
Me gjithë vullnetin e shprehur nga Kryeministri Berisha dhe kreu i PS-së, Edi Rama, për të përmbyllur sa më shpejt reformën zgjedhore, dy forcat kryesore nuk kanë avancuar aspak sa i përket formulës së KQZ-së. Gjatë ditëve të fundit, pavarësisht faktit se u përfol për një takim mes ekspertëve, gjithçka mbeti vetëm në deklarata për mediat. Burime nga maxhoranca bëjnë të ditur se zyrtarisht opozita ka bërë vetëm një propozim për KQZ-në, sipas të cilit, gjashtë anëtarë të zgjidhen me formulën aktuale, ndërsa kryetari të dalë nga një prej institucioneve të Drejtësisë. Ky propozim është hedhur poshtë nga shumica dhe nga ky moment nuk ka pasur asnjë zhvillim të ri. Dy ditë më parë, në një prononcim për mediat, bashkëkryetari socialist i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri, tha se “kemi themeluar ca kontakte të para dhe besoj se duhet të shikojmë mënyrën se si duhet të qasemi drejt reformës zgjedhore, pasi janë gjera që kanë mbetur dhe duhet të gjejmë dhe modalitetet si do ta shtyjmë përpara këtë proces. Që të rivëmë në punë Komisionin për një periudhë të shkurtër kohe, në mënyrë që të trajtojmë çështjet e mbetura që nuk patëm mundësi t’i adresojmë deri në 15 maj, siç e kishim afatin”, thotë Gjiknuri. Çështja e dytë për të cilën palët ende nuk kanë rënë dakord është ajo e hapjes së kutive. Shumica ka hedhur poshtë propozimin e opozitës që kërkon hapjen e kutive sa herë e propozojnë dy anëtarë të KQZ-së. Sipas PD-së, kutitë mund të hapen vetëm me vendim gjykate.











