
Ngrijnë takimet mes përfaqësuesve të PS e PD për reformën zgjedhore e parlamentare.
Gjiknuri: S’ka negociata pas ikjes së Berishës në SHBA.
Zgjedhja e Presidentit ka bllokuar reformën zgjedhore dhe atë parlamentare. Tashmë palët shprehen të sigurta se data 24 maj nuk mund të arrihet për të përmbyllur reformën zgjedhore, ashtu siç kanë kërkuar zyrtarët e lartë të Komisionit Europian. Përfaqësues të lartë të Komisionit Europian kërkuan që reforma të përmbyllet përpara zgjedhjes së Presidentit. Por pasi ka dështuar edhe para tre përfaqësuesve të ODIHR-it të cilët u vunë në dispozicion të Komisionit të posaçëm parlamentar të Reformës Zgjedhore, përfaqësuesit e të dyja partive u angazhuan se do të vazhdonin negociatat dhe kontaktet e tyre edhe në nivel politik e në nivel ekspertësh për të gjetur pika bashkimi për çështjet e mbetura pa një vendimmarrje. Por asnjë negociatë nuk është zhvilluar këtë fundjavë, ndërsa Kryeministri dhe shefi i tij i kabinetit, Oerd Bylykbashi, pjesë e Komisionit të Reformës, kanë fluturuar drejt Çikagos për të marrë pjesë në samitin e NATO-s.
I kontaktuar në telefon, bashkëkryetari socialist i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri, tha se maxhoranca kërkon ta çojë reformën zgjedhore pas zgjedhjes së kreut të shtetit. “Me ikjen e Berishës në Çikago, janë zhdukur dhe përfaqësuesit e Partisë Demokratike, me të cilët bisedonim dhe konsultoheshim për të arritur afatin e dhënë dhe nga Komisioni Europian për këtë reformë, që është 24 maji. Me shumë gjasa reforma zgjedhore do të shtyhet për shkak të zgjedhjes së Presidentit të ri, pasi maxhoranca ka ngrirë çdo negociatë dhe diskutim rreth saj”, u shpreh Gjiknuri për “Panorama”.
Reforma
PD dhe PS ndahen në disa pika lidhur me reformën zgjedhore. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është pika ku palët nuk e tolerojnë njëra-tjetrën. Të majtët kanë propozuar një sërë variantesh për mënyrën e zgjedhjes së anëtarëve të KQZ-së, por dakordësia ka mbetur pezull për zgjedhjen e anëtarit të shtatë. PS-ja ka propozuar që gjashtë anëtarët e KQZ-së të emërohen me variantin aktual, ku nga dy kanë partitë e mëdha dhe nga një partia e dytë më e madhe e opozitës dhe partia e dytë më e madhe e maxhorancës. Ndërsa i shtati (kryetari) të jetë një kandidat i Gjyqësorit. Sipas opozitës, KLD-ja, Gjykata e Lartë, Avokati i Popullit dhe Dhoma e Avokatëve të propozojnë nga dy kandidatë. Parlamenti, nga tetë emra që do t’i vijnë, të zgjedhë dy prej tyre dhe ata t’i hedhë në votim. Pezull ka mbetur kërkesa e PS-së për hapjen e kutive. Të majtët kërkojnë që procesi i hapjes së kutive të realizohet në çdo rast, kur dy anëtarë të KQZ-së kërkojnë verifikimin e materialeve zgjedhore. Ndërsa PD kërkon vijimin e punës së KQZ-së deri në përfundim të mandatit të tij në dhjetor të këtij viti, ndërsa formula e zgjedhjes së anëtarëve të tij të mbetet ajo aktuale. Gjithashtu palët nuk kanë gjetur konsensus për aplikimin e numërimit elektronik të votave në disa zona të vendit, ndërsa identifikimi elektronik i zgjedhësve do të bëhet pa transmetuar on line të dhënat personale të votuesit.
Kryeministri
Kreu i maxhorancës, Sali Berisha, hodhi poshtë propozimin e PS për anëtarin e shtatë të KQZ-së, të cilët kërkojnë ta zgjedhin ose nga institucionet e pavarura të vendit, ose nga Presidenti i Republikës. Berisha ka akuzuar socialistët se kërkojnë të zgjedhin kryetarin e KQZ-së nga Avokati i Popullit, një drejtues i zgjedhur nga zyrat e Partisë Socialiste. Kreu i maxhorancës ka përsëritur qëndrimin e tij se përmirësimet në Kodin Zgjedhor do të bëhen në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it.
Reforma parlamentare, Bushati: PD s’ka vullnet
Reforma parlamentare mbetet e bllokuar, ndërsa anëtarët e saj nuk janë mbledhur prej një muaji. Palët vazhdojnë të mbajnë qëndrime të ndryshme lidhur me votimin e fshehtë në Parlament për dekretet e Presidentit të Republikës, si dhe për votimin me zarf për zgjedhjen e kryetarit të shtetit. Partia Demokratike këmbëngul në qëndrimin e saj, se propozimet që socialistët sjellin për reformën parlamentare, nuk i referohen Rregullores së Parlamentit Europian. Anëtari i grupit të punës për reformën parlamentare, Ditmir Bushati, tha dje se “maxhoranca nuk ka vullnet për të përfunduar këtë reformë”. Sa i takon votimit të fshehtë me propozim të Partisë Socialiste, në Rregullore është bërë një saktësim, sipas të cilit, nëse e kërkon ¼ e deputetëve, votimi bëhet me kuti; në të kundërt, ai bëhet me elektronikë. “Kur kërkohet me shkrim, nga të paktën ¼ e të gjithë deputetëve, votimi i fshehtë bëhet me fletë votimi”, thuhet në pikën 3 të nenit 60. Ndërsa për kohën që merr Kryeministri apo ministri propozues i ligjit në një seancë parlamentare, thuhet se “për paraqitjen e projektligjeve, Kryeministri dhe ministri kundërfirmues kanë të drejtë të flasin pa kufizim kohor”.
ARISTIR LUMEZI
© Panorama.al











