Rebusi për votën e ardhshme

May 16, 2012 | 11:47

AGIM BAÇI

Një javë pas takimit Rama-Meta, hijet e lëvizjeve të ardhshme politike kanë krijuar një fjalëkryq që nuk është i lehtë për t’u zgjidhur. Në fakt, këtë vështirësi ia ka krijuar edhe vetë LSI-ja, e cila, e ledhatuar nga pozicioni kyç që ka rimarrë për bisedime, ka lënë të hapura të gjitha shtigjet e llojeve të marrëveshjeve.
Arma më e fortë e Metës mbetet çështja e konfirmimit të maxhorancës që i nevojitet Berishës, pasi çdo mosarritje e numrit të votave të maxhorancës do të thotë rrëzim i kësaj qeverie. Dhe, sado që të ketë më pas ndonjë marrëveshje për ta vijuar qeverinë edhe me votat e LSI-së, qeverisja vetëm sa do të shënojë degradime pasi do të kenë rënë moralisht.
Por kjo hartë hamendësishesh ka shumë “vende” të paplotësuara, pasi kreu i PD-së nuk ka dhënë ndonjë shenjë lidhur me takimet e fundit. Si një lojtar i vjetër politik ka lënë të kuptohet se po e menaxhon nga larg, ose edhe më shumë, se ka qenë në dirigjim të asaj që ka ndodhur. Dhe arma që mbetet për të shmangur verifikimin e maxhorancës është arritja e një marrëveshjeje të drejtpërdrejtë me Ramën, duke goditur kështu dy zogj me një gur: edhe plotëson kushtin e ndërkombëtarëve për konsensus, edhe shmang çdo lloj rreziku për verifikimin e votave të maxhorancës në Kuvend.
Por, përtej logjikës për Presidentin, duket se kreu i maxhorancës dhe shefi i opozitës janë në llogari lidhur me mandatet e vitit 2013. Dhe në këtë mes, LSI dikujt prej palëve kërkon t’i hyjë në pjesë. Dhe në këtë moment, kur votat e kësaj partie janë vendimtare, duket se Meta kërkon të korrë maksimalen, e cila më pas do t’i siguronte një numër më të madh deputetësh, së paku një grup parlamentar, që do të ishte vendimtar në votëbesimin e qeverive që do të krijohen pas zgjedhjeve të ardhshme.
Me Kodin aktual, duke iu referuar se LSI ka forcuar pozitat si parti e tretë, Rama do të merrte votat e të gjithë të vegjëlve që do të ishin në aleancë me PS-në ose me PD-në, në varësi të aleancave zgjedhore. Ndaj, në këtë rast, të dyja partitë nuk janë shumë të kënaqura që ta kenë pas si aleate parazgjedhore.
Gjithsesi, me takimin e tij Rama i ka turbulluar ujërat, edhe pse shumë vonë, pasi publiku mund të perceptojë një pafuqi të opozitës së sotme për të fituar pa ndihmën e një partie që vjen nga maxhoranca. Por, në krahasim me atë që humbte duke shmangur çdo dialog, Rama ka bërë lëvizjen e duhur, edhe pse vonë. Edhe qëndrimet e disa prej figurave që kishin kundërshtuar një aleancë parazgjedhore me LSI-në tregojnë se PS po shkon drejt një vendimi unanim për të ndarë pushtet. Por kjo do t’i krijojë një xhelozi me aleatët aktualë të PS-së, të cilët, edhe pse pa ndonjë peshë specifike, mund të bëhen shkas për të shënuar humbje, duke ditur se Kodi aktual luan edhe për një votë për të shpallur fituesin.
Gjithsesi, votimi për Presidentin e ri do të vërë disa pika të rëndësishme në hartën e re të lëvizjeve politike, të cilat nisin më pas hyrjen në vitin e përgatitjeve zgjedhore. Ndërkohë, vendimi i aleancave të LSI-së do të vendosë lidhur edhe me fatin e shumë prej partive të vogla, të cilat duhet t’i shmangen qëndrimit pas LSI-së në aleanca me partitë e mëdha, pasi do t’i humbnin votat. Ndërkohë, mbeten pak shanse që të ketë një pol tjetër politik që do të rrezikonte t’i shuante përfundimisht partitë e vogla, pasi Kodi aktual, nëse nuk ndryshon, i ndëshkon ata me qëndrim jashtë Parlamentit. Por, duke qenë se çdo votë hyn në punë, është vështirë që PD apo PS t’i neglizhojë. Sidomos Berisha ka treguar se di të mbledhë rreth vetes partitë që formojnë elektorat. Dhe ndoshta një largim i LSI-së do të bënte që të ridimensionohej PDIU-ja, e cila mund të marrë vota të barabarta me partinë e Metës, sidomos pas sistemit në qeverisje të shumë prej figurave të saj.

© Panorama.al

Te lidhura