Referendumi, Kuvendi e shpall të paligjshëm

Feb 15, 2012 | 18:05

Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar sot një deklaratë në kundërshtim të referendumit të serbëve, mbajtur dje dhe sot në katër komuna me shumicë serbe në veri të vendit. Deklarata u miratua me 64 vota pro dhe me 9 abstenim. Kundër saj nuk ka votuar asnjë prej deputetëve të pranishëm.

Nëpërmjet kësaj deklarate Kuvendi i Kosovës shpall automatikisht të paligjshëm dhe jokushtetues referendumin.

DEKLARATË

1.    Kuvendi i Republikës së Kosovës e kundërshton dhe e shpall të paligjshëm e të pavlefshëm Referendumin e strukturave paralele në komunat veriore të Kosovës, të financuara e të drejtuara nga Republika e Serbisë kundër Pavarësisë, Sovranitetit dhe Integritetit territorial të Republikës së Kosovës.

2.    Kuvendi i Republikës së Kosovës e vlerëson këtë referendum cenim të rendit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës;

3.    Kuvendi i Republikës së Kosovës konstaton që i ashtuquajturi Referendum i organizuar nga strukturat ilegale,  nuk prodhon asnjë efekt juridik, politik dhe si i tillë është i pavlefshëm;

4.    Organizimet e tilla jashtë institucionale dhe ilegale dëmtojnë përpjekjet e vazhdueshme të Institucioneve të Republikës së Kosovës për integrim të komunitetit serb në jetën institucionale;

5.    Kuvendi i Republikës së Kosovës inkurajon komunitetin serb të pjesës veriore që sa më shpejtë të angazhohet në implementimin e Propozimit Gjithëpërfshirës për zgjidhjen e Statusit të Kosovës.

6.     Institucionet e Republikës së Kosovës konfirmojnë gatishmërinë e tyre për  mbrojtjen dhe respektimin e të gjitha konventave ndërkombëtare, që garantojnë liritë dhe të drejtat e qytetarëve, si dhe të drejtat e pakicave.

© Panorama.al

Te lidhura