Reformimi burgjeve si institucione të disiplinës dhe riedukimit

Apr 20, 2024 | 8:49
SHPËRNDAJE

NGA GËZIM TUSHI GËZIM TUSHI

Këto kohët e fundit në shoqërinë shqiptare është folur shumë për burgjet si institucione të ndëshkimit dhe riedukimit, por edhe për pozitën, statusin, të drejtat e njeriut me “liri të privuar” përkohësisht. Kanë folur shumë personalitete të qeverisë, policisë, medias, Avokati i Popullit, shoqëria civile etj.. Ky sensibilitet social është plotësisht i merituar, sepse në jetën moderne burgjet ekzistojnë si institucione të vuajtjes së dënimit për ata që shkelin ligjet dhe bëjnë krime, por edhe për një ridimensionim social të statusit institucional, për funksionalitetin dhe thelbin deontologjik të ndryshuar të burgjeve në Shqipëri.

Sepse me sa, duket në demokraci, në kushtet e shfaqjeve të patologjive sociale, që janë të natyrshme në sistemin e jetës moderne, burgjet nuk janë institucione periferike apo që duhen trajtuar me difidencë e pezhorativitet social, si institucione të trajtimit dosido të njerëzve që shkelin ligjin dhe që gabimisht shfaqet një prirje e gabuar e trajtimit të tyre si “mbetje njerëzore”. Koncepti i trajtimit të burgut thjesht si “institucion i turpit social”, është shumë i vjetër, jashtë kohës modern, tipikisht mesjetar. Kjo optikë e deformuar sociale, ky shikim semplist është i përmbysur përfundimisht nga struktura e jetës sociale dhe imperativat e ndërlikuara të kohës moderne. Në këtë kontekst, përtej diskutimeve të përcipta të bëra kohët e fundit, debateve të “nxehta” parlamentare për çështjen e legjitimitetit të amnistisë së realizuar më në fund, është e udhës që të mendojmë më gjerë, të merremi më shumë me statusin e këtyre institucioneve me shumë rëndësi për rehabilitimin e vërtetë të të dënuarve, si një nga kushtet për të garantuar normalitetin e jetës publike.

Ka ikur koha kur anatemimi për burgun si institucion, burgosjen si proces ligjor dhe statusin e vuajtjes së dënimit nga i burgosuri ishin sintezë sociale opake, për të cilën ose nuk flitej, ose flitej heshturazi, me droje si pjesë “sektorit më të errët të jetës sociale”, koha kur i burgosuri për shkak të fajit të vet, “humbte përfundimisht gjithçka” nga personaliteti dhe të drejtat e barabarta në jetën sociale, kur ai damkosej gati me profilin e një qenieje të tjetërsuar, në shumë raste deri në kufijtë absurd të “antinjeriut”. Sot gjërat kanë ndryshuar dhe akoma më shumë duhet të ndryshojnë në rishikimin ligjor, human e kulturor të këtij “triniteti”: njerëzor, social e juridik. Reformimi së pari konceptual i këtij “triniteti” është i domosdoshëm dhe përputhet plotësisht me nevojën e pashmangshme të ndryshimit, duke favorizuar procesin e humanizimit të raportit midis tyre.

Kjo do të thotë se është momenti që këto institucione duhen parë me një sy tjetër, më human. Natyrisht, pa mohuar nevojën e ekzistencës së burgjeve si institucione të dënimit, ndëshkimit nga njëra anë, por dhe të disiplinës (sipas Michel Foucault) dhe njëkohësisht të riedukimit. Jemi në kohën e duhur dhe pikërisht është koha që kërkon reflektim e ndryshim të thellë konceptual dhe metafizik për ata që burgosen, që shkelin ligjin apo kryejë vepra të ndryshme penale. Ndryshe nga shikimi i dikurshëm ideologjik e mesjetar i të burgosurit, që tri dekada më parë konsiderohej si “antiqytetar”, qenie shoqërisht e anatemuar dhe publikisht i përçudnuar, tani shteti, shoqëria dhe familja e kanë së bashku detyrë sociale, obligim juridik, shoqëror e human që të burgosurin, atë njeri që vuan dënimin për fajin e vet, duhet ta shikojnë në të njëjtën kohë me mundësinë e evolucionit të tij pozitiv, sepse sikurse thotë sociologu Primo Levi, i burgosuri duhet parë “si njeri me integritet, që edhe pse i burgosur duhet të jetë në kushtet e zotërimit të plotë të fuqisë së tij fizike e morale, si kusht për rehabilitim.

