Reforma zgjedhore, PS-PD ndahen për KQZ e Kolegjin

May 8, 2012 | 13:49

Komisioni i Reformës Zgjedhore

Komisioni s’ka gjetur formulimin e pranuar për ankimimin e procesit.

PS kërkon Gjykatën e Lartë, PD: Të ruhet skema aktuale.

Komisioni i Refor-mës Zgjedhore mbetet i bllokuar për shkak të qëndrimeve të ndryshme që PD dhe PS po mbajnë për disa çështje.
Situata pritet të zhbllokohet nga ekspertët e ODIHR-it, të cilët do të mbërrijnë në Tiranë këto ditë. Mbledhja e programuar për t’u zhvilluar sot e Komisionit të posaçëm të Reformës Zgjedhore është shtyrë për shkak të këtyre qëndrimeve. Kapitulli i ankimimit duket se është çështja më e nxehtë e Komisionit. Palët ndajnë qëndrime të ndryshme për fatin e Kolegjit Zgjedhor. Socialistët mësohet se kërkojnë që të jetë Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë që të jetë shkalla më e lartë e gjykimit. Ndërsa Partia Demokratike në Komision kërkon të ruhet skema aktuale. Rekomandimi i ODHIR-it është që sistemi i ankimimit të vijë në përputhje me Kushtetutën, duke parashikuar edhe një shkallë më të lartë gjykimi, madje edhe duke ia hequr të drejtën KQZ-së për shqyrtimin e ankimeve. Palët duket se duan ta mbajnë KQZ-në si shkallë e parë e ankimimit, por ndahen te fakti se cila do të jetë trupa gjyqësore. Pika tjetër e debatueshme ende mbetet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Partia Socialiste propozon që kryetari apo anëtari i shtatë i saj, që bën dhe diferencën, të emërohet nga Presidenti ose nga organe të pavarura. Ndërsa Partia Demokratike insiston te skema aktuale e kompozimit. Por çështja që ende nuk ka gjetur zgjidhje është ajo e formimit të KQZ-së dhe nisjes së mandatit të saj, pasi me ligjin aktual, KQZ-së i mbaron mandati në dhjetor të këtij viti. Socialistët kërkojnë që KQZ të ngrihet sa më shpejt të jetë e mundur për të bërë implementimin e rregullave të reja që pritet të miratohen në kohë.
Materialet
Problemi se në ç’rrethana do të hapet materiali zgjedhor në KQZ i ka lënë palët larg konsensusit. Kjo ishte dhe pika që pezulloi punën e Komisionit të posaçëm Parlamentar të Reformës Zgjedhore, i cili ditën e premte pezulloi punën për shkak të një formulimi për të cilin palët duket se kishin rënë dakord më parë. Në nenin 116, pika 6, të Kodit të ri Zgjedhor, përcaktohen rastet se kur duhet të hapen kutitë e materialeve zgjedhore. Demokratët e cilësuan këtë përcaktim jo korrekt, duke pretenduar se nuk kishte për to një dakordësi. Duket se do të jenë ekspertët e ODIHR-it ata që do të gjejnë zgjidhjen në këtë pikë ku ka ngecur Komisioni i Reformës. Pika e fundit që ende mbetet pezull në Komisionin e Reformës Zgjedhore, ende e panjohur se ç’rrugë do të marrë, është propozimi i partive të vogla për gjetjen e një formule të pranueshme për përllogaritjen e mandateve të deputetëve, përmes së cilës sillet në një barazi sa më të madhe vota e zgjedhësve. Koha e mbetur në dispozicion për Komisionin, deri më 15 maj, duket se nuk do t’i adresojë këto propozime. Ndoshta do të jetë Parlamenti me një marrëveshje mes palëve që mund të adoptojë një formulë në përllogaritjen e mandateve për të plotësuar kështu dhe këtë kërkesë të partive të vogla. Apeli që vjen nga ndërkombëtarët, siç ishte ai i komisionerit për Zgjerim, Fyle në Tiranë, ishte përfundimi në kohë i punës së Komisionit të Reformës Zgjedhore.

Pikat e debatueshme në Komisionin e Reformës
Cili do të jetë fati i Kolegjit Zgjedhor:

-PS kërkon që të jetë Kolegji Administrativ i Gjykatës së Lartë.
-PD kërkon të ruhet skema aktuale.
-ODIHR: Sipas Kushtetutës, por duke parashikuar dhe një shkallë më të lartë gjykimi. T’i hiqet e drejta KQZ-së për shqyrtimin e ankimimeve.
PD-PS: Të mbahet KQZ si shkallë e parë ankimimi.

Cili do të jetë fati i KQZ
-PS propozon që kryetari apo anëtari i shtatë të emërohet nga Presidenti ose nga organe të pavarura.
-PD insiston te ruajtja e skemës aktuale të kompozimit.
Koha e formimit të KQZ-së krijon problematikë, pasi me ligjin aktual KQZ-së i mbaron mandati në dhjetor. PS kërkon që KQZ-ja të ngrihet sa më shpejt të jetë e mundur.

Si do të hapet materiali zgjedhor në KQZ
Palët ndahen te kjo pikë pas tërheqjes së PD-së nga varianti i negociuar. Ka dyshime nëse materialet zgjedhore do të hapen në vendet e numërimit të votave, apo vetëm në KQZ gjatë procesit ankimor.

Propozimi i partive të vogla për përllogaritjen e mandateve
Komisioni duket se nuk do të ketë kohë të diskutojë rreth këtyre propozimeve, pas vonesave të shkaktuara nga palët.

Reforma, Sekui drekë me Ramën
Reforma zgjedhore ka vënë në lëvizje ndërkombëtarët. Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Etore Sekui, pati një drekë pune me kryetarin e PS-së, Edi Rama, në restorant “Austria”, pranë selisë rozë. Nuk jepen detaje për bisedën e zhvilluar mes tyre, por pika më e nxehtë për momentin është reforma zgjedhore. Dy bashkëkryetarët e Komisionit të Reformës Zgjedhore, demokrati Ilir Rusmali dhe socialisti Damian Gjiknuri, janë parë këto ditë nën shoqërinë e ambasadorëve të huaj. Bllokimi i reformës zgjedhore edhe herë të tjera i ka vënë në lëvizje ambasadorët kryesorë në Tiranë.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura