe financiare për të përfunduar regjistrin e pasurive të paluajtshme deri më 1 maj të vitit 2013, duke e përcaktuar objektivin madhor të këtij mandati. Berisha ka falenderuar OSBE që sipas tij ka krijuar një eksperiencë të cmuar, pas përfundimit të projektit të regjistrit të gjendjes civile.
“Regjistri i pasurive të paluajtshme në vlerësimin timë pas atij të gjedjes civile është më i rëndësishmi i shtetit dhe vendit. Ky regjistër në njëfarë mënyre është dhe themelori i sistemit që bazohet në pronën shumëformëshe dhe ekonominë e tregut. Përpjekje të shumta po bëhen për finalizimin e këtij regjistri. Territori i përzgjedhur nga ky projekt i BE janë në një nga zonat më problematike, por dhe më të rëndësishme”- tha ai.
Sipas Berishës, brenda majit 2013 do të kemi pasqyrën dixhitale të Shqipërisë aktuale në njerëz, banesa dhe prona.
Ne aktivitetin e sotem merrnin pjese edhe ambasadori i BE-së Etore Sequi dhe ai i OSBE-se, Wollfarth.
Sipas Sequi ky projekt është i rëndësishëm për turizmin, rregullon kuadrin ligjor për pronat dhe kontribuon në integrimin evropian të Shqipërisë. Nderkohe sipas Wollfarth procesi siguron informacione të sakta dhe komplekse në lidhje me pronën.
Ai ka theksuar se shteti ka përgjegjësi për njohjen e pronës dhe ky projekt zgjidh konfliktet për pronën duke qenë se pronat regjistrohen.
© Panorama.al