Ka qenë një deformim i madh politik e kulturor, që ende e kemi si reminishencë nga e kaluara, që të burgosurit në jo pak raste shikohen vetëm si “statistikë sociale”, si masë sociale “gri” dhe “turmë gati anonime”, si seri homologe sociale e njerëzve të njëllojtë. Koha kërkon një qëndrim të reformuar në përmbajtjen e konceptit, format e institucioneve të burgut, mënyrat e trajtimit të të burgosurve. Sepse edhe pse në gjendje izolimi social dhe restriksioni individual, të privuar prej mungesës së lirisë sociale, të burgosurit janë njerëz që nëse trajtohen sipas standardeve humane, është e mundur, është e provuar, e eksperimentuar dhe e vërtetuar me fakte e statistikë, që shpeshherë rrethanat normale të burgosjes i ndihmojnë, ata që përtej gjendjes së natyrshme të dëshpërimit, të shtojnë forcën personale dhe besimin individual, jo vetëm për të përballuar situatën kalimtare, por madje duke e forcuar zgjuarsinë që nganjëherë zgjerohet në kufijtë e nevojës që buron nga privimi i lirisë.

Duke e vlerësuar këtë së pari si nevojë sociale dhe doemos edhe si komponent human, është padiskutueshme që tipologjia e burgjeve aktuale ka nevojë për ndryshime thelbësore strukturore, psikologjike e didaktike, për të marrë vërtet funksionet dhe vlerat e integruara të institucioneve të riedukimit. Pavarësisht situatave aktuale dhe raportet e shoqërisë me agravimin në nivele të pajustifikuara të dhunës dhe krimit në familje e shoqëri, nuk mund të konsiderohet si zgjidhje adekuate ideja arkaike, se vetëm kur i “mbyllim njerëzit në burg” familja dhe shoqëria qetësohet prej tyre. Kjo logjikë reduksioniste është si të “lash duart” nga e keqja sociale, që shpesh herë nëse shpreson se mund ta zgjidhësh vetëm nëpërmjet burgosjes, e keqja sociale jo vetëm nuk shërohet, por llumi i krimit në shoqëri trashet më shumë. Burgu në përgjithësi ka impakte kontroversale në aspektet sociale dhe edukative. Shpesh herë, madje në shumicën e rasteve burgu duke qenë thjesht një “institucion konservator” vetëm i dënimit dhe ndëshkimit, duke mbetur në këtë format dhe tipologji, ndikon që të burgosurit, sidomos ata të dënuar për krime në vend që të riedukohen, përkundrazi për faj të ngushtësisë tradicionale të burgjeve, i bën të burgosurit më kokëfortë dhe ua ngushton edhe më shumë perspektivën e ngushtë që ata kanë për jetën dhe botën.

Në këto kushte, duhet menduar më shumë për këto institucione, që vërtetë janë njëherësh të vështira e delikate, në mënyrë që të përmirësojmë filozofinë institucionale, deontologjinë profesionale duke përmirësuar përbërjen e ekipeve multidisiplinare, mjete materiale e aksesorë të nevojshëm, në mënyrë që mund të ndihmojnë të burgosurit, që edhe pse në kushtet e burgut dhe privimit të lirisë, ata të mund të pësojnë metamorfoza sociale pozitive, duke ndryshuar veten dhe qëndrimin ndaj jetës.

A është në rregull ky sistem burgjesh që kemi, apo duke parë dështimet, duhet menduar për reformimin konceptual dhe institucional të tyre. Pyetja që duhet shtruar është, sa vlerësim ka për filozofinë e institucioneve të dënimit dhe në të njëjtën kohë, cili është impakti riedukimit të të burgosurve me këtë strategji e tipologji pune që bëhet në këto institucione? Më qartë a korrigjohen apo degradojnë më shumë vuajtësit e dënimeve dhe kur ata dalin nga burgu, cila është kahja e evolucionit social të tyre? Kanë ndryshuar nga situata para burgosjes apo akoma më keq, janë përkeqësuar dhe për pasojë e kanë më të lehtë që edhe në liri të përsërisin atë që kanë mësuar në burgje? Këtu përballen disa filozofi, gjykime, opinione e paragjykime institucionale, të cilat duhen marrë në konsideratë.

