Reforma, të vegjlit apel tre ambasadorëve në Tiranë

May 10, 2012 | 13:57

Nga tryeza e partive per reformen zgjedhore

Krerët e partive shprehin indinjatë ndaj Komisionit të Reformës.

“Kërkojmë nxitjen tuaj ndaj PS-PD për barazinë e votës”

Partitë e vogla i drejtohen me shqetësim tre ambasadorëve të rëndësishëm në Tiranë për reformën zgjedhore. Përmes një letre dërguar ambasadorit të BE-së Ettore Sequi, ambasadorit amerikan Aleksandër Arvizu dhe atij të OSBE-së Eugen Volfarth, kryetarët e 26 partive, pa PS dhe PD, kërkojnë ndërmjetësimin dhe nxitjen e diplomatëve ndaj Komisionit të Reformës Zgjedhore për korrigjimin e sistemit zgjedhor përmes metodave të tjera në përllogaritjen e ndarjes së mandateve. Në një dosje dërguar ambasadorëve, përveç deklaratës së firmosur nga tryeza e parë e 26 partive të zhvilluar në 24 prill dhe propozimeve të depozituara në Komisionin e Reformës Zgjedhore përmes kreut të PDS-së, Paskal Milo dhe sekretarit të Përgjithshëm të republikanëve, Arjan Madhi, kryetarët e partive parlamentare dhe jo parlamentare shprehin habi ndaj ngurrimit të Komisionit të Reformës Zgjedhore për të mos marrë në shqyrtim kërkesat e tyre. “Kemi rezistencë nga Komisioni i Reformës Zgjedhore dhe nuk po kuptojmë pse po bllokohet një proces, i cili është dakordësuar dhe nga kryetarët e dy partive të mëdha, Sali Berisha dhe Edi Rama”, mësohet të shprehen kryetarët e partive të vogla. Sipas të njëjtave burime, kërkohet ndërhyrja dhe nxitja për të bërë të mundur zhbllokimin e kësaj situate në Komisionin e Reformës Zgjedhore.
Takimi
Dje paradite, kryetarët e disa prej partive të majta dhe të djathta, parlamentare dhe jo parlamentare u mblodhën në hotel “Tirana” për të shprehur indinjatën e tyre ndaj qëndrimit indiferent nga Komisioni i Reformës Zgjedhore për propozimet e tyre. Paskal Milo, Fatmir Mediu, Ilir Meta, Nard Ndoka, Shpëtim Idrizi, Skënder Gjinushi, Ekrem Spahiu dhe Petro Koçi i kujtuan demokratëve dhe socialistëve t’i përmbahen angazhimit të tyre për kërkesat e tyre për sistemin zgjedhor. Duke marrë fjalën në këtë takim, ata thanë se PD e PS në Komisionin e Reformës Zgjedhore duhet të respektojnë atë që kanë firmosur pak kohë më parë pro korrektimit kombëtar të sistemit. Sipas tyre, kërkesat e depozituara nga 26 parti parlamentare dhe jo parlamentare synojnë që përfaqësimi në Kuvend të bazohet në barazinë e votës. Kreu i LSI-së, Ilir Meta, i pranishëm dje në tryezën e partive politike, përmes një fjale të shkurtër, tha se Partia Demokratike dhe Partia Socialiste duhet t’i qëndrojnë draftit që firmosën më 23 prill. “Ne si LSI i qëndrojmë plotësisht marrëveshjes së 26 partive dhe kërkojmë që sa më shpejt të implementohet dhe njëkohësisht të përfundojë reforma zgjedhore. Të gjithë duhet t’i qëndrojmë firmave të hedhura”, u shpreh Meta. Edhe kreu i PDK-së, Nard Ndoka, shprehu shqetësimin për moszbatimin e marrëveshjes së 26 partive nga dy forcat kryesore politike. “Është momenti për kompromis politik, për konsensus mes palëve. Partia Demokristiane është pro ligjit që lejon të votojmë të gjithë si të barabartë. “Por vërejmë që partitë kryesore kanë mungesë korrektësie dhe dëshire për ta dërguar këtë kërkesë në Kuvend e KQZ. Ka ardhur momenti që të rritet presioni politik ndaj tyre”, tha Ndoka.
Ndërsa kreu i PSV91, Petro Koçi deklaroi gjatë kësaj tryeze se është me shumë rëndësi që të gjitha partitë që e firmosën draftin, t’i mbeten besnik atij. “Sistemi aktual betonizon mosndryshimin e pushtetit”, tha Koçi.
Dokumenti
Pas tryezës së zhvilluar dy javë më parë, Sali Berisha, Edi Rama dhe 24 kryetarë të tjerë partish pasi kanë firmosur një dokument në adresë të Komisionit të Reformës Zgjedhore, “u angazhuan se do të kërkojnë dhe mbështesin deri në realizim ndryshimin e formulës së përllogaritjes dhe shpërndarjes së mandateve, duke e plotësuar atë me korrektim të votave në shkallë kombëtare, ose nëpërmjet gjetjes së zgjidhjeve që mbështesin ndarjen e mandateve në bazë të votave që kanë marrë konkurruesit dhe në proporcion të drejtë me to”.

