Demokracia është kur dy ujq e një qengj votojnë çfarë do të hanë për drekë. Liria është një qengj i mirarmatosur që ka të drejtë të kontestojë votimet!
(Democracy is two wolves and a lamb voting on what to have for lunch. Liberty is a well-armed lamb contesting the vote!)
Kjo thënie brilante i atribuohet në mënyrë të debatueshme Benjamin Franklin. Pavarësisht nëse e ka thënë ai apo jo dy shekuj më parë, tingëllon aktuale për realitetin zgjedhor shqiptar, ku maxhoranca “ka kapur” KQZ-në e Kolegjin Zgjedhor dhe mjaftohet me argumentin: nëse shumica në këto institucione, pavarësisht provave, voton pro nesh, ne fitojmë. Edhe pse pakica kërkon akses e transparencë sipas ligjit, shumica përsëri me vota ia mohon. Kjo është demokracia, kush ka votat 4 me 3, e lexon ligjin si të dojë, ose siç ia dërgojnë me SMS ata që i emëruan!
Mirëpo a është e përputhshme me proceset integruese europiane në tërësi, me zhvillimin e vendit, kjo formë “primitive” e demokracisë si dhunë kartonësh së një shumice “minimaliste” e deri ku mund të shkojë ajo, dhe ku dallon ky model nga demokracia proletare e para viteve ‘90, ku shumica votonte dhe vendoste?!
Të dielën, më 17 qershor, u zhvilluan paralelisht zgjedhjet në Greqi dhe Egjipt, të dyja me rëndësi të jashtëzakonshme politike për vendet respektive dhe më gjerë në situatën gjeopolitike në rajon dhe mbarë botën. Në zgjedhjet parlamentare në Greqi, rezultati doli po atë ditë në mbrëmje, e humbësi Cipras uroi fitimtarin Samaras. Në zgjedhjet presidenciale dyditore në Egjipt, rezultati u shpall pas një jave, në një klimë tensioni politik dhe kontestimesh reciproke, ku ushtria mban pushtetin e ku fillimisht të dy kandidatët janë vetëshpallur fitues.
Pa u ndalur në analizën krahasuese të sistemeve elektorale të këtyre vendeve, nuk mund të mos konstatosh se diferenca thelbësore qëndron te sistemet politike, atij demokratik ku vendoset nëpërmjet votimit të “demos-i” (populli sipas grekëve lë lashtë), e sistemit ku ata që menaxhojnë zgjedhjet mund të vendosin edhe se kush i fiton ato! Ndaj dhe në shumicën e vendeve, në atë “pjesë të botës ku gjeografikisht është Egjipti”, individët apo partitë politike që erdhën në pushtet pas lëvizjeve antikolonialiste të viteve ‘70-‘80, qëndruan për 30 apo më shumë vite në pushtet, duke fituar zgjedhjet pseudodemokratike të menaxhuara nga pushteti ekzekutiv. Për t’u përmbysur po me dhunë nga ajo që në mënyrë poetike u quajt “Pranvera arabe”.
Për analogji, historia e proceseve elektorale të mbas viteve ‘90, me shumë se Europës, i përngjan asaj të botës arabe, ku krahu politik i ardhur me votë të lirë pas “përmbysjes demokratike” të sistemit në vitin ‘91, mbasi “inxhinieroi fitoren e bujshme” të zgjedhjeve në vitit ‘96, që vetëm të lira nuk ishin, u përmbys me protesta të dhunshme në vitin ‘97, për t’u rikthyer me votë të lirë në vitin 2005. Këtë herë ka premtuar solemnisht të rrijë 35 vite në pushtet nëpërmjet votimeve të lira.
Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 maxhoranca arriti të fitonte ngushtë, duke keqpërdorur KQZ-në e Kolegjin Zgjedhor në mënyrë të trishtueshme, duke rikujtuar vitin e largët ‘96, e detyroi opozitën t’u drejtohej protestave në rrugë. Në vitin 2011 ishte “maskarada” zgjedhore e Tiranës, që i detyroi edhe institucionet ndërkombëtare të flasin hapur dhe qartë, se nuk ka afrim me BE-në nëse nuk garantohen zgjedhjet të lira e të ndershme.
Duke filluar nga reforma e Kodit Zgjedhor!
Në këtë kontekst politik, para disa ditësh shumica parlamentare votoi për herë të tretë zgjatjen e mandatit të Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore, duke përsëritur përbetimet “pro reformës”, a thua se puna ka ngecur te ky komision, i cili, për hir të vërtetës, i ka gjetur zgjidhjet teknike muaj më parë. Mjafton të lexosh procesverbalet e Komisionit në datat 14-15 maj për të kuptuar se bllokimi brenda natës ishte vullneti i qartë politik i maxhorancës për ta bllokuar reformën zgjedhore. Vërejtjet dhe sugjerimet teknike të ODHIR-it, në atë kohë akoma të pazbardhura, edhe njëherë u keqpërdorën dhe shërbyen si pretekst propagandistik për të fshehur shkakun real, vullnetin e munguar politik të maxhorancës për reformën zgjedhore. Por edhe përdorimin e reformës zgjedhore si “kartë shantazhi politik” në prag të zgjedhjes së Presidentit.
Në terma konkretë, reforma ligjore ka “ngecur” te formatimi i KQZ-së dhe e drejta e opozitës për akses në plotë në dokumentacionin zgjedhor, si garanci e shtuar për të mos përsëritur “maskaradat” elektorale 2009-2011. Përtej logjikës “bunkerizuese” të maxhorancës, opozita “guxoi të riskonte” duke propozuar procedura të automatizuara (elektronike) për identifikimin dhe numërimin e votave. E ndërgjegjshme që, në fund të fundit, shumica në KQZ dhe Ekzekutiv, edhe nëse do t’i votonte në ligjin elektoral, do të ketë mundësinë të bllokojë aplikimin praktik të tyre, pasi nuk mundet opozita e vetme të zbatojë risitë teknologjike nëse maxhoranca dëshiron të numërojë manualisht e të garantojë votimet duke ngjyer gishtat me bojë! Megjithatë, edhe në këtë qasje, PS ka zgjedhur të shikojë nga e ardhmja, duke hedhur piketat drejt një procesi votimesh të menaxhuar nga teknicienë jopartiakë përkundër atij militanto-partiak që kemi sot.
Në të njëjtën logjikë, aq më pak propozimet e opozitës synojnë të kontrollojnë KQZ-në jo vetëm sepse kjo është e pamundur për shkak të mendësisë së maxhorancës e numrave në Parlament, por edhe sepse opozita beson te filozofia politike e botës së zhvilluar ku synojmë të integrohemi, që e vendos procesin elektoral në duart e administratës jopolitike, duke u dhënë të drejtën palëve të kenë akses e të auditojnë procesin aty ku kanë dyshime.
Kjo do të rriste garancinë e votimeve të lira, në thelb të të cilave qëndron e drejta e pakicës ose “qengjit opozitar” për transparencën e procesit dhe kontestimin e rezultatit paraprak, para se shumica e “ujqërve” në KQZ apo Kolegj Zgjedhor të votojnë rezultatin përfundimtar, e më pas djegien e fletëve të votimit në bregun e lumit të Tiranës!
*Nënsekretar për Çështjet Zgjedhore në PS
© Panorama.al












