
TIRANE- Në mbyllje të vizitës së tij, Zëvendës Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për Çështje të Europës dhe Euroazisë, Philip Reeker ka përsëritur edhe njëherë se javët në vazhdim do të jenë kritike për Shqipërinë, ndërsa Uashingtoni do të ndjekë nga afër gjithçka.
Në mbyllje të takimit që pati me kreun e Partisë Socialiste, Reeker cilësoi si shumë të rëndësishme miratimin e rregullores së re parlamentare, ligjin për Gjykatën e Lartë dhe imunitetet.
“Ne besojmë se gjetja e dakordësisë për reformën parlamentare, kalimin e ligjit për Gjykatën e Lartë dhe votimi për imunitetet janë të arritshme dhe do të jenë hapa të rëndësishëm për Shqipërinë.”- tha Reeker.
Javët e ardhshme, vazhdoi më tej Reeker, siç e kemi thënë, janë të rëndësishme në të demonstruarit e lëvizjeve që do të bëhen drejt reformave, dhe seriozitet të arritjes së qëllimeve që ka Shqipëria.
“Shpresojmë të shohim përparim të reformave, presim që të shikojmë që zgjedhjet e ardhshme të zhvillohen në mënyrë demokratike, dhe gjithashtu theksoj rëndësinë për institucione demokratike.”- theksoi Reeker.
Ai tha se Parlamenti ka të gjithë fuqinë dhe mundësinë për të ndikuar në mënyrën më pozitive në Progres- Raportin e ardhshëm të Bashkimit Evropian.
Nga ana e tij, kreu socialist e vlerësoi shumë vizitë, siç tha ai, relativisht të gjatë të Reeker, që sipas tij, është dëshmi e vëmendjes dhe miqësisë që lidh popujt dhe vendet tona.
Rama tha se në qendër të diskutimeve të tyre ka qenë situata e fundit në Shqipëri, çështje të rajonit si dhe marrëdhëniet mes dy vendeve.
Reeker ka zhvilluar një serë takime me liderët më të lartë politik në vend, përfshirë edhe drejtuesit e dy partive më të reja në spektrin politik shqiptar, FRD-në e Bamir Topit, dhe Aleancën Kuq e Zi të Kreshnik Spahiut.
Pas qëndrimit te tij 5 ditor ne Shqiperi, Reeker do te niset per nje vizite zyrtare ne Kosove.
© Panorama.al











