Reforma zgjedhore, aleatët, akuza Ramës: Ke frikë nga Fatos Nano

Jul 10, 2012 | 13:26

Një nga takimet e krerëve të opozitës

Milo, Gjinushi e Ndoka në takim me kreun e PS: Po bën lojë me Berishën për KQZ, keni frikë nga Nano e Topi.

Kreu i PS mbledh në zyrën e tij tryezën e partive opozitare. Milo e Ndoka: PS po bën vetëm pazare për KQZ.

“Po bën lojë me Berishën, keni frikë nga Nano e Topi në zgjedhje”

Aleatët e Partisë Socialiste kanë debatuar ashpër dje me Edi Ramën në lidhje me reformën zgjedhore. Në një tryezë që kreu socialist zhvilloi me kryetarët e partive opozitare, Rama i njohu aleatët e tij me gatishmërinë e PS për të këmbëngulur në korrektimin e sistemit zgjedhor përmes metodave të përllogaritjes së mandateve. Kreu i PDS-së, Paskal Milo, socialdemokrati Skënder Gjinushi, demokristiani Nard Ndoka, kreu i Partisë Ligj dhe Drejtësi, Spartak Ngjela, i kanë kërkuar Ramës, si njëra palë në Komisionin e Reformës Zgjedhore, që të këmbëngulë dhe të vendosë veton nëse nuk ka korrektim të sistemit. “Korrektimi i sistemit nuk është vetëm në favorin tonë, por dhe të favor të dy partive të mëdha, sepse aleatët janë ata që do të krijojnë qëndrueshmëri në qeverisjen e ardhshme”, mësohet të ketë thënë demokristiani Ndoka. Për Ramën, korrektimi i sistemit nuk varet vetëm nga PS, por nga PD, e cila deri tani, sipas tij, nuk është shprehur edhe pse ka firmosur kërkesën e 26 partive politike shqiptare. Por, në këtë pikë, aleatët e PS kanë qenë të drejtpërdrejtë dhe të ashpër nga ecuria në punën e Komisionit të posaçëm të Reformës Zgjedhore, dhe kryesisht në moskëmbënguljen e të dy partive, PD e PS, për sistemin zgjedhor. “Ju, në koordinim dhe me Partinë Demokratike, po zvarrisni reformën zgjedhore dhe korrektimin e sistemit vetëm sepse keni frikë nga partia e Bamir Topit dhe një parti e mundshme e Fatos Nanos”, mësohet t’i jenë drejtuar Ramës aleatët e tij, të cilët i kanë kërkuar atij të shprehet dhe veprojë qartë. Sipas tyre, i gjithë investimi i PS qëllimisht është përqendruar te përbërja e KQZ-së, duke treguar se i vetmi shqetësim i saj është të ndajë mes saj dhe PD administrimin e zgjedhjeve. Por, debati është ushqyer dhe nga kryesocialisti Edi Rama, i cili ka qenë kritik ndaj deklaratave të vazhdueshme të aleatëve të tij në media. “Mos na sulmoni në media, sepse kjo nuk sjell asgjë pozitive për PS dhe opozitën në tërësi, duke krijuar idenë e përçarjes e që çon në tronditjen e besimit dhe të elektoratit tonë”, mësohet t’u jetë përgjigjur Rama aleatëve të tij. Për socialdemokratin Ndoka, çështja e KQZ-së është e qartë dhe nuk kërkon investime të fshehta dhe publike nga dy partitë e mëdha. “Ne duam një Komisionin Qendror të Zgjedhjeve kushtetues, i cili të jetë garant për të gjitha partitë politike në garën elektorale”, mësohet të ketë thënë Ndoka. Takimi është mbyllur në debate e sipër, ndërsa në përfundim të mbledhjes, aleati i PS, Milo, nuk ka adresuar asnjë kritikë, por në një prononcim për mediat ka kërkuar nga PD që të shprehet dhe pranojë korrektimin e sistemit zgjedhor.

Tryeza e 26 partive
Dy muaj më parë, 26 parti, mes tyre dhe PS e PD, pranuan t’i paraqesin Komisionit të Reformës Zgjedhore propozimin për korrektimin e sistemit zgjedhor. Sali Berisha dhe Edi Rama firmosën bashkë me 24 kryetarë të tjerë partish politike shqiptare, parlamentare dhe joparlamentare, draftin ku angazhoheshin se do ta detyrojnë Komisionin të përfshinte korrektimin e sistemit sipas tri modeleve të përllogaritjes së votave dhe shpërndarjes së mandateve.

Paskal Milo
“PS është shprehur qartë që ajo mbështet korrektimin e sistemit. Ajo që nuk po shprehet, ajo që po hesht – dhe heshtja dihet se çfarë dëshmon – është PD. Për rrjedhojë, nuk kemi ç’t’i kërkojmë PS. Ne jemi për t’u përqendruar te PD, atje duhet këmbëngulur, sepse është PD ajo që po bëhet pengesë për përfundimin e reformës zgjedhore. Gjërat janë shumë të qarta, nuk kemi pse t’i komplikojmë me pyetje në adresë të Partisë Socialiste”, deklaroi Paskal Milo, kreu i PDS-së.
Kreu i Demokracisë Sociale tha së është reforma zgjedhore ajo që duhet pritur përpara një vendimi përfundimtar të partive të koalicionit të majtë.

Skënder Gjinushi
Kreu socialdemokrat, Skënder Gjinushi, në një deklaratë televizive dy ditë më parë, i kërkoi PS që të mos bëhet makijazh i një pseudoreforme. “Ne i bëjmë thirrje PS-së, e cila nuk ka për detyrë të japë konsensus formal, por ka detyrë të mbrojë të drejtat e shqiptarëve. Opozita është garante e zgjedhjeve, veçanërisht me një qeveri hajdute, e cila manipulon. Opozita nuk mund të bëhet palë apo makijazh, duke firmosur një pseudo-reformë, e cila nuk jep asnjë garanci të re për zgjedhjet e ardhshme, përkundrazi, garanton zgjedhje me të njëjtin vullnet politik, me të njëjtat instrumente”, është shprehur Gjinushi.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura