
Partitë e maxhorancës dhe të opozitës që kanë më shumë vende në Parlament, nuk do të kenë më të drejtë të heqin gjyqtarë nga shorti që do të organizojë KLD-ja për trupën e Kolegjit Zgjedhor.
Në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Ligjeve u ra dakord që të ndryshohet neni 146, ku u shfuqizuan disa fjali të tij. “Secili prej përfaqësuesve të dy partive parlamentare të shumicës dhe dy partive parlamentare të opozitës që kanë përkatësisht numrin më të madh të mandateve në Kuvend, ka të drejtën të përjashtojë një prej tetë emrave të nxjerrë nga kutia e shortit. Asnjë prej partive të tjera nuk ka të drejtën e kundërshtimit. Procedura për përjashtimin e emrave është e fshehtë. Kërkesa për përjashtim përmban vetëm emrin e gjyqtarit, pa përmendur shkaqet e përjashtimit. Këshilli i Lartë i Drejtësisë, pasi konstaton rastin e përjashtimit, brenda një ore nga shorti i parë, organizon një hedhje të dytë shorti për të zëvendësuar emrat e përjashtuar nga përfaqësuesit e partive politike”, thuhet në një pjesë të këtij neni, i cili u shfuqizua. Në zgjedhjet e ardhshme KLD-ja nuk do të jetë e detyruar të marrë mendimin e partive për të hequr nga lista e gjyqtarëve të përzgjedhur dy prej tyre. Një tjetër ndryshim që iu bë Kodit në mbledhjen e djeshme ishte saktësimi që gjyqtarët aktualë që përbëjnë Kolegjin Zgjedhor, të mos jenë në short për zgjedhjet e ardhshme. “Përveç rasteve të parashikuara në pikën 1 të këtij neni, nuk përfshihen në shortin e hedhur gjyqtarët në detyrë të Kolegjit Zgjedhor”, thuhet në nenin 148, pika 2.
Sistemi Zgjedhor
Në fund të mbledhjes së djeshme u diskutua edhe për propozimin e partive të vogla për sistemin zgjedhor. Bashkëkryetari socialist i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri, kërkoi që javën e ardhshme të zhvillohet një seancë dëgjimore me partitë joparlamentare për të diskutuar mbi këtë çështje. “Pati një propozim nga bashkëkryetari Gjiknuri që ditën e hënë të bëhej një seancë degjimore dhe të fillohej diskutimi për kërkesën e partive të vogla, por nuk u ra dakord në Komision. Bashkëkryetari demokrat u kërkoi ekspertëve ta eksplorojnë dhe një herë kërkesën që kanë bërë partitë e vogla në lidhje me ndryshimin e sistemit dhe ta risjellin për diskutim në Komision”, theksoi në përfundim të mbledhjes eksperti i PD-së, Bledar Çuçi. Burime nga mbledhja bënë të ditur se forcat politike ranë dakord që drafti që kanë depozituar në Komision partitë e vogla, t’u kalojë ekspertëve për të përgatitur një opinion të përbashkët për Komisionin. Në draftin e partive të vogla thuhet se “partitë politike mbështesin deri në realizim përfshirjen si pjesë të rëndësishme dhe të domosdoshme të reformës zgjedhore, ndryshimin e formulës së përllogaritjes dhe shpërndarjes së mandateve duke e plotësuar atë me korrektimin e votave në shkallë kombëtare, ose nëpërmjet gjetjes së zgjidhjeve që mbështesin ndarjen e mandateve në bazë të votave që kanë marrë konkurruesit dhe në proporcion të drejtë me to; uljen e pragut elektoral si për partitë politike që konkurrojnë më vete, ashtu edhe për koalicionet zgjedhore, duke marrë në konsideratë si sistemin aktual zgjedhor me ndryshimet e mundshme të formulës së përllogaritjes dhe shpërndarjes së mandateve, ashtu dhe respektimin e trendit të peshës politike të partive të vogla”.
Ndryshimet në Kodin Zgjedhor
• Anëtarët e KQZ-së duhet të jenë mbi 35 vjeç, jo 30 sa ç’parashikon Kodi aktualisht.
• Përvoja e punës e anëtarit të KQZ-së duhet të jetë jo më pak se 10 vjet, nga 5 vjet që ishte aktualisht.
• Në nenin 17 në fund të pikës 1 shtohet kjo fjali: “Paga e zëvendëskryetarit të KQZ-së është 5 për qind më e lartë se paga e anëtarit”.
• Në nenin 29, pika 5, ndryshohet si vijon: Nëse partitë politike të shumicës parlamentare dhe të opozitës parlamentare, që kanë të drejtë të paraqesin kandidatura për KZAZ-të, nuk e ushtrojnë këtë të drejtë në afatin e përcaktuar në pikën 2 të nenit 28 të këtij Kodi, kjo e drejtë u kalon automatikisht partive që vijnë në radhë me numër vendesh në Kuvend pas të parave, brenda grupimit përkatës. Kur kjo nuk është e mundur, propozimet bëhen sipas pikës 1 shkronja “a” të këtij neni. Nëse edhe këto parti nuk propozojnë anëtarë, KQZ-ja emëron kryesisht anëtarët e KZAZ-së deri në plotësimin e numrit të nevojshëm të anëtarëve për vendimmarrje. Anëtarët e emëruar kryesisht qëndrojnë në detyrë deri në emërimin e anëtarëve të propozuar nga partitë politike sipas këtij neni. Zëvendësimi duhet të kryhet jo më vonë se 30 ditë nga dita e zgjedhjeve.
• Neni 146 shfuqizohen fjalitë: “Secili prej përfaqësuesve të dy partive parlamentare të shumicës dhe dy partive parlamentare të opozitës që kanë përkatësisht numrin më të madh të mandateve në Kuvend, ka të drejtën të përjashtojë një prej tetë emrave të nxjerrë nga kutia e shortit. Asnjë prej partive të tjera nuk ka të drejtën e kundërshtimit. Procedura për përjashtimin e emrave është e fshehtë. Kërkesa për përjashtim përmban vetëm emrin e gjyqtarit, pa përmendur shkaqet e përjashtimit. Këshilli i Lartë i Drejtësisë, pasi konstaton rastin e përjashtimit, brenda një ore nga shorti i parë, organizon një hedhje të dytë shorti për të zëvendësuar emrat e përjashtuar nga përfaqësuesit e partive politike”.
ADI SHKEMBI











