TIRANE- Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Eugen Wollfarth tha sot se, një rezultat i suksesshëm i reformës, i cili do te pasohej nga një zbatim i plotë dhe i ndershëm i ligjit të ri zgjedhor, do të përbënte një kontribut të prekshëm në axhendën e reformave të vazhdueshme të Shqipërisë dhe në aspiratat e saj ndërkombëtare afatgjata.
Wollfarth, i pranishëm në konferencën “Trashëgimia Zgjedhore Europiane”, shtoi se, një përfundim në kohë i reformës zgjedhore do t’i jepte kohë edhe KQZ-së për të bërë përgatitjet e nevojshme dhe të efektshme.
Por, për të përmbushur këtë, sipas ambasadorit Wollfarth kërkohet që udhëheqësit të lënë mënjane interesat partiakë dhe vetjakë, e të nderojnë besimin që ju kanë dhënë shqiptarët.
Duke e konsideruar shumë të afërt vijën e finishit, siç tha ai, për ata që kanë vullnet politik, shtoi se “na mbetet ende të shohim nëse udhëheqësit shqiptarë do të udhëhiqen nga një ndjenjë më e madhe përgjegjësie.”
© Panorama.al











