Reformat, PS kërkon negociata me PD

Jun 16, 2012 | 12:37

Namik Dokle

Apeli i opozitës për të nisur kontaktet për reformën parlamentare: PD të japë konsensus.

Dokle: Të ulemi me maxhorancën e ta mbyllim sipas kritereve të BE.

Pas mbylljes së procedurave për zgje-dhjen e kreut të ri të shtetit, opozita i bën thirrje maxhorancës të nisin dialogun për përmbylljen e reformës parlamentare. Bashkëkryetari socialist i grupit të punës për reformën në Kuvend, Namik Dokle, tha dje se palët duhet të ulen sërish për të hartuar një draft përfundimtar me konsensus, që të kalojë për votim në Parlament. “Fryma që kërkohet të dominojë në politikën shqiptare, fryma e reformave që kërkohet nga BE dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mendoj që të jetë një kambanë e fortë edhe për maxhorancën, në mënyrë që të ulemi dhe ta përfundojmë edhe këtë reformë. Reforma parlamentare në asnjë rast dhe në asnjë mënyrë nuk mund të ndahet nga reforma zgjedhore, që është një reformë prioritare përsa i përket veprimit të Parlamentit”, deklaron Dokle. Pas rreth gjashtë muaj takimesh mes katër deputetëve Namik Dokle e Ditmir Bushati nga PS dhe Jemin Gjana dhe Viktor Gumi nga PD, diskutimi ngeci në dy pika për të cilat palët nuk gjetën konsensusin për asnjë moment. “Kanë mbetur ato dy pika që ju i dini: votimi i fshehtë dhe e drejta e fjalës së opozitës në Parlament, në bazë të të gjitha kritereve, parimeve dhe standardeve të Bashkimit Europian. Maxhoranca ende nuk ka dhënë konsensus për këtë”, shprehet Dokle. Në vlerësimin e maxhorancës, si kufizimi i kohës së Kryeministrit, ashtu dhe votimi i fshehtë në Parlament, bien ndesh me Kushtetutën. Pak javë më parë, bashkëkryetari demokrat i grupit të punës, Jemin Gjana, i quajti të përmbyllura ndërhyrjet në dokumentin e funksionimit të brendshëm të Kuvendit, duke deklaruar se nuk do të kërkojë e as do të pranojë shtyrje tjetër mandati për këtë çështje. “Janë dy çështje jo në përputhje me mandatin që ka ky grup pune, sepse të dyja këto çështje prekin çështjet e interpretimit të dispozitave kushtetuese, si ajo që ka të bëjë me votimin e dekreteve të Presidentit, edhe ajo që ka të bëjë me fjalën e Kryeministrit në seancë plenare”, u shpreh bashkëkryetari demokrat i grupit të punës, Jemin Gjana. Pas këtij qëndrimi të kundërt mes palëve do të duhet vetëm një vullnet politik i Kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të PS-së, Edi Rama, për ta rihapur diskutimin. Parimisht të dy janë shprehur dakord për përmbylljen e kësaj reforme, megjithatë, deri tani drafti vazhdon të jetë i paplotë dhe në të është vetëm firma e dy deputetëve demokratë.

Reforma parlamentare
Ku bien dakord

. Në nenin 40 të Rregullores shtohet një paragraf, sipas të cilit: “Veprimtaria e komisioneve të përhershme parlamentare mbështetet nga programi ‘Për aktivitetin parlamentar’ në buxhetin e Kuvendit”.

. Në pikën 3 të nenit 60 thuhet se “kur kërkohet me shkrim, nga të paktën ¼ e të gjithë deputetëve, votimi i fshehtë bëhet me fletë votimi”.

. Për paraqitjen e projektligjeve, Kryeministri dhe ministri kundërfirmues kanë të drejtë të flasin pa kufizim kohor. Gjatë diskutimeve të tjera ministrat kanë të drejtë të marrin fjalën dhe atyre iu jepet sa herë e kërkojnë, por jo më shumë se 10 minuta për çdo ndërhyrje.

Ku nuk bien dakord

. Për votimin e dekreteve të Presidentit për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese e asaj të Lartë me votë të fshehtë dhe shumicë të cilësuar.

. Për dhënien e mundësisë së kryetarit të Grupit Parlamentar të opozitës t’i përgjigjet Kryeministrit në Kuvend sa herë ai e merr fjalën.

Ekspertiza e huaj për reformën
Eksperti ndërkombëtar, Phil Larkin, në një material të dërguar grupit të punës, propozoi vendosjen e votimit të fshehtë dhe me shumicë të cilësuar për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Në një dokument konfidencial dërguar anëtarëve të grupit të punës për reformën parlamentare, eksperti britanik u jep përgjigje të gjitha propozimeve të bëra gjatë punës së këtij komisioni. “Emërimi në Gjykatën e Lartë dhe atë Kushtetuese duhet të bëhet me votë të fshehtë. Duhet përdorur votim me shumicë të cilësuar. Shkarkimi i anëtarit të  organit kushtetues të bëhet me votim të fshehtë. Duhet të merret në konsideratë edhe nevoja për votim me shumicë të cilësuar”, thuhet në raport.

Stefan Fyle
Komisioneri për Zgjerimin në Komisionin Europian i bëri thirrje disa herë klasës politike që ta përmbyllë reformën parlamentare para zgjedhjes së Presidentit, por konsensusi në këtë pikë nuk u arrit. “Finalizimi i reformës zgjedhore dhe asaj parlamentare në kohë është shumë i rëndësishëm. Ne jemi të shqetësuar se këto reforma nuk janë përmbushur brenda afateve. Siç thashë edhe në Tiranë, gjatë vizitës sime në fillim të muajit maj, është shumë e rëndësishme që marrëveshja e nëntorit të finalizohet para se të nisë procedura për zgjedhjen e Presidentit më 24 maj”, u shpreh Fyle në fillim të muajit maj.

© Panorama.al

Te lidhura