Regjistrimi i popullsisë, AK: Greqia autore e ligjit

Aug 4, 2011 | 10:37

Aleanca Kuq e Zi ka akuzuar sot Greqinë si autore dhe nxitëse e ligjit për regjistrimin e popullsisë, ndërsa ka kërkuar nga ministri i Inovacionit, Genc Pollo sqarime.

“Presioni i parlamentit grek për të dërguar vëzhgues gjatë regjistrimit etnik zbulon hapur autorësinë dhe nxitësit e ligjit për regjistrimin e popullsisë, dhe natyrisht heshtja e ministrit inovator të Shqipërisë ndaj këtij presioni pasqyron marrëveshjen. Nga ana tjetër, mediat greke nuk kanë ngurruar të konsiderojnë Himarën e Nartën e Vlorës si pjesë të Greqisë menjëherë pas miratimit të ligjit në Kuvendin e Shqipërisë.”- thuhet në një reagim të AK-së ndaj deklaratave të fundit nga eksponentë të Greqisë.

AK e ka konsideruar të papranueshëm presionin e qeveritarëve grekë ndaj çështjeve të brendshme të Shqipërisë siç është regjistrimi i popullsisë.

Më tej në reagimin e saj, AK ka sqaruar se në Shqipëri nuk ka banorë të cilëve u është hequr arbitrarisht shtetësia greke, dhe se kjo nuk mund të jetë shkak për të përfshirë të dhënat e regjistrimit të popullsisë në regjistra; siç ka deklaruar ditën e djeshme deputeti opozitar Konstantinos Gioulekas.

Aleanca Kuqe Zi i ka bërë thirrje ministrit të Inovacionit, Genc Pollo të përgjigjet ndaj thirrjeve e presioneve në rritje të Greqisë për të sqaruar pozicionin e tij dhe të shkaqeve të miratimit të këtij ligji sipas preferencave greke.

 

© Panorama.al

Te lidhura