Referendumi në Veri, rreth 100% e serbëve, “jo”autoritetit të Prishtinës

Feb 17, 2012 | 11:01

Serbët e katër komunave të Kosovës kanë votuar të martën e të mërkurën për njohjen ose jo të institucioneve të Kosovës, në një referendum të konsideruar ilegal nga Prishtina zyrtare dhe komuniteti ndërkombëtar. Sidoqoftë referendumi u mbajt, në të morën pjesë rreth 70 për qind e banorëve të katër komunave me shumicë serbe, e sipas rezultateve paraprake, në masën 99.74 për qind i thanë “jo” institucioneve të Kosovës. Respektimi i institucioneve të Kosovës në Veri, në zonën e sipërme të lumit Ibër, e kanë mbështetur vetëm 69 banorë, që përkon me 0.26 të votuesve. Në 82 vendvotime kenë votuar 75.28 për qind e qytetarëve të komunave veriore, ndërsa rezultatet përfundimtare pritet të bëhen publike të dielën. Referendumi u mbajt në Mitrovicë, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviç, ku serbët lokalë kanë thënë se duan të qartësojnë “vullnetin e komunitetit të tyre për lejimin apo moslejimin e shtrirjes së autoritetit shtetëror të Kosovës në Veri të vendit”. Të mërkurën, Kuvendi i Kosovës ka miratuar deklaratën që e shpall të paligjshëm dhe jokushtetues referendumin e Veriut. Edhe Kryeministri Sali Berisha e ka mbështetur plotësisht qëndrimin e qeverisë së Kosovës ndaj referendumit të paligjshëm të serbëve në komunat e Veriut të Mitrovicës, duke e cilësuar atë një “akt të pavlerë dhe pa konsekuencë, për sa i përket integritetit territorial dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës”. Por, për strukturat paralele serbe “ky referendum, ashtu siç thuhet edhe në Beograd, nuk do të ketë pasoja ligjore, sepse ne po deklarohemi për atë që shkruan në Kushtetutën e Serbisë dhe ajo është: Kosova është pjesë përbërëse e Serbisë. Presim që pas referendumit të ketë më pak presion të bashkësisë ndërkombëtare në Veri”, tha për mediat serbe kryetari ilegjitim i Mitrovicës, Kërstimir Pantiç. Zyrtarisht dhe qeveria e Serbisë u shpreh kundër referendumit. Ajo u ka bërë disa herë thirrje përfaqësuesve serbë të Veriut që të heqin dorë nga ky organizim, pasi është i dëmshëm për interesat e Serbisë. Megjithatë, në Kosovë besohet se referendumi i Veriut e gëzon mbështetjen e plotë të ekzekutivit të Serbisë.

© Panorama.al

Te lidhura