
Protesta mbyllet pa incidente, Krasniqi: Me fusnotën merret Kushtetuesja.
Vetëvendosje ka mbyllur pa incidente protestën e djeshme kundër marrëveshjes për fusnotën, duke paralajmëruar se së shpejti do të nisë “Pranvera kosovare”. Marrëveshja e kundërshtuar është ajo për nismat rajonale të Kosovës, në të cilën vendi do të përfaqësohet vetëm me emrin “Kosovo” pa termin “Republikë” dhe do të ketë sqarime të mëtejshme se ky term bazohet në rezolutën 1244 dhe opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Por heqja e termit “Republikë” ka zemëruar jo pak politikanë brenda vendit, për më tepër që propozimi i Kosovës për të futur në sqarimin e fusnotës edhe Deklaratën e Pavarësisë ka dështuar. Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e ka quajtur marrëveshjen si një pakt personal të Kryeministrit Thaçi, për të cilin nuk duhet të detyrohen institucionet e Kosovës.
Konfrontimi me policinë
Protesta e Vetëvendosjes u organizua para ndërtesës së qeverisë, me objektivin për të penguar punën e këtij institucioni për katër orë, që të mos hynte e të mos dilte askush nga kjo ndërtesë nga ora 12:00 e për katër orët në vazhdim. Policia kishte vendosur pengesa metalike, të cilat janë kaluar nga protestuesit e Vetëvendosjes, që sipas lëvizjes ishin me mijëra, por sipas Policisë ishin vetëm 600 veta. Ndërkohë Policia, e cila e ka cilësuar të jashtëligjshme protestën, pasi sipas tyre nuk ishte marrë leje në institucionet përkatëse, ka angazhuar rreth 2 mijë trupa për të garantuar sigurinë. Protestuesit janë konfrontuar lehtë me policinë, që kishte formuar një kordon afër ndërtesës së qeverisë, por nuk janë raportuar të lënduar apo incidente të rënda nga asnjëra palë.
Refuzohet seanca e jashtëzakonshme
Me gjithë mbledhjen e 15 mijë nënshkrimeve për mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme në Kuvend mbi fusnotën me të cilën do të përfaqësohet Kosova, Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka refuzuar të thërrasë mbledhje të jashtëzakonshme të Parlamentit. Kryetari i Parlamentit, Jakup Krasniqi, tha se të drejtën për të thirrur seancë të jashtëzakonshme e kanë vetëm Presidentja, Kryeministri, si dhe kërkesa me nënshkrimin e 40 deputetëve. Ndërsa mbledhja e mbi dhjetë mijë nënshkrimeve vlen vetëm për nisma qytetare dhe jo mbledhje të jashtëzakonshme. Megjithatë, Krasniqi shprehu edhe pakënaqësinë që marrëveshja nuk ishte dorëzuar ende në Kuvend. Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, tha se legjislativi i vendit nuk ka asnjë dokument të marrëveshjes për përfaqësim rajonal dhe interpretimin e saj ka të drejtë ta bëjë vetëm Gjykata Kushtetuese e Kosovës.
Qeveria përshëndet protestuesit
Qeveria në Prishtinë ka shprehur mirënjohjen për qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët protestuan në mënyrë paqësore në protestën e organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje. Sipas qeverisë, e drejta për të protestuar në mënyrë paqësore është e garantuar me Kushtetutë dhe, si e tillë, do të respektohet gjithmonë nga institucionet demokratike. Por qeveria ka shprehur zhgënjimin e saj lidhur me veprimet manipuluese politike të Lëvizjes Vetëvendosje për t’i nxjerrë në protestë qytetarët e Kosovës, që nuk e fshehin qëllimin e saj për ta rrëmbyer pushtetin demokratik nëpërmjet protestave.
Policët serbë
Gjykata e EULEX ka vendosur masën e paraburgimit prej 1 muaji për gjashtë pjesëtarët e Ministrisë së Brendshme serbe, të arrestuar të shtunën në mbrëmje në rajonin e Gjilanit. Ata akuzohen se kanë vepruar kundër interesit juridik të Kosovës. Atyre u janë gjetur uniforma të Policisë serbe e distinktivë të MUP-it serb. Çështjen tani e ka marrë në dorë EULEX-i.
Shtyhen bisedimet
Ndërmjetësuesi i dialogut Prishtinë-Beograd, Robert Kuper, tha se dialogu mes ekipit të Edita Tahirit dhe atij të Borisllav Stefanoviçit nuk do vazhdojë për shkak të zgjedhjeve që do të mbahen në Serbi. “Ne kemi pasur 9 raunde bisedimesh të suksesshme, me disa marrëveshje shumë të rëndësishme të arritura. Por pas raundit të 9-të, do ketë një pauzë, për shkak se në Serbi do ketë zgjedhje. Kjo procedurë është respektuar edhe kur kishte zgjedhje në Kosovë, ku dialogu është pezulluar përkohësisht”, tha Kuper.
Jahjaga
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, përmes zërave të fortë kundër fusnotës që do të përfaqësojë Kosovën në takimet rajonale, tha në një intervistë për “Al-Jazeera Balkans” se do të vijë dita kur Kosova dhe Serbia do të shkëmbejnë ambasadorët. Jahjaga theksoi se Kosova është angazhuar në dialog me Serbinë për të përmirësuar jetën e qytetarëve të të dyja vendeve. Ajo shtoi se Kosova po punon për të përmbyllur pavarësinë e mbikëqyrur dhe për të plotësuar kushtet drejt integrimit në Bashkimin Europian.
Ashton
Kryediplomatja europiane, Katerin Ashton, tha pak para fillimit të mbledhjes së ministrave të Jashtëm të BE-së, se marrëveshja për përfaqësimin rajonal të Kosovës ishte një sukses i madh, dhe se liderët e të dy vendeve kanë dhënë garanci se marrëveshja do të respektohet. Sipas “Koha Ditore”, Ashton është shprehur se “kam qenë në kontakt të vazhdueshëm personal me Presidentin Boris Tadiç dhe me Kryeministrin Hashim Thaçi, që të jem e sigurt se ajo për të cilën u morën vesh, do të respektohet plotësisht”.
© Panorama.al











