Kryeqyteti i Libisë, Tripoli, tashmë është në duart e kryengritësve. Ata kanë marrë televizionin shtetëror dhe institucionet kryesore të vendit, duke shënuar fitoren ndaj luftës disamujore kundër Kolonelit, që qeveriste vendin prej 42 vitesh.Rebelët morën në dorë madje dhe Gardën e Republikës dhe tre djemtë e tij. Raportimet për vendndodhjen e Muamar Gedafit janë konfuze dhe kundërshtojnë njëra-tjetrën. Faqja online Al Manara shkruan se ai ndodhet në Ambasadën e Venezuelës, në Tripoli. Raportime të tjera tregojnë se Koloneli ndodhej në spital. BBC raporton se kolonel Gedafi ndodhet i shtruar në një spital pranë Tajouras, në lindje të Tripolit. Po kështu raportoi edhe televizioni Al-Arabia. Raportime të tjera tregonin se lideri libian ka vdekur, është vrarë nga kryengritësit. Por kjo deklaratë u mohua nga qeveria e Këshillit Tranzicional. Kreu i këtij Këshilli, Abdel Jalili, tha se “I sigurojmë Gedafit një proces të drejtë, në mënyrë që e gjithë bota të shohë në burg diktatorin më të madh në Tokë”. Ai ka shtuar se refuzon çdo ekzekutim jashtë ligjit, edhe pse ka shprehur frikën se ndonjë rebel mund ta bëjë këtë. Deri në minutat e fundit ai ka shfrytëzuar radion kombëtare për t’i bërë thirrje popullit libian që mbështeste atë dhe regjimin e tij, që të luftonin deri në martirizim për të mbrojtur vendin. Luftime ka pasur deri në fund të marrjes së kryeqytetit dhe bilanci i viktimave ishte rreth 1400 njerëz. Forcat e Gedafit arritën të mbanin deri në mbrëmje më pak se një të katërtën e qytetit. Kryengritësit depërtuan në Sheshin e Gjelbër, simbol i revolucionit të Gedafit katër dekada më parë, dhe tashmë po festojnë. Shumë njerëz kanë mbushur rrugët e Tripolit për të festuar, por jo vetëm, me mijëra kanë qenë gjatë gjithë natës edhe në rrugët e Bengazit e qyteteve të tjera. Beteja për marrjen e Tripolit ka vazhduar edhe gjatë mbrëmjes, madje mes viktimave të shumta ka pasur edhe fëmijë. Snajperat e forcave besnike të Gedafit kanë vrarë dy fëmijë të moshës 5-6 vjeçe, ndërsa ata tundnin me të atin flamurin e rebelëve. Përleshje të dhunshme mes trupave të Kolonelit Gedafi dhe rebelëve janë duke u zhvilluar në kufi mes Libisë dhe Tunizisë. Tani nuk ka më dyshime se regjimit të Gedafit i erdhi fundi përgjithmonë.
Nderkombetaret
Liderat perëndimorë kanë mirëpritur lëvizjet e kryengritësve në Tripoli. Presidenti amerikan, Barak Obama, tha se këto ishin “grahmat e fundit të regjimit”. Dhjetëra persona u mblodhën jashtë Shtëpisë së Bardhë në Uashington për të festuar. Kryeministri britanik, David Kameron, tha se Gedafi ka kryer krime të frikshme kundër popullit libian dhe ai duhet të shmangë çdo vuajtje tjetër për njerëzit e tij. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen, tha se regjimi i Gedafit po shembet. Kryeministrja e Australisë, Xhulia Gilard, tha se Koloneli duhet të përballet me akuzat ndërkombëtare të ngritura kundër tij. Edhe zëdhënësi i Hamas-it, Sami Abu Zuhri, përshëndeti kryengritësit për fitoren.
Berisha
Kryeministri shqiptar, Sali Berisha, e ka përshëndetur rrëzimin e regjimit të Muamar Gedafit, duke theksuar se kjo ditë shënon fundin e regjimit diktatorial gjysmëshekullor të popullit libian. “Shqiptarët që kanë përjetuar për rreth gjysmë shekulli regjimin më barbar në Europën e pasluftës së Dytë Botërore të diktatorit gjakatar Enver Hoxhës, ndajnë me popullin mik libian kënaqësinë e kësaj fitoreje të madhe, që shënon për libianët daljen nga epoka e shtypjes, terrorit dhe hapjen e rrugës për ndërtimin në liri të shtetit ligjor, të bazuar në respektimin e lirive dhe të drejtave themelore të individit”, ka deklaruar Berisha.
42 vjet
ka qëndruar në pushtet Koloneli libian, Muamar Gedafi, dhe më pas planifikonte që fuqinë t’ia kalonte djalit të tij, Saif al Islam, i cili u arrestua afër mesnatës të së dielës nga trupat rebelë.











