Regjistrimi etnik, dorëzohet në Kuvend ligji me 20 firma qytetarësh

Jun 23, 2011 | 12:14
Përfaqësues të Aleancës Kuq e Zi, dje në Kuvendin e Shqipërisë

Për herë të parë, 20 mijë zgjedhës shqiptarë i drejtohen Kuvendit të Shqipërisë për të ndryshuar një ligj. Aleanca Kuq e Zi dorëzoi dje peticionin me 20 mijë firma qytetarësh që kërkojnë ndryshimin e dy neneve në ligjin për regjistrimin e popullsisë dhe banesave. Në këto ndryshime, Aleanca Kuq e Zi kërkon që të hiqet nga pyetësori regjistrimi në baza etnike dhe fetare. “Kushtetuta e Shqipërisë përcakton qartë që në preambulë se shteti shqiptar synon një shtet të së drejtës të mbështetur në frymën e tolerancës dhe të bashkëjetesës fetare dhe në nenin 10 të saj parashikohet se në Republikën e Shqipërisë nuk ka fe zyrtare dhe se shteti është asnjanës në çështjet e besimit e të ndërgjegjes. Qytetarët në Republikën e Shqipërisë kanë të drejtë të shprehin lirisht, pa u ndalur e as detyruar, përkatësinë e tyre fetare, etnike dhe kulturore. Por, kjo liri e tyre nuk përbën një detyrim për institucionet shtetërore për inventarizimin e tyre”, deklaroi Endri Shabani, përfaqësuesi i kësaj organizate para Kuvendit. sipas relacionit përkatës, kjo organizatë propozon që në nenin 3 të shtojë fjalinë: “Në çdo rast, kur ka mospërputhje midis të dhënave si rezultat i regjistrimit me të dhënat e pasqyruara në aktet e gjendjes civile, këto të fundit kanë përparësi”. Ndërkaq, në nenin 4 të ligjit propozon këtë përmbajtje: “Me qëllim ruajtjen e laicitetit të shtetit shqiptar, si edhe të frymës së tolerancës dhe të bashkëjetesës, të dhënat e regjistrimit të popullsisë sipas këtij ligji nuk do të përfshijnë përkatësinë etnike dhe fetare”. Në të njëjtin relacion thuhet më tej se regjistrimi i kombësisë dhe fesë, sipas këtij ligji, mund të krijojë problem në besueshmërinë e të dhënave, për sa kohë nuk është qartësuar nëse të dhënat janë të verifikueshme dhe nëse po, ç’do të ndodhë me ato të dhëna, të cilat nuk i përgjigjen një situate të vërtetë. Sipas Aleancës Kuq e Zi, si rezultat i këtij regjistrimi, jo vetëm do të ketë problem në sigurinë e saktësisë së të dhënave për shkak të metodologjisë së përzgjedh-ur, jo vetëm që këto të dhëna do të jenë të kontestueshme, pasi ato mund të bien në kundërshtim me të dhënat e siguruara nga regjistrimi në regjistrat e gjendjes civile, por do të ketë edhe një kosto financiare, e cila më pas mund të shkojë dëm për shkak se në fund të dhënat që duhet të merren për bazë janë tashmë të disponueshme në regjistrat e gjendjes civile.

20 mije
firma parashikon Kushtetuta e Shqipërisë për të propozuar një projektligj në Kuvend. Të drejtën e propozimit të projektligjeve e ka çdo deputet, Këshilli i Ministrave, si dhe 20 mijë zgjedhës

Deklarata e ministrit
Ministri përgjegjës për regjistrimin e popullsisë, Genc Pollo, tha në një shkrim për gazetën “Panorama”, se procesi i regjistrimit të popullsisë do të zhvillohet në muajin tetor. “Si ofiqari përgjegjës për censusin 2011, do të doja të njoftoja publikun e interesuar se ky numërim i popullsisë dhe i banesave do të realizohet në muajin tetor të këtij viti. Censusi do të na ofrojë të dhëna të plota e të sakta për strategji të mirëmenduara dhe do të na sigurojë para publike të mirëshpenzuara”, tha Pollo.

© Panorama.al

Te lidhura