Propozimet e partive të vogla
1. Për çdo parti të veçantë a përbërëse e subjekteve përfituese sipas pikës 1, përcaktohet numri i mandateve të fituara në zonë, që është numri i plotë që del nga pjesëtimi i votave të partisë me herësin e mëparshëm, si dhe votat e mbetura nga ky pjesëtim. Më tej, për çdo parti përcaktohet sasia e votave të mbetura në rang vendi si shumë e tërë votave të mbetura në 12 zonat. Mandatet e mbetura të pashpërndara shpërndahen proporcionalisht midis partive përfituese, në raport me sasinë e votave të mbetura  në rang vendi, sipas mbetjes më të madhe ose formulës së përdorur në nenin 163.

2. Në 12 zonat zgjedhore shpërndahen 110 a 115 mandate në proporcion me numrin e zgjedhësve. 25 deri 30 mandate përdoren për korrektim kombëtar. Çdo parti a subjekt zgjedhor, krahas listave zonale, paraqet dhe një listë qendrore.

3. Përllogaritja e mandateve për çdo subjekt bëhet mbi bazë kombëtare, por konkurrimi për çdo subjekt bëhet me lista rajonale.

4. Llogaritja dhe shpërndarja e mandateve për partitë e një koalicioni bëhet mbi bazën e metodës daneze me seri pjesëtuesish 1,4,7,10… etj.

Fatmir Mediu: PD e PS të jenë seriozë
“Ajo që kërkojmë, nuk është gjë tjetër veçse t’i përmbahemi me seriozitet asaj që kemi rënë dakord dhe të konsiderohen propozimet tona, sikurse jemi të hapur për të diskutuar propozime të tjera që mund të vijnë nga tryeza teknike e Reformës Zgjedhore. Zgjatja pafundësisht e këtij diskutimi jo vetëm krijon pikëpyetje në seriozitetin e asaj marrëveshjeje, por besoj pastaj në të gjithë reformën zgjedhore. Kemi paraqitur 4 variante të ndryshme për këtë çështje, të cilat nuk cenojnë Kushtetutën. Këto variante janë pranë Komisionit të Reformës zgjedhore. Të konsiderohen propozimet tona”, tha kreu i PR-së, Fatmir Mediu.

Skënder Gjinushi: Jo deformim të votës
Kreu i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, i pranishëm në këtë tryezë, e vuri theksin tek marrja parasysh e kërkesave të 26 partive, për të përmbushur siç tha ai, “një reformë zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE-ODIHR”. “Zgjedhjet kanë dështuar se nuk ka pasur konsensus për reformën. Nuk duhet të ketë më deformim të votës. Tashmë nuk mund të fshihen pas rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it, pasi dhe rekomandimet sugjerojnë vazhdimisht të mos ketë deformime të votës në mënyrë artificiale dhe, mbi të tëra, ia lënë vullnetit politik nevojën e përmirësimit dhe korrigjimit të sistemit”, u shpreh kreu socialdemokrat.

Paskal Milo: Jo kozmetika e radhës
Kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, ka bërë thirrje për shqyrtimin e kërkesës së partive të vogla. “Shqetësim që nuk është marrë në shqyrtim kërkesa e 26 partive politike. Kjo është një kërkesë shumë e drejtë, që kërkon barazinë e votës së qytetarëve. Nga kjo tryezë mund t’u bëjmë thirrje partive politike që të shikojnë me përgjegjësi korrektimin kombëtar edhe të kryejnë amendimet që s’duhet të jenë thjesht për të kaluar radhën, nuk duhet të jenë thjesht një kozmetikë e radhës, por duhet të jenë një ndryshim që të pasqyrojnë patjetër forcën e partive tona politike”, tha kreu i Partisë Demokracia Sociale.

Shpëtim Idrizi: Seriozitet nga PD-PS
Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, theksoi rëndësinë që reforma zgjedhore të përfundojë në kohë dhe të jetë e drejtë dhe e barabartë për të gjitha forcat politike. Idrizi kërkoi që partitë e mëdha të tregojnë seriozitet për këtë çështje, ashtu siç e shprehën me hedhjen e firmave për korrigjim të sistemit. “U bëjmë apel të dyja forcave të mëdha politike, kryetarët e të cilave i janë bashkuar listës së 26 partive që të jenë seriozë, sepse nuk e besoj që zoti Bylykbashi, zoti Gjiknuri apo zoti Çuçi dhe zoti Rusmali të jenë të mëdhenjtë dhe zoti Rama e zoti Berisha bashkë me të gjithë ne të jemi të vegjlit”, u shpreh Idrizi.

Milo e Madhi depozituan modelet e korrektimit
Përfaqësuesit e PDS-së, Paskal Milo dhe ai i PR-së, Arjan Madhi, depozituan në Kuvend një javë më parë propozimin me katër variante për llogaritjen e numrit të mandateve. Njëri prej këtyre propozimeve është ai i llogaritjes së numrit të mandateve brenda koalicionit, në mënyrë që t’u jepet më shumë mundësi partive të vogla ta fitojnë atë. “Kemi bërë propozime konkrete, në mënyrë që formula që ne kemi parashtruar, të ndihmojë në punën e Komisionit parlamentar. Shpresoj që ky Komision, si mbartës i vullnetit politik të Kuvendit të Shqipërisë, do ta shqyrtojë këtë iniciativë dhe do të mund të adaptojë formulën më të mirë, duke bërë të mundur barazimin e votës aq shumë të nevojshme në funksion të një demokracie reale”, është shprehur kreu i PDS-së, Paskal Milo.

ARISTIR LUMEZI

© Panorama.al

Te lidhura