Nëse marrim në konsideratë tipologjinë e jetës në burgje, situata përgjithësisht kudo, sikurse thonë sociologët bën që njerëzit të jetojnë në kushtet kur “…oborri i burgut bëhet një xhungël ku mbizotëron i forti dhe mbretëron frika. Është parajsa e psikopatit, një mjedis ku mizoria e ftohtë fiton betejën e përditshme”. Madje sipas tyre, kur njerëzit jetojnë për një kohë të gjatë nëpër burgje, ata edhe kur lirohen, rikthehen përsëri tek krimi dhe ose përfundojnë në burg, ose fshihen dhe përzihen me “vrimat e qelbëzuara të shoqërisë”.

Unë besoj se nuk mund të mbyllim sytë përballë realiteteve tona, as të fshihemi pas “moralit të strucit”. Përkundrazi është koha për reflektim, për të bërë atë që duhet nëpërmjet një debati të gjerë social, për tipologjinë e burgut dhe rolin dhe raportet e tij me jetën moderne. Për këtë çështje ka pikëpamje të ndryshme liberale e konservatore. Bota juridike është e qartë në qëndrimin e vet, sepse përgjithësisht ajo kërkon që ata njerëz që kanë kryer veprime kriminale, që janë jashtë “kufijve njerëzore”, duhet të ndëshkohen me burg dhe të vuajnë për krimet e tyre.

Kjo është pikëpamja juridike, e cila duhet kombinuar me rolin social dhe ndikimin psikologjik të burgut mbi të burgosurin. Gjatë burgosjes së një personi, shoqëria ka dy mundësi: E para ose do ndikojë duke forcuar qarqet që janë përgjegjëse për dhunën, impulsivitetin, agresivitetin, ose e dyta do forcojë qarqet që janë përgjegjëse për vetëkontrollin, meditimin dhe aftësitë për t’iu bindur ligjeve. Sido që të themi, burgu në përgjithësi mbetet një shkollë e egër, ku njerëzit më së shumti mësojnë kriminalitetin dhe perfeksionojnë treguesit e “karrierës kriminale”. Dhe të mos harrojmë që sot popullsia në burgje në disa vende të perëndimit është shtatë herë më e lartë se tri dekada më parë. Besoj se në këto shifra duhet të jemi edhe ne, që kemi më shumë se 5 mijë të burgosur. Por ajo që duhet kuptuar filozofikisht dhe humanisht, është fakti që të burgosurit nuk janë thjesht “statistika”, ata janë së pari e mbi të gjitha njerëz, pjesëtarë të shoqërisë dhe familjeve tona.

ërmirësimin e sistemit të burgjeve?

-E para, është nevoja e punës edukative që ndikon për parandalimin e krimit dhe për pasojë edhe të burgosjes.

-E dyta, përdorimin konstruktiv të kohës së qëndrimit në burgje.

-E treta, riintegrimi i të burgosurve të liruar në një rrjet marrëdhëniesh sociale e punësimi, që do të ndihmojë ata të qëndrojnë përfundimisht jashtë burgut.

-E katërta, aplikimi më i zgjeruar, por i merituar i liridaljeve dhe amnistive. Liridaljet janë leje të përkohshme të mosqëndrimit në burg për shkaqe apo qëllime mjekësore, fetare apo edukative. Koha ka treguar se “programi liridaljeve të përkohshme”, është shumë efektiv për sistemin e burgjeve, por edhe metamorfozën e të burgosurit. Zakonisht kjo lloj liridaljeje aplikohet me qëllime edukative vlerësuese, si vlerësim i personalizuar për të burgosurit që janë afër afatit të lirimit. Qëllimi është krijimi i hapësirës paraprake për të burgosurit, që të fillojnë të orientohen dhe të adoptohen me jetën sociale në botën jashtë burgut.

Të gjitha këto masa dhe shumë të tjera, që vijnë nga “praktikat e mira” të sistemit europian të burgjeve, përbëjnë kusht dhe është rruga e duhur për riedukimin social dhe uljen e agresivitetit të atyre që kryejnë dënime të shkallëve të ndryshme dhe që nuk shfaqin më sjellje antisociale kur lirohen nga burgu.

Sociolog ‘Mjeshtër i Madh’

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura